“Emigrantët hanë qen e mace”/ Pas debatit me Harris, Trump akuza ndaj Gjermanisë, Berlini: Informohu!

UASHINGTON- BERLIN- Donald Trump pas debatit me Kamala Harris akuzoi rrjetin televiziv “ABC” se e zhvilloi të gjithë përballjen mes tyre në favor të zëvendëspresidentes Kamala Harris. Ai tha se ky ishte një debat ku ai u ndërpre dhe moderatorët u përpoqen të korrigjonin vetëm atë dhe asnjëherë Harris.
"Ishte një debat që u manipulua në favor të Harris. Gjithkush mundet ta kuptojë këtë, pasi moderatorët e “ABC” gjithmonë më ndërprisnin dhe më korrigjonin mua por asnjëherë atë,”- tha Trump për dy gazetarët e ABC që moderuan debatin mes dy kandidatëve për president.
Në të njëjtën kohë, kandidati republikan sulmoi yllin amerikan të muzikës pop Taylor Swift, e cila, dje publikisht njoftoi se do të votonte për Harris. Trump tha se Swift do ta “paguajë” për mbështetjen që po ofron ndaj rivales së tij demokrate.
"Unë nuk jam një fans i Taylor Swift. Ajo gjithmonë duket se mbështet demokratët dhe ndoshta do të paguajë çmimin për këtë në tregun muzikor,"- tha ai.
Po ashtu, gjatë debatit, ai akuzoi Gjermaninë se po përdor centrale bërthamore për të prodhuar energji gjë që po dëmton mjedisin. Madje gjatë debatit, ai tha se emigrantët që shkojnë në SHBA, enden rrugëve dhe hanë qenë dhe mace.
“Ju besoni në gjëra që populli amerikan nuk beson, ne nuk do të marrim lëndë djegëse fosile, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo. Gjermania e provoi këtë dhe brenda një viti vendi filloi të ndërtojë centrale bërthamore... Nuk mund ta sakrifikojmë vendin tonë për hir të një vizioni të keq. Ne jemi një komb i dështuar. Ne jemi një komb që po pësojmë një rënie serioze. E gjithë bota na tall, ata po qeshin me ne”, tha Trump gjatë debatit të tij.
Kjo deklaratë e tij ka ftohur marrëdhënien mes Berlinit dhe Trump, pasi Zyra e Marrëdhënieve Ndërkombëtare gjermane, iu përgjigj Trump duke thënë se ata po i mbyllin centralet bërthamore dhe së shpejti vendi do të varet në energjinë e rinovueshme. Madje me ironi, Berlini tha se në fakt ata nuk hanë mace dhe qen.
“Të pëlqen apo jo: sistemi energjetik i Gjermanisë është plotësisht funksional, me më shumë se 50% energji të rinovueshme. Dhe ne po i mbyllim nuk po ndërtojmë centrale bërthamore. Qymyri do të jetë jashtë përdorimit deri në vitin 2038. Shënim: Ne gjithashtu nuk hamë mace dhe qen,”- thuhet në postimin e Zyrës për Marrëdhëniet e Jashtme.
Pavarësisht akuzave dhe debateve të shumta, mediat ndërkombëtare e quajnë përballjen mes dy kandidatëve për president, si fitore të Harris. Pasi zëvendëspresidetja e mundi Trump në “shtëpinë” e tij. Gjatë debatit ai shfaqi agresion, fyerje dhe mungesë respekti, një situatë që ish-presidenti amerikan nuk është përballur kurrë më parë.
“Ajo e përdori përvojen saj si prokurore dhe e “vuri atë me shpatulla pas murit”. Kjo i solli fitoren”, shkruan “Sky News”.
Kamala Harris u kujdes që të mbante të njëjtin ton zëri që prej fillimit të debatit dhe deri në fund, gjë që askush se ka bërë më parë, duke e befasuar Trump.
