Zhbllokohet shpejt sfida, Belgjika kalon në avantazh

GJERMANI- Djajtë e Kuq” të Belgjikës kanë arritur të zhbllokojnë herët sfidën ndaj Rumanisë, duke lënë pas krahëve gjithçka ndodhi në disfatën e parë të Euro 2024, ndaj Sllovakisë. Ishte Youri Tielemans, i cili me një goditje potente në hyrje të zonës dërgon topin në rrjetën e kundërshtarëve. Rezultati shkon në 1 me 0.
Pagoi 60 euro për të parë Poloninë, por...pa shtyllën!

GJERMANI- Një foto e një tifozi të ri është bërë virale në një ndeshje të Kampionatit Europian, Euro 2024. Danieli, 16 vjeç, donte shumë të shihte ndeshjen mes Polonisë dhe Austrisë dhe e gjeti. Për të pagoi 60 euro dhe mesa duket kjo shifër e ka pasur një arsye se përse ishte aq e ulët.
I riu shkoi për të parë ndeshjen në stadiumin olimpik në Berlin dhe fotoja e tij është virale.
JA PSE:
UEFA gjobit sërish kroatët, për gotat dhe flakadanët kanë lënë 115.875 euro

GJERMANI- Ka ardhur dënimi i dytë për Federatën e Futbollit të Kroacisë në Kampionatin Evropian. UEFA urdhëroi kroatët të paguajnë gjithsej 28 mijë euro për shkak të shpërthimeve të flakadanëve në ndeshjen me Shqipërinë. Për ndezjen e pishtarëve, Federata kroate do duhet të paguajë 17.500 euro, ndërsa për hedhjen e sendeve të forta në fushë, 10.500 euro.
Deri më tani nuk ka asnjë dënim për fyerjet raciste apo diskriminuese të tifozëve, edhe pse vetëm 2 ditë më parë UEFA njoftoi se kishte nisur procedimin disiplinor ndaj Kroacisë për thirrjen "Vriteni Serbin" në ndeshjen e Hamburgut.
Kroatët kanë paguar 87,875 euro për shkak të incidenteve të tifozëve në ndeshjen kundër Spanjës, pasi hodhën gota plastike dhe flakadanë në fushë. Këto sjellje të përsëritura të tifozëve u kanë kushtuar deri më tani 115,875 euro./ZËRI
VIDEO-Turqia i lehtëson punën për kualifikim Portugalisë, shënon autogol

GJERMANI- Sfida më interesante e ditës së sotme është padyshim ajo mes Turqisë dhe Portugalisë, dy skuadrave që luftojnë për të siguruar kryesimin në Grupin F të Euro 2024. Portugalia e ka nisur pjesën e parë në avantazh dhe një autogol i Turqisë, thelloi rezultatin 2 me 0 për portugezët.
/ZËRI
Sërish paqe në Euro 2024/ Mbyllet me barazim sfida Gjeorgji-Çeki

GJERMANI- Sfida e parë për sot është mbyllur me rezultatin 0-0. Pas aksioneve të shumta sulmuese, Çekia ka arritur të gjejë golin e barazimit përballë Gjeorgjisë. Të parët që shënuan ishin debutuesit me anë të Mikautadze, i cili ktheu në gol një penallti në minutat e fundit të shtesës në pjesën e parë.
Ndeshja ishte e vlefshme për grupin F, për të cilin më vonë do të luhet sfida mes Portugalisë dhe Turkisë. Këto të dyja kanë nga 3 pikë, teksa Gjeorgjia dhe Çekia ndajnë nga një pikë.
'Sa lekë do, hap gojën'/ Shqiptarët s'pranojnë "jo", marrin vetë situatën nën kontroll për të "mundur" Spanjën

GJERMANI- Për ndeshjen me Spanjën, kuqezinjtë do të duhet që të japin më shumë se 100% e tyre për të dalë me një fitore! Por edhe tifozët po i japin nga një "dorë" që t'ua bëjnë sfidën pak më të lehtë. Në rrjetet sociale ka nisur një trend i ri, ku tifozët i shkruajnë mesazhe në Instagram skuadrës së Spanjës, "Selecao", e i kërkojnë si favor që Shqipëria të fitojë. Disa e kërkojnë me mirësjellje, ndërsa të tjerë, janë të gatshëm "të paguajnë"...
DISA PREJ MESAZHEVE:
Madje, njëri prej tyre i ka shkruar kampionit 16-vjeçar Lamine Yamal: Të lutem mos shëno kundër Shqipërisë, do të të ndihmoj me detyrat, faleminderit!
Sigurisht që asnjë mesazh nuk ka marrë përgjigje, por me siguri kushdo që menaxhon Instagramin e skuadrës spanjolle, ka disa pikëpyetje./ZËRI
Italia 'sytë' nga Broja/ 'Sky Sport': Milani e ndoqi në Dortmund, prandaj nuk e mori Genoa

