
TIRANË- Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar indeksimi i pensioneve në masën 4,1% për rreth 791 mijë pensionistë. Indeksimi do të nisë nga data 1 Tetor, dhe pritet që të merret nga pensionistët në pagesën që shpërndahet në fillim të muajit Nëntor. Sipas ministrit të ekonomisë, Blendi Gonxhja, efekti në buxhetin e shtetit, për indeksimin e pensioneve për 3 muaj, pritet që të jetë rreth 17 milionë euro.
Gonxhja tha se synimi i indeksimit është të ruhet fuqia blerëse dhe sfidë për qeverinë mbetet rritja e pensioneve, diskutimi për të cilin do të nisë në mes të muajit tetor.
“Ndaj me ju sot vendimin e qeverisë së Shqipërisë ë për indeksimin vjetor të pensioneve në masën 4.1 %, që nis me pagesat e muajit tetor 2024. Nga ky vendim përfitojnë 791 257 pensionistë. Efetektet financiare për zbatimin e këtij vendimi janë rreth 17 milionë euro vetëm për tre muajt e vitit 2024.
Dihet që synimi kryesor i indeksimit është të ruajmë fuqinë blerëse të pensioneve kundrejt rritjes së çmimeve dhe efekteve të inflacionit. Qeveria i ka në vëmendje të veçantë dhe është sfidë e jona për të garantuar që të kemi rritje të ardhurave të pensionistëve dhe të kemi një jetë sa më të denjë për ta”, u shpreh Gonxhja.
Nga mesi i muajit të ardhshëm do të nisin konsultimet për rishikimin e skemës së pensioneve.
“Po përqendrohemi tek barazia mes profesioneve me të ardhura të njëjta. Synim është që të shohim nivelet dhe kategoritë e çfarëdolloj pensioni, që janë në një nivel sot, për shkak të skemës dhe kontributeve të tyre që në mënyrë të ligjshme të përcaktuara ndër vite kanë atë nivel të ardhura, dhe duhet të ndërhyjmë për ato kategori që i vë ata në vështirësi për përballimin e nevojave bazë të jetës dhe duhet të jetë në proporcion me nevojat që kanë. Po mundohemi të rrisim të ardhura në përgjithësi por ka shumë rëndësi tregu i punës, formalizimi, paga e të ardhurave. Po punojnë që të kemi një rritje të shpërndarjes së mirëqenies”, shtoi Gonxhja.
Ministri shtoi se edhe bonusi i fundvitit për pensionistët do të rishikohet dhe do të jetë më i lartë se vitet e tjera./ZËRI