LIVE UPDATES

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama: "Vija e kuqe" për kandidatët! "Blindohet" Tirana, socialistët që rikthehen në kryeqytet

➤Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste u mblodh këtë të shtunë për më shumë se 3 orë në Durrës, duke çelur zyrtarisht fushatën për garën brenda partisë. ➤Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, analizoi rezultatet zgjedhore të 2025-ës dhe zbuloi datat e rëndësishme për organizimin e PS-së. ➤Kryeministri Edi Rama u ndal te zgjedhjet e ardhshme vendore 2027, teksa zbuloi porositë për deputetët, duke theksuar se pret fitore të thellë. ➤Gjithashtu, Rama foli edhe tek çështje të tjera me rëndësi, teksa deklaroi se brenda këtij sesioni parlamentar do të çojnë para ligjin për referendum. ➤Kreu i qeverisë u ndal po ashtu edhe te procesi i integrimit, shërbimet në qarqe, si dhe la porosi për forcimin e organizimit në terren. ➤Gjatë mbledhjes janë komunikuar ndryshime në dretjuesit politikë në disa qarqe të vendit. ➤Rama largoi 4 emra: Benet Becin, Emirjana Sakon, Elisa Spiropalin dhe Eduart Shalsin. ➤Nuk u prekën nga ndryshimet: Arbjan Mazniku, Belinda Balluku, Mirela Kumbaro, Ervin Demo dhe Bledi Çuçi. ➤Taulant Balla është vendosur drejtues qarku në Tiranë, i cili do ta drejtojë kryeqytetin së bashku me Ogerta Manastirliun dhe Damian Gjiknurin.

14 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

“Gati për zgjedhjet brenda partisë”/ Klosi zbardh detajet nga mbledhja e Asamblesë e PS: Do fitojmë në çdo Bashki!

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
Blendi Klosi

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi konfirmoi se gjatë mbledhjes së Asamblesë janë marrë disa vendime të rëndësishme pas analizës për të gjithë qarqet. Klosi tha se u miratua plani i punës nga sot deri në 30 qershor, për zgjedhjet brenda PS-së. Më tej, ai shtoi se zgjedhjet do të mbahen në çdo organizatë socialiste, ku do të ketë 4 anëtarë të rinj si kusht.

“U miratuan disa vendime të rëndësishme pas analizës së detajuar të çdo qarku, ku u evidentuan problematikat. Miratuan edhe planin e punës deri në 30 qershor. Puna e organizatave, anëtarësime të reja, çdo organizatë e PS duhet të ketë 4 shtime të reja, me theks tek gratë dhe të rinjtë. Në Tiranë duhet të kemi një strukturë më të organizuar duke kuptuar që gjithmonë e më shumë rritet dhe ka numrin më të madh të votave socialiste dhe mundësitë për t’u shtuar. Në zgjedhje ne hyjmë për të fituar në të gjithë bashkitë, nuk kemi asnjë bashki ku nuk synojmë fitoren”, tha Klosi.

Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht sot përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke hapur një fazë të re organizimi dhe komunikimi në të gjithë vendin. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij nga Asambleja e PS paralajmëroi një proces zgjedhor me rezultate akoma më të mira në 2027-ën, se sa ato të fundit në 2025-ën. Rama theksoi se do të jetë proces i hapur dhe i fokusuar të qytetarët për të arritur rezultat./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

"E pafalshme që...", Rama kërkon ndryshim me çdo kusht në kryeqytet: Tiranën duhet ta ngremë më lart!

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
edi rama

DURRËS- Në përfundim të pjesës së parë të mbledhjes së Asamblesë së PS në Durrës, kryeministri u ndal tek 3 reflektime, sipas tij, të domosdoshme. Kreu i ekzekutivit theksoi se në Shqipëri nuk ka rënie të interesit për të votur, duke shtuar në marrin pjesë 80-85% e zgjedhësve në votime. 

Po ashtu, Rama bëri të ditur se shifra e grave në PS duhet të shkojë në 50 %. Ndërsa në fund, Rama nuk la pa theksuar ambicien se Tirana duhet të arrijë me çdo kusht në nivele më të larta.

