
CANBERRA - Australia u ka ofruar strehim qytetarëve të Tuvalusë, për shkak të ndikimeve katastrofike të ndryshimeve klimatike, në një pakt të ri historik.
Tuvalu – që gjendet në Paqësor - është ndër vendet më të rrezikuara nga tajfunet. Ky vend i vogël ka 11,200 banorë dhe vazhdimisht ka bërë thirrje për veprime më të mëdha për të luftuar ndryshimet klimatike.
Kryeministri australian Anthony Albanese e përshkroi këtë marrëveshje si të rëndësishme.
Kryeministri i Tuvalusë, Kausea Natano e quajti marrëveshjen një fener shprese, si dhe një hap gjigant në misionin për të siguruar stabilitetin rajonal, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin.
Deri në 280 personave në vit do t'u jepen vizat e reja, të cilat do t'i lejojnë ata të jetojnë, punojnë dhe studiojnë në Australi.
Është hera e parë që Australia u ofron rezidencë shtetasve të huaj, për shkak të kërcënimit të ndryshimeve klimatike.
"Do të konsiderohet si një ditë e rëndësishme në të cilën Australia pranoi se ne jemi pjesë e familjes së Paqësorit dhe me këtë nënkuptohet përgjegjësia për të vepruar," u tha Albanese gazetarëve të premten.
Traktati i ri është marrëveshja më domethënëse midis Australisë dhe një vendi të Paqësorit. Albanese gjithashtu premton ndihmën australiane për kombin e vogël në Paqësor.
Sipas marrëveshjes, Australia është zotuar të mbrojë kombin e vogël nga agresioni ushtarak dhe Tuvalu ka rënë dakord se nuk do të hyjë në pakte mbrojtëse me asnjë vend tjetër, pa miratimin e Australisë.
Zelanda e Re dhe SHBA kanë pakte të ngjashme me një pjesë të vogël të vendeve të tjera të Paqësorit si Palau, Shtetet Federative të Mikronezisë dhe Ishujt Kuk.
Australia ka premtuar gjithashtu fonde për të ndihmuar Tuvalunë të përshtatet me ndryshimet klimatike, duke përfshirë 16.9 milionë dollarë australianë (8.8 milion £; 10.7 dollarë) për të zgjeruar masën tokësore të ishullit të saj kryesor me 6%.
Tuvalu ka kohë që po lufton se si të mbrohet nga tajfunet. Në shtator, ky vend ndryshoi kushtetutën e saj për të vulusur se shtetësia e saj do të mbetet përjetësisht, edhe nëse ndikimet e ndryshimit të klimës - ose ndonjë gjë tjetër – bëjnë që të humbet territori i saj fizik./Zëri.ai/