
ROMË- Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni tha se kabineti i saj qeveritar është duke punuar për një ligj të ri që kapërcen vendimin e gjykatës që mund t’i bllokojë marrëveshjen prej miliona eurosh me Shqipërinë për emigrantët. Sipas saj, ata do të krijojnë një listë të re të vendeve të sigurta për emigrantët dhe do të përditësohet çdo 6 muaj dhe do të lejojë Gjykatën e Apelit të rishqyrtojë vendimet për transferimin e refugjatëve në Itali.
Qeveria italiane tha se ky vendim do të jetë në përputhje me ligjet e vendit dhe jo ato ndërkombëtare. Vendimi i saj vjen pasi të premten u vendos se 12 emigrantët që u sollën në vendin tonë të kthehen sërish në Itali, pasi ata vinin nga vende të pasigurta. Ky vendim hedh dyshime mbi ligjet që planifikon BE për të krijuar qendra të përpunimit dhe ndalimit të emigrantëve jashtë bllokut si pjesë e masave të reja për të frenuar emigracionin e jashtëligjshëm.
Javën e kaluar në portin e Shëngjinit u ankorua anija e Marinës italiane me 16 emigrantë, të cilët pasi përfunduan procedurat e identifikimit që zgjatën më shumë se 3 orë, u vendos që 4 prej tyre të kthehen sërish në Itali, pasi 2 ishin të kmitur ndërsa 2 të tjerët më probleme shëndetësore. Ndërsa, 12 të tjerët u kthyen pasi vinin nga vende të pasigurta. Emigrantët ishin nga Bangladëshi dhe Egjipti. por kthimi i tyre ishte një goditje ndaj Melonit, e cila u kritikua nga kundërshtarët e saj politikë, të cilët thanë se plani i saj “dështoi”.
Kjo ndodhi pasi gjyqtarët urdhëruan transferimin e tyre në Itali, duke përmendur sesi refugjatët mund të rrezikoheshin nga dhuna nëse riatdhesoheshin, duke mbajtur në fuqi vendimin e 4 tetorit të gjykatës evropiane të drejtësisë që qeveria italiane duket se e kishte anashkaluar. Si rregull i përgjithshëm, ligji i BE-së ka përparësi ndaj ligjeve kombëtare konfliktuale.
Gjykata e BE-së e bëri të qartë se një vend jo plotësisht i sigurt nuk mund të konsiderohet i sigurt, duke nënvizuar se gjendja e pasigurisë, edhe nëse kufizohet në një pjesë të caktuar të vendit, si një rajon i caktuar, mund të çojë në konsiderimin e të gjithë vendit të pasigurt. Mosmarrëveshja mes gjyqtarëve dhe qeverisë u përshkallëzua më tej të dielën kur Meloni publikoi pjesë në rrjetet sociale të një letre të dërguar nga një prokuror për një grup që përfshin gjyqtarë.
Në të, gjykatësi Marco Patarnello paralajmëroi se Meloni ishte “më e fortë dhe shumë më e rrezikshme” se ish-kryeministri Silvio Berlusconi, i cili u përball me probleme të shpeshta ligjore dhe që sulmonte në mënyrë të përsëritur gjyqësorin. Politikanët e krahut të djathtë thanë se letra vërtetonte njëanshmërinë ligjore kundër qeverisë.
Kritikët vunë në dukje megjithatë se Meloni nuk postoi pjesën tjetër të tekstit, në të cilin Patarnello shprehej “ne nuk duhet të përfshihemi në opozitë politike, por duhet të mbrojmë juridiksionin dhe të drejtën e qytetarëve për një gjyqësor të pavarur”. Të hënën, presidenti i sindikatës së gjyqësorit, Giuseppe Santalucia, tha se “ne nuk jemi kundër qeverisë, do të ishte absurde të mendohej se gjyqësori, një institucion i vendit, është kundër një institucioni të vendit si pushteti politik”. /ZËRI