GJERMANI- E ardhmja e Armando Brojës mbetet tërësisht e hapur, pasi sulmuesi i kombëtares shqiptare pritet të largohet nga Chelsea këtë verë. Sulmuesi nuk ka vend te blutë dhe është në kërkim të një skuadre ku mund të luajë rregullisht.
Broja është dëshirë e të paktën katër klubeve vetëm në Serie A italiane, kështu u shpreh Gianluca Di Marzio, eksperti i merkatos në programin e tij për 'Sky Sport'. Di Marzio gjithashtu foli edhe për shifra, të cilat variojnë nga 25 deri në 30 milionë euro.
"Ai është një lojtar që i pëlqen shumë Milani, i cili e ka ndjekur për një kohë të gjatë, si dhe Genoa vitin e kaluar. Ai mund të kishte qenë një marrëveshje e mirë në atë kohë, por atëherë Chelsea bëri zgjedhje të tjera dhe ai më pas po largohej. një dëmtim Më në fund, Genoa nuk arriti të fitojë. Milani e ndoqi me skaut pikërisht në Dortmund, në ndeshjen e parë kundër Italisë. Një lojtar i fortë, shumë i vlerësuar në Itali, i cili ka të gjitha karakteristikat e nevojshme për të pasur sukses në kampionatin tonë. Duke qenë se Milani, Napoli, Roma dhe Bolonja po kërkojnë një qendërsulmues, kjo mund të jetë një marrëveshje e mirë. Por shifrat janë të larta, kërkesa është nga 25 deri në 30 milionë euro”,-tha Di Marzo.
Armando Broja është emri më i lakuar në merkaton e Chelseat. Sulmuesi i Kombëtares kërkohet nga Fulham, West Ham dhe Wolves, me Blutë që e vlerësojnë 60 milionë euro 22-vjeçarin shqiptar.
Hapi i radhës/ Pas Euro 2024, Yasir Asanin në La Liga, ja sa do të paguhet sulmuesi

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare do të largohet nga Gwangju pas përfundimit të “EURO 2024” dhe është gati për një rikthim në Europë, kësaj radhe në Spanjë. Jasir Asani ka arritur akordin personal me ekipin nga La Liga. Palët kanë rënë dakort për një kontratë 2 vjeçare dhe me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.
29-vjeçari do të përfitojë rreth 400 mijë euro në sezon në këtë aventurë të re që do të kalojë në Spanjë.
Ndërkohë sulmuesi shqiptar ka kontratë me Gwangju FC deri në dhjetor të këtij viti dhe nuk pritet që skuadraa koreane të bëhet pengesë për të, pasi është shansi i vetëm të përfitojë nga shitja e Asanit, në të kundër në dhjetor “mëngjarashi” do të largohej me parametra zero.
Euro 2024, arenë e rivaliteteve ballkanike

