Ekonomi

Punonjësit e huaj, pse e zgjedhin Shqipërinë

Dy të rinj nga India me profesion inxhinier tregojnë pse zgjodhën të punësohen në kompanitë shqiptare, si është jeta e tyre këtu dhe çfarë këshille kanë për të rinjtë që synojnë të punojnë jashtë vendit.

Redaksia Zëri
Punonjësit e huaj, pse e zgjedhin Shqipërinë
foto ilustruese

TIRANË- Dy të rinj nga India me profesion inxhinier tregojnë pse zgjodhën të punësohen në kompanitë shqiptare, si është jeta e tyre këtu dhe çfarë këshille kanë për të rinjtë që synojnë të punojnë jashtë vendit.

“Shqipëria më ofroi pagë 50% më të lartë sesa India”

Cili është profesioni dhe arsimimi juaj?

Unë jam Mayur Prajapati, 25 vjeç dhe vij nga India. Punoj si Inxhinier Projektimi (Design Engineer) në “Ital Costruzioni”. Kam përfunduar Diplomën në Inxhinieri Mekanike.

Cili është pozicioni juaj dhe cilat janë përgjegjësitë tuaja? A keni bërë punë të ngjashme në vendin tuaj?

Pozicioni aktual është Inxhinier Projektimi. Përgjegjësitë e mia përfshijnë përgatitjen e vizatimeve teknike të projekteve, hartimin e listave të materialeve për projektet, menaxhimin e procesit të parafabrikimit dhe përgatitjen e programeve për makinat e prerjes me lazer duke përdorur programin Libellula.

Kam kryer punë të ngjashme edhe në vendin tim, por këtu kam marrë përgjegjësi të reja, kam mësuar metoda të reja pune dhe jam shumë i kënaqur me punën time.

Sa kohë keni që punoni në Shqipëri dhe pse keni ardhur këtu?

Kam dy vjet që punoj në Shqipëri. Erdha këtu sepse doja një mjedis të ri pune, një kulturë të re dhe mundësi më të mira për të vazhduar karrierën time.

Si krahasohet paga juaj me pagën që merrnit në vendin tuaj? Si e përdorni pagën tuaj dhe çfarë përfitimesh ju ofron kompania?

Në krahasim me vendin tim, në Shqipëri fitoj rreth 50% më shumë. Pagën time e përdor për të mbështetur familjen dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës. Përveç pagës, kompania më ofron akomodim, ushqim, sigurim privat shëndetësor dhe transport.

Gjithashtu, kemi mundësinë të marrim pjesë në aktivitete sociale të organizuara nga kompania.

Çfarë mendoni për mundësitë e punës jashtë vendit?

Disa njerëz po planifikojnë të shpërngulen në vende të tjera, por  besoj se Shqipëria është një mundësi shumë e mirë për të punuar, për të fituar përvojë dhe për t’u zhvilluar si në aspektin personal, ashtu edhe në atë profesional.

Cilat janë përparësitë dhe sfidat e punës në Shqipëri?

Përparësitë e punës në Shqipëri janë cilësia më e mirë e jetës, mjedisi i mirë i punë dhe një kompani shumë e mirë ku të punosh. Sfida kryesore është që duhet të vazhdojmë gjithmonë të përmirësojmë aftësitë dhe njohuritë tona për t’u zhvilluar profesionalisht.

Çfarë këshille do t’u jepnit personave të tjerë që duan të vijnë të punojnë në Shqipëri?

Shqipëria është një vend shumë i mirë, me njerëz miqësorë, një mjedis të mirë dhe paga konkurruese. Nëse vini këtu me një qëndrim pozitiv dhe me dëshirën për të punuar, mund të ndërtoni një të ardhme më të mirë për veten.

“Shqipëria më dha mundësinë për përvojë ndërkombëtare”

Cili është arsimimi juaj?

Emri im është Irfan Ansari. Jam 23 vjeç dhe vij nga India. Jam Inxhinier i Sigurisë. Kam përfunduar studimet në Inxhinieri dhe zotëroj kualifikime në Shëndet dhe Siguri në Punë.

Cili është profesioni juaj dhe cilat janë përgjegjësitë tuaja? A keni bërë punë të ngjashme në Indi?

Punoj si Inxhinier i Sigurisë. Përgjegjësitë e mia përfshijnë garantimin e sigurisë në vendin e punës, kryerjen e inspektimeve të sigurisë, identifikimin e rreziqeve në vendin e punës dhe promovimin e praktikave të sigurta të punës.

Po, kam kryer të njëjtën punë edhe në Indi.

Sa kohë keni që punoni në Shqipëri dhe pse keni ardhur këtu?

Kam shtatë muaj që punoj në Shqipëri. Kam ardhur këtu për mundësi më të mira në karrierë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për t’u zhvilluar profesionalisht.

Si krahasohet paga juaj me pagën që kishit në vendin tuaj? Çfarë përfitimesh ju ofron kompania?

Paga ime në Shqipëri është rreth 30% më e lartë se ajo që merrja në vendin tim. Përveç pagës, kompania më ofron akomodim, ushqim, sigurim privat shëndetësor dhe transport. Gjithashtu, kemi mundësinë të marrim pjesë në udhëtime dhe ekskursione të organizuara nga kompania në Shqipëri, gjë që është një përfitim shtesë.

Pse disa punëtorë pasi vijnë në Shqipëri, kërkojnë të largohen për t’u punësuar në vende të Bashkimit Europian?

Shumë punëtorë kërkojnë paga më të larta, mundësi më të mira për karrierë, kushte më të mira pune dhe zhvillim afatgjatë profesional në vendet e Bashkimit Europian.

Cilat janë përparësitë dhe sfidat e punës në Shqipëri?

Përparësitë përfshijnë një mjedis pune të sigurt, kolegë mbështetës dhe përvojë të vlefshme ndërkombëtare. Sfida kryesore është përshtatja me një gjuhë dhe kulturë të re.

Çfarë këshille do t’u jepnit punëtorëve të tjerë të huaj që vijnë në Shqipëri?

Këshilla ime është të jenë profesionistë, të respektojnë kulturën vendase, të zbatojnë të gjitha rregullat e sigurisë në punë dhe të jenë gjithmonë të gatshëm për të mësuar. Shqipëria është një vend i mirë për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar karrierën./Monitor

Poll

MOS HUMB