Gzetari i New York Times, David Firestone e quajti debatin e mbrëmshëm si një sukses për Kamala Harris, i cili thekson se kandidatja demokrate arriti diçka që Joe Biden nuk e kishte arritur në fushatën e tij të dytë zgjedhore kundër Donald Trump: Të detyrojë manjatin republikan të justifikoj veten e tij. /ZËRI
Takimi "akull" mes Trump dhe Harris

SHBA- Disa orë pas debatit të shumëpërfolur të Donald Trump me Kamala Harris, të dy u përballën sërish. Takimi i radhës u zhvillua në ngjarjen përkujtimore për sulmin terrorist të 11 shtatorit në Nju Jork, madje duke shkëmbyer një shtrëngim duarsh po aq të ftohtë sa në nisjen e debatit. Takimi u zhvillua në Ground Zero, me të pranishëm presidentin në largim Joe Biden dhe ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Michael Bloomberg, të cilët u duk se ndërmjetësonin mes dy rivalëve politikë.
MOMENTI ME VIDEO:
FOTO- Kufje si vathë? Teoritë konspirative “ndezin” rrjetin, Harris akuzohet për mashtrim në debatin me Trump

UASHINGTON- Debati mes Trump dhe Harris padyshim është një nga më të përfolurit që do të mbahet mend gjatë në historinë amerikane, por është edhe një debat që ndezi teori konspirative. Sipas teorive, Harris gjatë gjithë debatit ka mbajtur në vesh kufje në formën e vathëve me perla. Sipas tyre, ajo mbante vathë audio Nova H1, të krijuar nga startup-i gjerman NOVA Products.
Vathët, sipas disa mediave amerikane, e transmetojnë tingullin nga brenda perlës drejt në kanalin e veshit. Gjithashtu ka dy mikrofona të vegjël të nivelit të lartë që janë të integruar në vathë duke i siguruar përdoruesit të dëgjojë qartë çfarë i komunikojnë si dhe anulojnë të gjitha zhurmat rreth tyre.
Të prezantuara në CES [Consumer Electronics Show] në Las Vegas, Nevada, në janar 2023, këto pajisje të lidhura me Bluetooth mund të transmetojnë qartë zërin dhe nuk e lejojnë shpërndarjen e tij.
“Çdo audio që ju transmetohet është absolutisht private; kështu që ju jeni i vetmi që mund të dëgjoni bisedat dhe muzikën tuaj”, thuhet në përshkrimin e produktit në faqen e Kickstarter.
Kjo teori ka ndezur menjëherë rrjetin, me mbështetësit republikan që e kanë akuzuar Kamala Harris si mashtruese dhe se nuk iu përmbajt rregullave të debatit. /ZËRI
Trump “bie me këmbët e tij”, bën gafën dhe akuzon rëndë demokraten: Ekzekutimi i fëmijës pas lindjes është abort

SHBA- Ishte raportuar përpara debatit se ndryshe nga zëvendëspresidentja Kamala Harris, Donald Trump iu nënshtrua përgatitjeve minimale për t'u përballur me kundërshtaren e tij. Rezultatet e kësaj u bënë të dukshme kur ish-presidenti, mbeti i tronditur nga performanca e Harris dhe gërmimet e saj personale. I vënë në një pozitë të vështirë nga Harris mund të themi se Trump “ra me këmbët e tij”, pasi ngatërresat dhe shumë akuza të rreme nuk munguan nga ai.
Shumë njerëz momentin kur ai flet për abortin e quajnë momentin kulmor kur Trump e humbi debatin. Deklaratat e tij të pavërteta dhe të rënda rreth abortit në muajin e nëntë u ndërprenë nga moderatori i debatit. Sipas tij, Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i zgjedhuri i Harris, "është dakord" me ekzekutimin e foshnjave pas lindjes raportojnë mediat amerikane.