“Në fund dua të bëj 3 reflektime, së pari është mirë t’i mësojmë njerëzit me një fakt të thjeshtë në Shqipëri nuk ka rënie të interesit për të votuar siç thonë humoristët e tenxhereve që shfaqen si analistë në darkë dhe pas mesnate pasi marrin parë dalin e pinë. Në Shqipëri marrin pjesë 80 % e zgjedhësve. Në totalin e vet shkon 85 %. Shqiptarët janë lojtarët më të jashtëzakonshëm të sportit të politikës. Janë të stërvitur me politikën dhe e kuptojnë mirë se kush është kush. Dhe tjetra shifra e grave në PS 34 % dhe kjo është e pafalshme dhe këtë nuk ja fal sekretarit të përgjithshëm të PS që e quajti arritje…Ne do ta çojmë në 50 % dhe kjo çohet duke mos e pranuar që nuk ka gra dhe duke i imponuar të njëjtin numër një organizate ku një burrë i suksesshëm me vota nuk pranon të ketë 50 % gra. Ne nuk mund të kemi ambicie për të qenë ata që duhet të jemi duke pasur 34 % gra, duhet ta kapërcejmë këtë shifër me çdo kusht. Dhe e fundit, është pjesa e fundit e tabelës së klasifikimit në rezultatet e PS. Tirana, Lezha Shkodra dhe Kukësi. Shkodra dhe Lezha kanë bërë një hov të jashtëzakonshëm nëse do kemi parasysh nga e nisëm. Tirana nuk mund të jetë aty, arsyet janë të ndryshme ka edhe një arsye të madhe që unë nuk dua t’i kthejmë sot por ne jemi PS e Shqipërisë dhe Tiranën duhet ta ngremë më lart se sa mesi i atij klasifikimi me çdo kusht”, tha ndër të tjera Rama. /ZËRI

2 MUAJ ME PARE

"Shqipëria do prodhojë zjarrfikëset dhe..."/ Rama rrit fuqinë e prefektëve: Do jenë 12 ''zëvendësministra të brendshëm' në territor

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
edi rama

DURRËS- Kryeministri Edi Rama njoftoi përgjegjësi dhe kompetenca shtesë për 12 prefektët e qarqeve të vendit. Rama deklaroi se prefektët do të kthehen në 'zëvendësministra të brendshëm' në territor, në mënyrë që të jenë edhe aktorë aktivë në zbatimin e politikave.

Po ashtu, kreu i qeverisë bëri me dije se do të shtohen kapacitetet e emergjencave civile dhe flota zjarrfikësve, duke prodhuar edhe makinat e inspektimeve në vend.

“Trendi i kthimeve ka nisur. Gjërat kanë nisur aq mirë, Berati është qyteti ku ka më shumë kthime se sa largime, jo sipas meje, por sipas disa studimeve të bashkuara. Në të gjitha pjesët  territorit trendët kanë nisur të ndryshojnë, sepse është e qartë, që Shqipëria është shumë e mirë, për ata që vënë më punë mendjen e tyre, dhe nuk është e mirë për ata që duan të rrinë në organizatën e molotovarëve. Perfektët do të marrin një fuqi tjetër, nuk do të rrinë ata që do rrinë vetëm të firmosin. Perfektët do jenë 12 zëvendësministra në territor, do jenë një ndryshim dhe mbështetje e madhe për qeverinë në territor. Po ashtu do të ndryshojmë emergjencat civile, do të shtojmë flotën e zjarrfikësve në Shqipëri. Jo vetëm zjarrfikëset, por të gjitha makinat e inspektimeve ne do i prodhojmë në Shqipëri, jo vetëm në vitin 2035, por kemi nisur porositjen që të tani”, tha Rama.

