
STAMBOLL- Presidenti rus, Vladimir Putin do të vizitojë më 12 shkurt homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan. Lajmin e ka bërë me dije një zyrtar turk për "Reuters". Vizita e Putinit do të jetë e para e tij në një anëtar të NATO-s që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
Lëvizja e Putinit për të udhëtuar jashtë vendit ka qenë e kufizuar që nga marsi i vitit të kaluar kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi një urdhër arresti kundër tij, pasi akuzohet për trafikimin e fëmijëve ukrainas në Rusi. "ICC" doli në përfundimin se Putin kishte kryer krime lufte, ndaj edhe lëshoi urdhër-arrestin, ndërsa Rusia mohoi akuzat, por shtuan se ligjërisht vendimi i tyre ishte i pavlefshëm pasi vendi nuk ishte anëtar i ICC.
Turqia ka kërkuar të mbajë marrëdhënie të mira me Moskën dhe Kievin që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Ajo ka ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe ka shprehur mbështetje për integritetin e saj territorial, por gjithashtu kundërshton sanksionet ndaj Rusisë në parim. Gjithashtu Ankaraja zyrtare po kërkon të bindë Rusinë që të kthehet në të ashtuquajturën Nisma e Kokrrave të Detit të Zi pasi Moska u tërhoq korrikun e kaluar, duke i dhënë fund një viti eksportesh të mbrojtura nga portet ukrainase në mes të luftës./ZËRI