Trump u pyet pse gratë duhet t'i besojnë atij për të drejtat riprodhuese duke pasur parasysh se sa shpesh ai e ka ndryshuar qëndrimin e tij për abortin. Ai e cilësoi përmbysjen e Roe kundër Wade si një lëvizje që u dha grave më shumë kontroll, jo më pak, sepse tani vendimet për abortin mund të merren në nivel shtetëror. Por ai gjithashtu u përpoq të kthente situatën duke akuzuar demokratët për politika ekstreme të abortit. Që në fakt bëri që ai të ngatërrohej me veten.
“Ata bëjnë abort në muajin e nëntë. Ata madje mund të shikoni guvernatorin e Virxhinias Perëndimore, guvernatorin e mëparshëm të Virxhinias Perëndimore, jo guvernatorin aktual që po bën një punë të shkëlqyer, por guvernatorin më parë, ai tha se fëmija do të lindë, dhe ne do të vendosim se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën. Me fjalë të tjera, ne do ta ekzekutojmë fëmijën. Zgjedhja e tij për nënpersident mendoj se ishte një zgjedhje e tmerrshme, ai thotë se aborti në muajin e nëntë është absolutisht i mirë. Ai gjithashtu thotë se ekzekutimi pas lindjes nuk është ekzekutim, por abort, edhe pse fëmija ka lindur.” tha Trump.
Gënjeshtrat që ai tha për abortin ishin aq të guximshme sa një nga moderatoret, Linsey Davis, e hodhi poshtë me vendosmëri.
"Nuk ka asnjë shtet në këtë vend ku është e ligjshme të vrasësh një foshnjë pas lindjes së tij. Nuk është e padëgjuar që republikanët të akuzojnë pa bazë demokratët se mbështesin vrasjen e foshnjave të porsalindura, por Trump duket se e ka tepruar me gafën" tha moderatorja./ ZËRI
Kamala Harris nuk kursehet ndaj Trump në debatin presidencial: Putin do t’ju hante për drekë!

SHBA- Kandidati republikan për president, Donald Trump dhe rivalja e tij demokrate, zëvendëspresidentja Kamala Harris, u përplasën vazhdimisht për Rusinë, liderin e Kremlinit, Vladimir Putin dhe luftën në Ukrainë, në debatin presidencial.
Harris i tha Trumpit se Putini “do të të hante për drekë” dhe tha se, nëse republikani do të ishte president, “Putini do të ishte ulur në Kiev tani”. Ajo gjithashtu akuzoi Trumpin se ishte gati të braktiste Ukrainën pas dy vitesh e gjysmë lufte.
“Kuptoni pse aleatët evropianë dhe aleatët tanë të NATO-s janë kaq mirënjohës që ju nuk jeni më president dhe që ne e kuptojmë rëndësinë e aleancës më të madhe ushtarake që bota ka njohur ndonjëherë, që është NATO,” tha Harris gjatë Debatit Presidencial sipas mediave vendase.
“Ajo që ne kemi bërë për të ndihmuar Zelenskyyn dhe ukrainasve për të luftuar për pavarësinë e tyre është ajo që ju nuk do të bënit. Nëse do të ishit President, Putini do të ishte ulur në Kiev me sytë nga pjesa tjetër e Evropës. Duke filluar me Poloninë”, tha ajo, përpara se ta përshkruante Putinin si “një diktator që do të hante për drekë”.
Trump hodhi poshtë komentet e Harris, duke pretenduar se lufta nuk do të kishte filluar nëse ai do të kishte qenë në pushtet në vitin 2022 dhe duke i thënë audiencës se Putin “do të ishte ulur në Moskë dhe nuk do të kishte humbur 300,000 burra dhe gra” në luftë./ ZËRI
ANALIZA E BBC- Përballja mes Trump dhe Harris, kush e fitoi debati e parë presidencial?
SHBA- Donald Trump dhe Kamala Harris u takuan për herë të parë në skenën e debatit presidencial në Filadelfia, të martën mbrëma. Edhe pse shkëmbyen një shtrëngim duarsh, tensioni midis tyre ishte i dukshëm.
