TIRANË- Vlera e kredive të humbura të fshira nga bilancet e bankave shënoi një rritje të fortë në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar nxori jashtë bilanceve rreth 5.3 miliardë lekë. Kjo vlerë ishte 279% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit janë fshirë rreth 6.3 miliardë lekë kredi të humbura dhe rreth 88% e këtij vëllimi lidhet me kredi të marra nga bizneset. Vlera e kredive të fshira në periudhën e fundit ishte sa 17.6% e tepricës së përgjithshme të kredive me probleme në portofolin e bankave, nga rreth 2.7% gjashtëmujorin e kaluar.
Nxjerrja e një kredie të humbur jashtë bilancit është një veprim kontabël, që nuk nënkupton heqjen dorë nga procesi ligjor i mbledhjes dhe rikuperimit të saj. Fshira ka qëllim uljen e raportit të kredive me probleme të bankave, por, megjithatë, nuk ka ndikim në performancën e tyre financiare, sepse kreditë e klasifikuara si të humbura janë të provigjionuara në masën 100%.
Fshirja e kredive të humbura të sektorit bankar nisi të marrë përmasa të mëdha në vitin 2015, kur Banka e Shqipërisë vendosi detyrimin rregullator për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh. Fshirjet dhanë një ndikim shumë të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme të sektorit bankar, që në atë periudhë kishte arritur në kufijtë e 25%.
Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofolave, Banka e Shqipërisë në vitin 2020 vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura në dy vjet, nga tre vjet që kishte qenë më parë. Gjatë periudhës janar 2015 – qershor 2025, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre afërsisht 90 miliardë lekë.
Rritja e vlerës së kredive të fshira është një sinjal që dikton nevojën për kujdes lidhur me cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar.
Raporti i kredive me probleme ishte i qëndrueshëm pranë nivelit të 4% edhe për muajin korrik dhe nuk ka pësuar luhatje shumë të mëdha për pjesën e parë të këtij viti. Ky raport vazhdon të jetë në rënie krahasuar me një vit më parë, kur shënonte nivelin 4.72%.
Megjithëse portofoli i kredisë ka vazhduar rritjen me ritme dyshifrore edhe gjatë vitit 2025, raporti i kredive me probleme e ka frenuar rënien, duke sinjalizuar një rritje në stokun e kredive të këqija. Mund të vlerësohet se stoku i kredive me probleme është rreth 36.1 miliardë lekë, nga 34.9 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 37.7 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithëse në rënie me 4.2% krahasuar me korrikun 2024, që nga fillimi i këtij viti gjendja e stokut të kredive me probleme është rritur me 3.6%.
Rritja e shpejtë e kreditimit në dy vitet e fundit duket se po shoqërohet edhe me një rritje të sasisë së kredive me probleme dhe po shkakton sërish edhe rritjen e kredive të fshira nga bilancet. Banka e Shqipërisë është shprehur e shqetësuar nga rritja e shpejtë e kreditimit dhe ka nisur aplikimin e masave që tentojnë ngadalësimin e rritjes së kredisë, sidomos për financimin e pasurive të paluajtshme.
Vitin e kaluar, u vendos një rritje në nivelin e shtesës kundërciklike të kapitalit, ndërsa këtë vit nisi aplikimi i masave të drejtpërdrejta kufizuese për kredinë për blerjen e banesave nga individët./Monitor