Ekonomi

Kafeja, gazi, perimet dhe peshku ishin produktet që u shtrenjtuan më shumë në qershor

Nga 45 artikujt e analizuar, 28 shënuan rritje të çmimit, ndërsa 16 ulje të çmimit.

Redaksia Zëri
Kafeja, gazi, perimet dhe peshku ishin produktet që u shtrenjtuan më
foto ilustruese

TIRANË- Çmimet e pjesës më të rëndësishme të produkteve bazë të konsumit, kafeja, perimet dhe bulmetit u rriten shumë më tepër se mesatarja e përgjithshme e çmimeve në muajin qershor 2026. Limonët, kafeja e bluar, gazi i lëngshëm dhe vera shënuan rritjet më të forta në krahasim, ndërsa konservat e peshkut, sheqeri dhe birra u shitën më lirë se një vit më parë, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave për çmimet mesatare të konsumit për artikujt kryesore të shportës. Nga 45 artikujt e analizuar, 28 shënuan rritje të çmimit, ndërsa 16 ulje të çmimit.

Limonët u shtrenjtuan me 23.5%, kafeja me 14.6%

Rritjen më të lartë vjetore e shënoi çmimi i limonëve. Një kilogram limonë kushtoi mesatarisht 253.6 lekë në qershor 2026, nga 205.4 lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Çmimi u rrit me 48.2 lekë për kilogram, ose 23.5%. Kafeja e bluar ishte një tjetër produkt me rritje të ndjeshme. Çmimi për 100 gramë arriti në 169.2 lekë, nga 147.6 lekë një vit më parë, me 14.6% rritje. Gazi i lëngshëm, që u shtrenjtua me 12.4%, si rrjedhojë e ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare nga lufta në Iran. Çmimi mesatar për litër ishte 64.4 lekë muajin e kaluar.

Vera u shtrenjtua me 11.2%. Një shishe 0.75 litra kushtoi mesatarisht 756.9 lekë, nga 680.8 lekë në qershorin e vitit të kaluar, ose 76.1 lekë më shumë.

Rritje mbi mesataren e peshkut, kastravecëve dhe specave dhe kosit

Të dhënat e INSTAT tregojnë se çmimet e prodhimeve të stinës u rriten mbi mesataren e inflacioni 3.2 % në qershor 2026. Çmimi i kastravecëve u rrit me 9.9%, duke arritur në 97.6 lekë për kilogram. Specat u shtrenjtuan me 8%, duke arritur në 137 lekë për kilogram, nga 126.8 lekë një vit më parë.

Peshku i freskët kushtoi mesatarisht 923.1 lekë për kilogram, nga 851.8 lekë në qershor 2025 me rritje 8.4%.

Çmimi i kosit natyral u rrit me 6.9%, duke arritur në 192.5 lekë për kilogram në qershor 2026, ndërsa vezët u shtrenjtuan me 5.2%. Vaji i ullirit u shit mesatarisht me 839.2 lekë për litër, nga 798.9 lekë një vit më parë, duke shënuar rritje me 40.3 lekë ose 5%. Ullinjtë u shtrenjtuan me 4.5%, mollët me 4%, gjiza me 3.8% dhe mishi i derrit me 3.6%.

Mishi nuk ndalon rritjen

Në grupin e mishit, rritja më e lartë u regjistrua te mishi i derrit, çmimi i të cilit arriti në 687.1 lekë për kilogram, nga 663.4 lekë në qershor 2025, ose 3.6%. Mishi i pulës u shtrenjtua me 2.1%, ndërsa mishi i qengjit, dashit dhe kecit kushtoi mesatarisht 2% më shumë se një vit më parë në qershor. Me të njëjtën normë, prej 2%, u shtrenjtua edhe proshuta, ndërsa kremviçet u rritën me 1.9% dhe sallami me 0.8%. Çmimi i mishit të viçit mbeti i pandryshuar, në 1,235.8 lekë për kilogram.

Konservat e peshkut dhe sheqeri me uljen më të fortë.

Rënien më të madhe të çmimit e shënuan konservat e peshkut. Çmimi mesatar për 100 gramë zbriti në 164.7 lekë, me një ulje 19.6% nga qershori 2025. Sheqeri u lirua me 12.9%. Një kilogram kushtoi mesatarisht 90.6 lekë, nga 104 lekë në qershor 2025. Birra shënoi një ulje prej 8.9%, me çmimin mesatar për gjysmë litri dhe zbriti në 158.6 lekë. Gjalpi u lirua me 3.8%. Çmimi i orizit ra me 3.5%, ndërsa ai i vajit të lulediellit me 2.5%. Rënie pati edhe për makaronat dhe pijet joalkoolike me gaz, me nga 1.8%, qumështin e freskët me 1.3%, patatet me 1.2% dhe portokallet me 1.1%. Djathi i bardhë u lirua me 0.7%, djathi kaçkavall me 0.6% dhe fasulet me 0.5%.

Eurodiezeli shtrenjtohet, benzina mbetet e qëndrueshme

Në grupin e karburanteve, eurodiezeli shënoi rritje të çmimit, ndërsa benzina mbeti pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. Çmimi mesatar i eurodizelit u rrit nga 173.1 lekë në 180.1 lekë për litër, ose me 7 lekë dhe 4%. Benzina kushtoi mesatarisht 172.7 lekë për litër, nga 172.9 lekë në qershor 2025, me një rënie të papërfillshme prej 0.1%. Çmimet në këtë grup u ndikuan nga lufta në Iran, ku për shkak të bllokimit të ngushticës së Hormuzit furnizimi me naftë i tregjeve globale nga lindja e mesme u vështirësua duke ndikuar në rritjen e çmimeve./Monitor

Poll

MOS HUMB