Në një debat 90-minutësh, Harris e sfidoi vazhdimisht ish-presidentin me sulme personale, të cilat e vunë në pozitë të vështirë dhe e bënë të humbiste fokusin. Ajo e ngacmoi Trump-in për madhësinë e turmave në tubimet e tij, për sjelljen e tij gjatë trazirave në Kapitol dhe për ish-zyrtarët e administratës së tij që tani janë kundërshtarë të hapur të tij. Këto sulme e detyruan Trump-in të shpenzonte kohë duke mbrojtur veten dhe duke e humbur kontrollin e debatit.
Strategjia e Harris gjatë debatit ishte e qartë, ta detyronte Trump-in të justifikonte veprimet dhe deklaratat e tij të mëparshme. Ajo e bëri këtë duke ndërhyrë shpesh, duke ngritur zërin dhe duke tundur kokën. Gjatë një diskutimi për emigracionin, Harris sugjeroi që amerikanët të ndjekin një nga tubimet e Trump-it, duke shtuar se njerëzit largohen herët sepse janë të mërzitur dhe të lodhur. Kjo kritikë duket se e tronditi Trump-in, pasi ai kaloi një pjesë të mirë të kohës duke mbrojtur turmat e tij.
Debati u përqendrua më tej në çështje të ndryshme, si ekonomia dhe aborti. Harris kritikoi tarifat e Trump-it, duke i quajtur ato një "taksa Trump", dhe e sfidoi atë për projektin kontrovers "Projekti 2025", të cilin Trump u përpoq ta distanconte nga vetja. Në këtë mënyrë, ai humbi mundësinë për të sulmuar Harris për inflacionin dhe çmimet e larta të konsumit raporton BBC.
Në çështjen e abortit, Trump u përpoq të justifikonte trajtimin e tij të kësaj teme, duke pohuar se shumica e amerikanëve ishin të kënaqur me rrëzimin e mbrojtjes ligjore të abortit nga Gjykata e Lartë, një pretendim që nuk mbështetet nga sondazhet. Ndërkohë, Harris i bëri një thirrje emocionale grave që janë përballur me vështirësi gjatë shtatzënisë dhe nuk kanë pasur mundësinë të marrin kujdesin e nevojshëm për abort në shtetet ku kjo procedurë është ndaluar. Ajo përfundoi duke thënë se ndalimi i abortit nga Trump është "fyese për gratë e Amerikës."
Në përfundim, sondazhet e hershme dhe tregjet e basteve sugjeruan se Harris kishte dalë më mirë në debat, duke e vënë Trump-in në pozitë të vështirë gjatë gjithë mbrëmjes./ ZËRI
Mund të jetë debati i parë dhe i fundit/ Pikat kryesore të përballjes mes Harris dhe Trump

SHBA- Debati i parë mes kandidates demokrate për presidente Kamala Harris dhe rivalit të saj republikan Donald Trump u shoqërua me polemika luftarake mbi ekonominë, emigracionin, abortin, kujdesin shëndetësor dhe politikën e jashtme.
Nënpresidentja Harris, 59 vjeçe, kritikoi synimin e zotit Trump për të vendosur tarifa të larta ndaj mallrave të huaja, një propozim që ajo tha se do të ishte një taksë për klasën e mesme, ndërsa foli mbi planin e saj për të ofruar përfitime tatimore për familjet amerikane dhe bizneset e vogla.
“Donald Trump na la nivelin më të ulët të punësimit që nga Depresioni i Madh (rënia e madhe ekonomike në Shtetet e Bashkuara e viteve 1930)”, tha zonja Harris, duke iu referuar viteve të tij si president nga viti 2017 deri në vitin 2021. Niveli i papunësisë arriti kulmin në 14.8% në prill të vitit 2020 dhe ra në 6.4% kur ai u largua nga detyra.
