
TIRANË- Është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, projekligji i deputetes së Partisë Socialiste Blerina Gjylameti për rivlerësimin e pronave. Projekligji pritet që të kalojë në Komisionet Parlamentare për diskutim. E më pas në sallë plenare për votim. Ky projekligj pritet që ti japë një shtysë ekonomisë së tregut të shitblerjeve të pronave, pas dy vjeshtësh “ngrirje”. Kjo për shkak se qytetarët nuk kanë interes të kryejnë transaksione deri në zyrtarizimin e kësaj nisme me qëllim që përfitimi të jetë maksimal. Me anë të projektligjit synohet të formalizohet dhe tregu i pasurive të patundshme. Pas miratimit të projektligjit tatimi që do të paguhet, parashikohet në 3% nga 15% që është aktualisht.
Ervin Demirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme dhe Teuta Nunaj, eksperte për ekonominë e vlerësojnë këtë projektligj si pozitiv dhe shumë të domosdoshëm. Sipas Demirxhiut, kjo nismë do t’i japë një shtysë ekonomisë dhe tregut të shitblerjeve.
“Nuk ishte aq e pritshme sepse nuk ka kaluar shumë kohë nga fushata e fundit e riverësimit. Po ishte e domosdoshme sepse ndryshuan çmimet e referencës. Ndërkohë që çmimet e referencës në disa zona janë dyfishuar që domethënë se ato vlerësime para tre viteve me çmime reference, kanë dalë jashtë loje prandaj ishte e domosdoshme. Është një nismë për t’u përgëzuar dhe do t’i japë shtysë si ekonomisë, tregut të shitblerjeve dhe pronave. Më pëlqen projektligji sepse ka marrë në konsideratë pronat në proces legalizimi, si pallatet në ndërtim, ato të braktisura nga ndërtuesit sepse një ditë do të hipotekohen dhe do të ishin me çmim qesharak. Ky 3 për qind i sjell me vlerën e tregut dhe është pozitive”, tha Demirxhiu, shkruan Panorama.
Sipas ekspertes Nunaj, çmimet e pronave do të bëhen më reale.
“E kam gjykuar të domosdoshme për një arsye të thjeshtë. Për sa kohë tregu imobiliar ka ndryshuar çmimin final me ritme të shpejta dhe baza ligjore duhet t’i azhurnohet këtij ndryshimi tregu. Në këtë këndvështrim, shoh që ky zhvillim që po merr tregu ka nevojë të ecë paralel me zhvillimin juridik të të gjithë procesit të transaksioneve. Kur kemi ndryshime të mëdha, edhe baza ligjore duhet t’i përshtatet. Duke i përfshirë të gjithë kategoritë e ndërtimit, që janë në proces legalizimi apo të paformalizuara, e gjithë kjo gjithëpërfshirje është diçka pozitive sepse mundëson regjistrimin e gjithçkaje që është pronë fizike. Nismë pozitive”, tha Nunaj.
Në të njëjtat ujëra shprehet edhe eksperti për pasuritë e paluajtshme, Dritan Ballgjini. Sipas tij, kjo nismë është lajm shumë i mirë për këdo, i cili ka planifikuar të shesë një pronë. Ulja e përqindjes së tatimit me 12 %, do të thotë më shumë para në llogaritë e qytetarëve, ndërsa kjo ndikon në përafrimin e mëtejshëm të çmimit të pronës me vlerën reale që ka tregu, shkruan Panorama.
“Rivlerësimi i pronave është një lajm pozitiv. Qeveria e shtyu disa herë procesin e rivlerësimit. Mendoj se ai individ që ka vendosur ta shesë shtëpinë, por që është vonuar i ndikuar dhe nga taksat e larta, tani do ta ketë më të lehtë pasi nga 15% ka zbaritur në 3%. Uroj që kjo të bëhet realitet dhe mos të mbetet në kuadrin e projektligjit. Ai person që ka vendosur të shesë është i interesuar që ta bëjë. Do jetë impakt shumë i mirë dhe kjo është gjeja më e mirë që i ndodh këtij sektori. Përafrojnë vlerën e pronës me çmimin e tregut dhe kjo është shtysë për qytetarët dhe për bizneset. Kjo do të sjellë më shumë të ardhura në buxhet”, tha ai./ZËRI