2 MUAJ ME PARE

Lokalet 2027/ Rama u tregon 'kushtin' socialistëve: Asnjë kryetar bashkie nuk rikandidohet pa 10 kontrata

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
edi rama

DURRËS- Kryeministri Edi Rama foli për gjedhjet vendore vitin e ardhshëm, teksa iu tregoi vijën e kuqe socialistëve. Rama e bëri të qartë se nuk do ketë asnjë kandidat që të marrë miratim për kryetar bashkie pa 10 kontrata të firmosura në kuadër të paketës së maleve dhe pa 3 ndërmarrje të përbashkëta. Ky është kushti sipas Ramës, për secilin kandidat që do të rikandidojë. 

“Nuk do të ketë asnjë kandidat për t’u rikandiduar si kryetar bashkie pa 10 kontrata të firmosura në kuadër të paketës së maleve dhe pa 3 ndërmarrje të përbashkëta të miratuara. Është e pamundur që kjo gjë të thuhet dhe stërthuhet dhe ndërkohë reforma territoriale i vendosi bashkive në qendër gjithë atë territor rural në dispozicion dhe ai territor shikohet vetëm për punët komunale. Ky është një kusht që të gjithë duhet ta mbajnë parasysh nëse duan të rikandidojnë përsëri”, tha Rama.

2 MUAJ ME PARE

"Nuk ka mërgatë qyqesh në Berlin e Bruksel që na ndal", Rama: Negociatat me BE i mbyllim brenda mandatit tonë!

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
edi rama

DURRËS- Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partia Socialiste se negociata me Bashkimin Europian do të mbyllet brenda mandatit të katërt. Rama theksoi se negociatat nuk janë ndalur për asnjë sekond. Kreu i qeverisë nënvizoi se Raporti i Komisionit Europina për Shqipërinë është i shkëlqyer, duke shtuar se 'nuk ka mërgatë qyqesh në Berlin e Bruksel që e ndal këtë rrugëtim'.

"Tjetra që është shumë e rëndësishme që ne duam ta komunikojmë me publikun, pasi nuk është vetëm një çështje teknike, ne e ngritëm çështjen e anëtarësimit në BE, në një çështje mes nesh dhe atyre që kishim nga mbrapa, që pretendonin se do na kapnin këmbët dhe do na rrëzonin. Është shumë e bukur se si është kthyer përmbys historia. Deri dje dilnin dhe thonin se kjo është imagjinare dhe nuk ka për të ndodhur kurrë dhe papritur para disa javës u hodhën të gjithë nëpër tenxhere, duke thënë se sa ishim te dera na i prishën.

Më ka bërë shumë përshtypje dhe është shumë gjynah që ata që i ofrohen publikut, me një pagë goxha të madhe në televizionet humoristike, pasi ata humoristët më të pazakontë që unë kam parë, sepse i thonë me shumë seriozitet ato që thonë. Këta bëjnë në parlament të kundërt, ndërkohë që 10 prej tyre duhet të çoheshin në këmbë dhe të thoshin do të dorëzohemi vetë sepse do shkojmë në BE. E thjeshta fare dhe e vërteta është që negociatat për BE nuk janë ndalur në asnjë sekondë. Raporti i Komisionit Europian për vendet anëtare është i shkëlqyer për Shqipërinë. Negociatat për BE ne do i mbyllim brenda mandatit tonë. Nuk ka mërgatë qyqesh në Bruksel që na ndal ne dhe Shqipërinë në këtë proces. Nuk ka më nga ata që ia grabitën Shqipërisë, gjënë më të shtrenjtë, kohën, t’ia grabisin akoma. Ndërkohë që në administratën tonë ka një armatë të tërë që punon çdo ditë për negociatat", tha Rama.

2 MUAJ ME PARE

"Kuvendi me 'shtëpi të re'"! Rama: Do ulet numri i deputetëve, ligjin për referendumet brenda këtij sesioni

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
edi rama

DURRËS- Kryeministri Rama nga Asambleja në Durrës është ndalur edhe te riorganizimi i Kuvendit të Shqipërisë. Kreu i qeverisë paralajmëroi sërish, duke rikujtuar iniciativën për uljen e numrit të deputetëve në Parlament.

