
ANTARKTIDA- Të dhënat satelitore tregojnë se akulli i detit që rrethon Antarktidën është nën çdo nivel të regjistruar më parë, një pikë referimi e re shqetësuese për një rajon që dikur dukej rezistent ndaj ngrohjes globale. Një Antarktidë e paqëndrueshme mund të ketë pasoja të gjera, paralajmërojnë ekspertët. Hapësira e madhe e akullit të Antarktidës rregullon temperaturën e planetit, pasi sipërfaqja e bardhë reflekton energjinë e Diellit përsëri në atmosferë dhe gjithashtu ftoh ujin poshtë dhe afër saj.
Nëse akulli i saj nuk e ftoh planetin, Antarktida mund të shndërrohet nga frigoriferi i Tokës në një radiator. Akulli që noton në sipërfaqen e Oqeanit Antarktik tani ka më pak se 17 milionë km katrorë – që është 1.5 milionë km katror akull deti më pak se mesatarja e shtatorit. Shkencëtarët janë ende duke u përpjekur të identifikojnë të gjithë faktorët që çuan në uljen e akullit të detit këtë vit - por studimi i tendencave në Antarktidë ka qenë historikisht sfidues.
Akulli i detit vepron si një 'mëngë mbrojtëse' për akullin që mbulon tokën dhe parandalon që oqeani të nxehet. Ndërsa zhduket më shumë akull deti, do ekspozohen zona të errëta të oqeanit, të cilat thithin dritën e diellit në vend që ta reflektojnë atë, që do të thotë se energjia e nxehtësisë do të shtohet në ujë. Shkencëtarët e quajnë këtë efekt akull-albedo.
Kjo mund t'i shtojë më shumë nxehtësi planetit, duke prishur rolin e Antarktidës si rregullator i temperaturave globale.
Si një kontinent i pavarur i rrethuar me ujë, Antarktida ka sistemin e vet të motit dhe klimës. Por ka shumë mungesë informacioni lidhur mbi Antarktidën.
"Rajoni është ende "i egër" në terma shkencorë,"-thotë Dr. Robbie Mallet për BBC.
Shkencëtarët e dinë se sa larg përhapet akulli i detit, por jo, për shembull, sa i trashë është. Zbulimi i kësaj enigme mund të ndryshojë rrënjësisht modelin klimatik për rajonin. Po ashtu, fenomeni i motit El Niño, që po zhvillohet aktualisht në Paqësor, mund të kontribuojë në tkurrjen e akullit të detit, megjithëse është ende i dobët./Zëri.ai