KSAMIL – “La Guerre” – “Lufta” ishte festa që solli në Shqipëri Luis Miguel Varela Mendez një 21-vjeçar me kombësi portugeze. Një festë e përjavshme në nder të kulturës franceze zhvillohet çdo të hënë në ambientet e kompleksit Principote, në zonën e klubit El Coya.

Principote është një kompleks luksoz buzë detit, në Rivierën shqiptare, përballë “Tre Ishujve” në Ksamil. Një plazh privat në ujërat e Jonit, ndër zonat më të shtrenjta dhe elitare të jugut, ku aksesi për shqiptarët është gjithnjë e më i vështirë, duke e kthyer këtë hapësirë në një destinacion ekskluziv të luksit.

Mbrëmjen e djeshme, ashtu si çdo të hënë, “La Guerre” nisi me katër DJ të ardhur nga Franca posaçërisht për këtë natë. Mes të pranishmëve kishte edhe shumë shtetas francezë. Mes tyre ishte edhe viktima, një i ri vetëm 21 vjeç, i cili kishte zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet e tij dhe për t’i besuar asaj që njihet si një prej vlerave më të mëdha të shqiptarëve: mikpritjes.
Siç shihet edhe në pamjet e siguruara nga ZËRI, festa ka vijuar deri në orët e vona të natës, në kulmin e atmosferës së një nate gushti, pa e ditur askush se pak më vonë ajo do të përfundonte në një skenë tragjike.
Të pranishëm në festën e organizuar në Principote i thanë ZËRI se konflikti dyshohet se ka nisur brenda “La Guerre”, ku i riu portugez ndodhej së bashku me miqtë e tij.
Sipas dëshmive të mbledhura nga ZËRI, gjithçka dyshohet se ka nisur pas një konflikti mes të riut dhe disa personave të tjerë, po me kombësi portugeze. Një vështrim, një fjalë më shumë për një vajzë shqiptare dhe debati është përshkallëzuar në përplasje fizike.
Në këtë moment, sipas të njëjtave burime, është afruar 29-vjeçari Sokrat Vata, me precedentë të mëparshëm kriminalë në Britaninë e Madhe. Ai dyshohet se u ka kërkuar të rinjve të mos bërtisnin. Por situata nuk është qetësuar. Përkundrazi, sipas dëshmive, në konflikt është përfshirë edhe vetë Vata.
Rreth orës 04:50 të mëngjesit, sherri ka përfunduar në tragjedi.
Sipas burimeve të ZËRI-t, truproja dyshohet se ka sulmuar me thikë të riun, duke e goditur disa herë në pjesën e kraharorit dhe në zona vitale të trupit. Plagët i kanë shkaktuar humbjen e jetës.
I riu është gjetur i pajetë mbi shezlongët e plazhit luksoz, në të njëjtin vend ku vetëm pak orë më parë kishte qenë pjesë e festës.
Sot, ndërsa pushuesit që kanë rezervuar pushimet prej muajsh kanë hyrë në det përballë këtij peizazhi luksoz, ekspertët e Policisë Shkencore kanë vijuar punën në vendngjarje, duke mbledhur prova për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi në orët e para të mëngjesit.
Pas ngjarjes, Sokrat Vata dyshohet se është larguar së bashku me disa persona të tjerë.
Burime i thanë ZËRI se ai punonte paralelisht me Principote edhe pranë kompanisë Elite Security.
Në largimin e tij dyshohet se është përfshirë edhe Moisid Matushaj, 24 vjeç, polic i kufirit në Gjirokastër. Sipas burimeve, Matushaj dyshohet se e ka ndihmuar Vatën të largohej së bashku me dy shtetas turq.
Rreth pesë orë pas vrasjes, gjatë kontrolleve intensive të ngritura nga Policia në të gjitha akset kryesore të vendit, automjeti është ndaluar në Levan nga njësia “Shqiponjat”.
Në bagazhin e makinës është gjetur i fshehur dhe i zhveshur 29-vjeçari Sokrat Vata.
Në timonin e automjetit ndodhej një shtetase turke, ndërsa në sediljen e pasagjerit një shtetas turk. Identiteti i këtij të fundit ende nuk është bërë i ditur.
Sipas burimeve, Sokrat Vata dyshohet se ka qenë gjithashtu truproja që shoqëronte shtetasin turk që ndodhej në automjet.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Sarandës ka shoqëruar 38 persona, ndërsa ka shpallur në kërkim 36-vjeçarin Bekim Bulica, i cili është edhe pronari i kompleksit Principote. Bulica është një personazh i përmendur më herët në mediat franceze, të cilat e kanë lidhur me aktivitetin e shitjes së kokainës përmes dy call center-ave në Paris.
Sipas këtyre raportimeve, paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë pastruar përmes investimit në ndërtimin e kompleksit Principote në Ksamil. Biznesi rezulton i regjistruar në emër të një gruaje 70-vjeçare nga Hasi, Kade Bulica.

Kjo ngjarje është një nga episodet më të rënda të këtij sezoni turistik. Por ajo nuk prek vetëm çështjen e sigurisë në një prej destinacioneve më të frekuentuara të Rivierës shqiptare. Ajo prek diçka shumë më të thellë: thelbin e një prej vlerave me të cilat shqiptarët janë identifikuar ndër shekuj – mikpritjen.
Luis Miguel Varela Mendez erdhi në Shqipëri për të parë “Maldivet e Europës”, për të shijuar brigjet e Jonit dhe për të prekur nga afër një vend që prej vitesh e shet veten edhe përmes një prej virtyteve të tij më të njohura: mënyrës se si i pret të huajt.
Në traditën shqiptare ekziston një shprehje e famshme e Kanunit:
“Shpija e shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut.”
Në traditën e vjetër shqiptare, i huaji që hynte në derën e një shtëpie nuk konsiderohej më thjesht një kalimtar. Ai bëhej mik. Dhe bashkë me mikun vinte edhe një përgjegjësi: ta mbroje, ta nderoje dhe të siguroje që të dilte i gjallë e i paprekur nga dera ku kishte kërkuar strehim.
Kjo është ajo që e ka bërë mikpritjen shqiptare një nga historitë më të forta të këtij vendi. Por sot, një 21-vjeçar që erdhi në Shqipëri për të festuar, për të pushuar dhe për të njohur Rivierën, nuk do të kthehet më në shtëpi.
Një natë e quajtur “La Guerre” – “Lufta” – përfundoi realisht në një luftë, me një të ri të masakruar mbi shezlongët e një prej plazheve më luksoze të Shqipërisë.
Historitë me “cuba”, nga Rrjolli në Zvërnec e tashmë në Sarandë e Ksamil, nuk mund të bëhen normalitet i Rivierës shqiptare. Sepse mikpritja nuk është një slogan turistik. Dhe kur një mik vritet në derën tonë, pyetja është për të gjithë ne.
Çfarë po humbim dhe çfarë po fitojmë?/ZËRI