“1,136 deputetë në 10 legjislatura, shqiptarët duan më pak deputetë”, tha Rama, duke shtuar se Kuvendi do të ketë “shtëpi të re” dhe burimet e nevojshme për funksionim.

"Disa reforma të rëndësishme për të cilat duhet të flasim me njerëzit në këtë proces që nisin nga sot deri në fund të prillit dhe më pas deri në fund të qershorit që konsolidohet me përfundimin e të gjithë zgjedhjeve në PS. Kemi folur për riorganizimin e Kuvendit të Shqipërisë, 10 legjislatura kanë hyrë e kanë dalë. Ne do ta zbresim numrin e deputetëve mendoj se për këtë jemi vonë. Por kemi të gjithë kohën e nevojshme të thërrasim shqiptarët në referendum ndaj duhet të çojmë para ligjin e munguar për referendumet. Ka edhe çështje të tjera që duhet t’i vendosim para shqiptarëve. Ligji i ri është i realizueshëm brenda këtij sesioni.Kuvendi i ka të pamjaftueshme burimet me të cilat funksionon. Kuvendi nuk ka as shtëpi. Ndoshta kjo do të kërkojë pak kohë, por është një punë që duhet bërë.", tha Rama./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

PS nis sot punën për zgjedhjet vendore 2027! Rama: Do kemi rezultat edhe më të mirë

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
edi rama

DURRËS- Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht sot përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke hapur një fazë të re organizimi dhe komunikimi në të gjithë vendin. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij nga Asambleja e PS paralajmëroi një proces zgjedhor me rezultate akoma më të mira në 2027-ën, se sa ato të fundit në 2025-ën. Rama theksoi se do të jetë proces i hapur dhe i fokusuar të qytetarët për të arritur rezultat.

“Jemi këtu për të nisur një proces, i cili është i kombinuar me komunikimin intensiv të PS në të gjithë territorin së bashku me angazhimin tërësor të PS, në funksion të zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Sot hyjmë në fazën tjetër të punës sonë për zgjedhjet e ardhshme, duke u nisur nga analizat e  bëra dhe forcat që do kemi kapacitetin në terren, kemi të gjitha mundësitë që të mendojmë se do të kemi një rezultat më të mirë. Do të jetë një proces i hapur me njerëzit, përtej guaskave të PS. Me njerëzit dhe për njerëzit do të thotë një përballje në të gjithë territorin për të vërtetat tonë, për punën në Shqipëri. Është shumë e rëndësishme që të adresojmë tema, që marrin drejtime të paditura, nga tenxheret e vlimit mediatike. Siç është drejtësia“, tha kryeministri Rama.

2 MUAJ ME PARE

Çmimi i naftës, Rama nga Asambleja e PS: Ulim akcizën 20% kur të kalojë 220 lekë/litri! Së shpejti Entiteti Shtetëror

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
edi rama

DURRËS- Në mbledhjen e Asamblesë së PS, kryeministri Edi Rama është ndalur të kriza e çmimit të naftës. Rama deklaroi se çmimi i naftës parashikohet të rritet, duke theksuar se nëse çmimi kalon vlerën 220 lekë do të ketë ulje me 20% të akcizës së karburantit. Kreu i qeverisë njoftoi formimin së shpejti të një Entiteti Shtetëror, i cili sipas tij do të monitorojë tregun me qëllim moslejimin e asnjë spekulimi me cmimet.

"Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje, për këtë ne kemi vendosur në lëvizje bordin e transparencës, çka e kemi përdorur siç e mbani mend edhe më parë, dhe po ashtu kemi marrë edhe një vendim që për çdo ditë kur çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve do ketë menjëherë ulje me 20% të akcizës së naftës. Deri tani nuk shikoj impakt në çmime të tjera, por fatmirësisht jemi në kushtet kur kemi një borxh dhe një deficit jo vetëm nën kontroll, por edhe goxha atë nivel që na mundëson që në momente të tilla të kemi edhe një hapësirë në dispozicion për të mos lënë vetëm askënd duke pasur parasysh në radhë të parë ata që kanë më shumë nevojë. Për të adresuar edhe një herë çdo diskutim legjitim dhe çdo propozim që vjen nga rrugë të ndryshme në mjedisin publik, ne këtu në këtë fazë që nuk e di askush sa do të zgjasë, në radhë të parë kemi në vëmendje pensionistët dhe nuk do të bëjmë asgjë që nuk do të shkojë për të siguruar ata së pari. Në fund të ditës, nëse çmimet impaktohen, pensionistët janë ata që e vuajnë më shumë se sa të tjerët impaktin mbi çmimet.