Zoti Trump, 78 vjeç, kritikoi zonjën Harris për inflacionin e lartë gjatë mandatit të administratës së Presidentit Biden, megjithëse ai e mbivlerësoi nivelin e rritjes së çmimeve. Ai gjithashtu iu drejtua shpejt çështjes së tij kryesore, emigracionit, duke pretenduar përsëri pa prova se emigrantët nga "azilet e të çmendurve" po kalojnë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.
Inflacioni, tha ai, "ka qenë një katastrofë për njerëzit, për klasën e mesme dhe gjithë të tjerët."
Politika e Jashtme
Kandidatët gjithashtu shkëmbyen kritika për luftën mes Hamasit dhe Izraelit në Rripin e Gazës dhe agresionin rus në Ukrainë, megjithëse asnjëri nuk ofroi plane specifike për zgjidhjen e këtyre konflikteve.
Demokratja Harris akuzoi republikanin Trump se ishte i gatshëm të të tërhiqte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën për të fituar favorin e Presidentit rus Vladimir Putin, duke e quajtur zotin Trump një "turp", ndërsa zoti Trump pretendoi se zonja Harris "urren" Izraelin, një pohim që ajo e hodhi poshtë.
Zoti Trump kritikoi Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Harris për tërheqjen e pa organizuar të trupave amerikane nga Afganistani, duke thënë se ata lanë duart e talebanëve pajisje ushtarake amerikane me vlerë prej miliarda dollarësh.
Sulmet personale
Zoti Trump, i cili ka kaluar javë të tëra duke bërë sulme personale ndaj zonjës Harris, duke përfshirë fyerje raciste dhe seksiste, kryesisht shmangu fyerjet në fillim të debatit, por u bë gjithnjë e më i zëmëruar nga kritikat e zonjës Harris.
Zoti Trump u pyet nga moderatorët për një nga ato sulme, kur ai tha në një konferencë me gazetarë afrikano-amerikanë në korrik se zonja Harris së fundmi ishte "bërë një person me ngjyrë".
"Nuk më intereson aspak kjo çështje", tha ai. "Çfarëdo që ajo dëshiron të jetë është në rregull me mua."
Zonja Harris, me origjinë zezake dhe aziatike u përgjigj: "Unë mendoj se është një tragjedi që ne kemi dikë që dëshiron të jetë president, i cili vazhdimisht gjatë karrierës së tij është përpjekur të përdorë racën për të përçarë popullin amerikan".
Ajo kritikoi zotin Trump për shpalljen fajtor nga një juri për fshehjen e pagesave për një aktore e filmave pornografikë, si dhe paditë e tij të tjera dhe një gjyq civil për sulm seksual. Zoti Trump hodhi poshtë këto akuza dhe sërish akuzoi zonjën Harris dhe demokratët se kanë orkestruar të gjitha paditë ndaj tij pa prova.
Ish Presidenti Trump gjithashtu përsëriti pretendimin e tij të rremë se zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden, ishin manipuluar dhe e quajti zonjën Harris një "marksiste" dhe pohoi në mënyrë të rreme se migrantët kanë shkaktuar një rritje të madhe të krimit të dhunshëm në vend.
Ky mund të jetë debati i vetëm mes tyre në fushatën për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Debati mbahet tetë javë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, por vetëm disa ditë përpara fillimit të votimit të hershëm në disa nga 50 shtetet e vendit.
Debatet presidenciale nuk ndryshojnë domosdoshmërisht mendjet e votuesve, por ato mund të jenë shumë të rëndësishme. Paraqitja e dobët e zotit Biden në debatin me zotin Trump në qershor çoi në tërheqjen e tij nga gara për president më 21 korrik.
Debati, i organizuar nga kanali ABC, u mbajt në Qendrën Kombëtare të Kushtetutës në Filadelfia. Siç ishte rënë dakord nga drejtuesit e fushatave, nuk kishte audiencë të drejtpërdrejtë dhe mikrofonat e kandidatëve ishin të fikur në momentet kur kandidatët nuk e kishin radhën e tyre për të folur./VOA