ATHINË- Duhet një fshat për të rritur një fëmijë, thotë një shprehje e vjetër afrikane. Por çfarë ndodh kur në të njëjtën kohë ju duhet të punëoni dhe të paguani? Për të rritur një fëmijë në Greqi llogaritet se sot nevojiten rreth 13 mijë euro në vit. Një fëmijë në një familje mesatare greke "kushton" 233,000 euro deri në momentin që mbush 18 vjeç. Dhe kjo shpjegon faktin që grekët kanë më pak fëmijë sot se kurrë më parë. Në vitin 2022, në vendin fqinjë kanë lindur 76.095 fëmijë, pra 10,8% më pak se një vit më parë. Viti 2023 vlerësohet se u mbyll në nivele edhe më të ulëta.
Aktualisht në Greqi, vlerësohet se aktualisht po rriten pothuajse 2 milionë fëmijë, në më shumë se 1 milion familje. Duke analizuar të dhënat e Entit të Statistikave Greke, rezulton se ndërsa shpenzimet mujore të një çifti mesatar në vitin 2022 arritën në rreth 1340 euro, një familje mesatare me një fëmijë shpenzon 2385 euro në muaj.
Nëse merret parasysh inflacioni i vitit 2023, vlerësohet se rritja e një fëmije rëndon buxhetin e një familjeje mesatarisht me 12,941 euro në vit. Prandaj, një familje mesatare greke do të ketë shpenzuar – me paratë e sotme pa llogaritur inflacionin – afërsisht 233,000 euro deri në momentin kur fëmija i tyre të arrijë moshën madhore. Duke parë të dhënat me kalimin e kohës, shihet se kostoja e rritjes së një fëmije në Greqi nuk ka ndryshuar ndjeshëm në krahasim me 15 vjet më parë.
Shpenzimi më i madh për prindërit është padyshim arsimi. Një dado me kohë të plotë paguhet rreth 750-850 euro në muaj. Me kthimin e nënës në punë, shpenzimet e familjes rriten ndjeshëm, veçanërisht nëse nuk ka gjyshe që të kujdeset për fëmijët. Edhe për fëmijët që do të shkojnë në çerdhe dhe kopshte shtetërore, kostoja e shkollave përcaktohet në bazë të të ardhurave të familjes dhe në përgjithësi varion nga 60 euro deri në 160 euro në muaj. Në kopshtet private tarifat e shkollimit mesatarisht shkon 4000 euro në vit. Megjithatë, në shumicën e familjeve greke, ndihma nga gjyshërit konsiderohet ende e padiskutueshme, por kjo duket se nuk po ndihmon më.
Business Insider vlerëson se aktualisht kushton 25,714 dollarë në vit për të rritur një fëmijë në SHBA. Në fakt, kostoja e lidhur është rritur me 41.5% që nga viti 2016 dhe vlerësohet të shkojë edhe më lart këtë vit. Dhe kjo sepse një krizë e rëndë ka goditur sektorin e kujdesit për fëmijët. Ndryshe nga Ballkani, në SHBA situata është përkeqësuar edhe më shumë, sepse brezi i ri i gjyshërve (d.m.th., ata të lindur midis 1946 dhe 1964) duket se ka ndryshuar pikëpamjen e tyre për rolin e gjyshërve në familje. Gjyshërit e sotëm amerikanë po kalojnë të ashtuquajturën "krizë treçerekëshe", pra e ndjejnë se jeta e tyre po merr fund dhe duan të jetojnë në maksimum derisa u mbetet kohë, e jo të kujdesen për nipërit e mbesat e tyre. Kjo përkthehet sigurisht në kosto për familjet e reja. Kosto që mesa duket janë të majme./ZËRI