Nga ana tjetër kemi deklaruar më parë dhe tani jemi në një fazë të avancuar të formësimit të një entiteti shtetëror i cili do të ndërhyjë në tregun e naftës që do të krijohet së shpejti. Është duke u punuar për këtë dhe që do të marrë përsipër një veprimtari që do të shkojë nga garantimi i rezervës shtetërore, te monitorimi i vazhdueshëm i tregut dhe pa tjetër edhe te sigurimi i furnizimit për të mos lejuar asnjë spekulim me çmimet. Jemi në fund të një procesi që do të materializohet në 1 apo 2 muaj në vijim për të futur komponentët e rinj në monitorimin e tregut të naftës, që do të sjellë rezultate të shpejta edhe në aspektin e evazionit dhe kontrabandës së naftës, e cila vazhdon të jetë prezente në sektor. Njëri është produkti i kompanisë AlbTrace për një ngjyrim të një indikator komplet tjetër të naftës, dhe tjetri është një tjetër produkt i kompanisë AlbTrace për ndjekjen në kohë reale të gjithë qarkullimit të naftës tranzit",- tha Rama./ZËRI

/ZËRI

2 MUAJ ME PARE

E PLOTË/ PS riorganizon drejtuesit politikë, Tirana me përforcime: Nga Xhafaj te Spiropali, Balla dhe...Kush janë të 'paprekurit'

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
asambleja e ps

DURRËS- Në kuadër të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste që po zhvillohet sot në Durrës, kryeministri Edi Rama ka shpallur një seri ndryshimesh në drejtimin politik të qarqeve dhe strukturave të partisë në Tiranë. Lëvizjet e befasishme kanë prekur disa prej drejtuesve të qarqeve, ndërsa ditë tjerë kanë mbetur të paprekur.

Sipas ndryshimeve, Emirjana Sako ikën nga Durrësi, Benet Beci ikën nga Shkodra, ndërsa Eduard Shalsi ikën nga Kukësi dhe nuk do të jetë më drejtues qarku. Nga Lezha ikën Ulsi Manja dhe rikthehet në Dibër. Në Tiranë, Qarku i besohet Taulant Ballës, i cili ka mbajtur drejtuesin për diasporën. Ndërkohë, Manastirliu do të jetë drejtuese politike e PS në Bashkinë Tiranë.

Lista-Emrat e drejtuesve të qarqeve:

Qarku Tiranë - Taulant Balla

Qarku Durrës - Blendi Klosi (ikën Emirjana Sako)

Qarku Lezhë - Ermal Nufi (zëvendëson Ulsi Manjën)

Qarku Shkodër - Enea Karakaçi (ikën Benet Beci)

Qarku Dibër - Ulsi Manja (zëvendëson Blendi Klosin)

Qarku Kukës - Erjon Malaj (ikën Eduard Shalsi)

Të pandryshuar:

Qarku Gjirokastër - Mirela Kumbaro 

Qarku Korçë - Niko Peleshi

Qarku Elbasan - Arbjan Mazniku 

Qarku Berat - Ervin Demo 

Qarku Vlorë - Bledi Çuçi 

Qarku Fier - Belinda Balluku 

Ndërkohë, një vëmendje e madhe i është dhënë Tiranës, ku disa figurat të PS-së janë rikthyer në kryeqytet. Figura si: Fatmir Xhafaj, Erion Braçe, Eduard Shalsi, Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri, etj. 

Shpërndarja e deputetëve për Tiranën

Njësia 1- Lindita Nikolla

Njësia 3- Iris Luarasi dhe Edona Bilali

Njësia 4- Damian Gjiknuri dhe Blerina Gjylameti

Njësia 5- Erion Braçe, Taulant Balla dhe Fatmir Xhafaj

Njësia 6- Albana Koçiu, Endrit Yzeiraj, Megi Fino

Njësia 7- Sofan Jaupaj, Enkelejd Musabelliu

Njësia 8- Igli Hasani, Vilma Premti

Njësia 9- Ogerta Manastirliu, Olti Muzaka

Njësia 10- Besfort Lamallari

Njësia 11- Eduard Shalsi

Njësia 13- Elisa Spiropali dhe Anila Denaj/ZËRI

2 MUAJ ME PARE

"Riformatimi" i Partisë Socialiste, Klosi zbulon DATAT: Zgjedhjet në PS nga 21 marsi deri më 30 qershor

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
blendi klosi

DURRËS- Partia Socialiste ka nisur këtë të shtunë procesin e riorganizimit të strukturave të saj, deri më 30 qershor. Kështu ka njoftuar Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Asamblesë. Më tej, Klosi njoftoi datat për çdo proces, që do të shërbejnë për 'riformatimin' e partisë.

“Më 12 qershor kemi festën e 35 vjetorit të partisë. Zgjedhja e strukturave vendore do të zhvillohet nga 21 marsi deri më 30 qershor dhe kjo periudhë do të jetë e ndarë në disa segmente. Nga sot deri më 16 prill do të jetë njohja dhe analiza e çdo organizate. Nga 16 prilli deri më 13 maj do të mbahen zgjedhjet në organizatat socialiste dhe nga 16 maji më 12 qershor do të mbahen zgjedhjet e kryetarëve të partisë në bashki. Deri më 30 qershor do të bëhet konstitumi i organeve tona”, tha Klosi.

Datat e socialistëve:

Deri më 16 prill do të kryhet analiza e organizatave të PS-së

Nga 16 prilli deri më 13 maj: zgjedhjet në strukturat e partisë

13 maj-12 qershor: zgjedhjet e kryetarëve në bashki

12 qershor-30 qershor: konstituimi i detyrave lokale

Klosi vendosi objektivin e zgjerimit të Partisë Socialiste me 4 anëtarë të rinj, minimalisht për çdo Organizatë Socialiste, 2 djem dhe 2 vajza.

"Shtimi i anëtarësisë me minimalisht katër anëtarë të rinj, dy shoqe dhe dy shokë në çdo organizatë socialiste, me fokus padyshim te të rinjtë. Çdo anëtar i Asamblesë ka për detyrë të ketë një takim me 5 të rinj në çdo qendër në zonat rurale dhe mbi 10 në qendrat urbane.", tha Klosi. 

2 MUAJ ME PARE

"Jo vetëm fiton, por zgjeron peshën politike"! Klosi nga Asambleja në Durrës: PS forcohet, opozita dobësohet

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
blendi klosi

DURRËS- Ka nisur Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste në Durrës. Fjalën hapëse po e mban Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi. Gjatë fjalës së tij, Klosi theksoi se PS është një parti që ruan bërthamën elektorale, e cila ndër vite është forcuar dhe është rritur.

“Mandati i katërt kërkon më shumë përgjegjësi. Një parti që fiton katër herë radhazi duhet të jetë më e fortë më e qartë dhe më kërkuese. Ky prezanton nis me një të vërtetë të thjeshtë. PS ka marrë një fitore të plotë, me 53.3 % të votës kombëtare, me 83 mandate vijmë sot si forca qeverisëse. Rezultati kombëtar 2025, nuk është vetë rezultat matematikor por kontratë e rinovuar mes PS dhe shumicës së qytetarëve.

Çdo anëtar i forumit, dhe socialist i thjeshtë, duhet të jetë krenar i fitores së mandatit të katërt qeverisës. Fitorja jonë nuk është e zakonshme, por mesazh i qartë që shumica e qytetarëve ka zgjedhur stabilitetin dhe drejtimin politik të vendit nga Edi Rama dhe PS. Kjo kërkon përgjegjësi; një parti që fiton katër herë radhazi, s’mund të sillet si një parti që fiton për herë të parë. Ky prezantim fillon me një të vërtetë të thjeshtë. PS ka marrë një fitore të plotë, as të ngushtë dhe as të përkohshme. Më shumë se 855 mijë vota për PS janë një kontratë e rinovuar me qytetarët shqiptarë. PS jo vetëm ruan bërthamën e saj elektorale, por e kthen në shumicë qeverisëse.

Diaspora i jep PS 61% të votave dhe e bën këtë fitore më të fortë politikisht; PS forcohet, PD dobësohet. Ne nuk kemi fituar se ata kanë rënë, por sepse kemi qëndruar të bashkuar. Kjo lidhet me punën e këtij forumi”, u shpreh Klosi.

2 MUAJ ME PARE

Pas pak nis mbledhja e Asamblesë, mbërrin në Durrës kryeministri Rama (VIDEO)

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:

DURRËS- Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Gjiri i Lalëzit, ku pritet të zhvillohet mbledhja e Asamblesë së Partia Socialiste e Shqipërisë. Siç shihet edhe nga pamjet, kreu i qeverisë zbret nga automjeti dhe hyn në ambientet ku do të mbahet takimi, i cili pritet të nisë brenda pak minutash. Mbledhja e Asamblesë konsiderohet një nga forumet më të rëndësishme të partisë, ku diskutohen zhvillimet politike dhe vendimmarrjet kryesore.

/ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Në pritje të Asamblesë së PS-së, mbërrin Belinda Balluku

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
belinda balluku

DURRËS- Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do të mblidhet pas pak në Durrës. Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00 deri në 15:00. E pranishme do të jetë edhe Belinda Balluku, e cila është parë teksa hyn në godinë së bashku me Blendi Klosin. Kjo dalje e Ballukut, vjen pas votimin në Kuvend që rrëzoi kërkesën e SPAK për arretimin e ish-numrit të qeverisë./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Sot, Asambleja e PS-së në Durrës! Nga zgjedhjet brenda strukturave, tek ato vendoret në 2027-ën, çfarë pritet të ndodhë

Asambleja e PS-"Rifomatimi" i partisë e lokalet 2027, Rama:
edi rama-asambleja e ps

TIRANË- Këtë të shtunë, Asambleja e Partisë Socialiste do të zhvillojë mbledhjen e radhës në Durrës, ndërsa është zbuluar mësuar një pjesë e agjendës. Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 15:00. 

Sipas burimeve për mediat, fjala hapëse do të mbahet nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ndërsa më pas do t’i japë fjalën kryeministrit Edi Rama.

Kjo pjesë e mbledhjes do të zhvillohet me dyer të hapura, ndërsa më tej punimet do të vijojnë me dyer të mbyllura.

Në fokus të mbledhjes do të jenë:

-raportimet e drejtuesve të qarqeve për performancën në zonat përkatëse;

-një analizë e detajuar mbi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025;

-përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027, duke përcaktuar strategjinë dhe organizimin e strukturave në terren;

-diaspora dhe përfshirja aktive e tyre;

-çështja e drejtimit të qarqeve, ku pritet të vendoset nëse drejtuesit aktualë do të vijojnë në detyrë apo do të ketë ndryshime në strukturën drejtuese të partisë;

Asambleja e PS-së u njoftua në mbledhjet e qeverisë më 11 mars. Njoftimi erdhi përmes komunikimit zyrtar nga Sekretari  Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, i cili njoftoi drejtuesit dhe anëtarët e strukturave të Partisë Socialiste për datën dhe vendin e mbledhjes. Klosi njoftoi edhe kalendarin takimeve të partisë për këtë periudhë politike.

Kjo mbledhje vjen pas ndryshimeve të bëra në qeveri nga kryeministri Rama./ZËRI

Poll

MOS HUMB