Derisa ekipet kombëtare të vendeve nga Ballkani që po garojnë në Kampionatin Evropian të futbollit në Gjermani nuk përballeshin mes vete në fushën e gjelbër, tifozët e tyre ishin në qendër të vëmendjes në javën e parë të turneut, duke shkaktuar incidente të ndryshme, që u ndëshkuan nga Federata Evropiane e Futbollit (UEFA).
Ditët e para të Euro 2024, që nisi më 14 qershor, u shënuan me disa incidente, në të cilat u përfshinë kryesisht tifozët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Shqipërisë dhe të Serbisë në veçanti, por edhe një futbollist dhe një gazetar i sportit. Por, shumica e incidenteve u përqendruan rreth Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh.
Çfarë ndodhi dhe kush u përfshi?
UEFA i ka gjobitur Shqipërinë dhe Serbinë për incidentet e shkaktuara nga tifozët e tyre, dhe është duke e hetuar Shqipërinë dhe sulmuesin e saj, Mirlind Daku, për incidente të tjera. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) u dënua me gjobë të përgjithshme prej 37.375 eurosh nga UEFA, për shkak të sjelljeve të tifozëve të saj në humbjen 2:1 kundër Italisë, në ndeshjen hapëse të Grupit B, më 15 qershor, në Dortmund.
Në një njoftim, më 19 qershor, UEFA tha se, ndër të tjera, e dënoi FSHF-në me 10.000 euro për shkak të “përçimit të mesazheve provokuese, të papërshtatshme për një ngjarje sportive”. Tifozët e Shqipërisë e shpalosën një baner me flamurin e vendit të tyre që zgjeron kufijtë brenda territorit të vendeve fqinje, gjatë asaj ndeshje dhe gjatë ndeshjes kundër Kroacisë, më 19 qershor. U raportua se ata shpalosën edhe një flamur me stemën e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Serbia, në anën tjetër, u gjobit me 10.000 euro, pasi Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i UEFA-s gjeti se tifozët e saj “përçuan mesazhe provokuese, të papërshtatshme për një ngjarje sportive”, si dhe me 4.500 euro për hedhjen e gjësendeve në fushë, në humbjen 1:0 kundër Anglisë, më 16 qershor, në Gelsenkirshen.
Para asaj ndeshjeje, shtatë tifozë serbë u arrestuan për shkak të një përleshjeje me tifozët anglezë, në qytetin perëndimor gjerman. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) bëri ankesë në UEFA për, siç ka thënë, shfaqjen e flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me “mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës”, gjatë ndeshjes Serbi-Angli.
Fotografitë nga turma e tifozëve serbë gjatë ndeshjes shfaqën një baner të flamurit kombëtar serb dhe të një harte, e cila përfshinte Kosovën brenda kufijve të Serbisë. Një grup i tifozëve serbë brohoritën “Kosova është zemra e Serbisë” në qendër të Munihut, ku ishin mbledhur para ndeshjes së ekipit të tyre kombëtar kundër Sllovenisë, më 20 qershor.
Federata serbe është gjobitur edhe në të kaluarën për shkak të Kosovës - edhe nga organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, pasi lojtarët serbë e kishin shfaqur në Kupën e Botës 2022 një flamur me një hartë, ku Kosova ishte paraqitur si pjesë e Serbisë. Ky flamur u pa në zhveshtoren e përfaqësueses serbe gjatë ndeshjes midis Brazilit dhe Serbisë, të zhvilluar më 24 nëntor 2022, në Katar.
Më 19 maj, UEFA ia hoqi akreditimin një gazetari kosovar për ndeshjet e Euro 2024, pas ankesave se ai bëri gjeste nacionaliste drejtuar tifozëve serbë, gjatë ndeshjes së Serbisë kundër Anglisë.
Federata serbe u ankua se gazetari Arlind Sadiku i provokoi tifozët serbë kur u kthye nga ta gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, dhe e bëri shqiponjën dykrenore me duart e tij. Ky gjest është imitim i shqiponjës në flamurin kombëtar shqiptar. Sadiku e pranoi se gjesti i tij ishte joprofesional për një gazetar, por argumentoi se nuk ishte “fyes ndaj askujt”.
Për çfarë tjetër po hetohet Shqipëria dhe futbollisti i saj kosovar, Daku?
UEFA njoftoi më 20 qershor se Komisioni i saj Disiplinor dhe i Etikës e ka emëruar një inspektor për ta kryer një hetim në lidhje me thirrjet e mundshme “raciste dhe, apo diskriminuese nga tifozët” gjatë barazimit mes Shqipërisë dhe Kroacisë, në Hamburg, një ditë më herët.
Tifozët e Kroacisë dhe ata të Shqipërisë dyshohen se brohoritën “vrisni, vrisni, vrisni serbët” gjatë ndeshjes mes kombëtareve të tyre në Hamburg, ndërsa Serbia kërcënoi se do të tërhiqet nga Euro 2024, nëse UEFA nuk i dënon federatën kroate dhe atë shqiptare. UEFA e nisi një hetim të ndarë, më 20 qershor, kundër sulmuesit të Shqipërisë, Mirlind Daku, për “sjellje të pahijshme” pas barazimit të kuqezinjve kundër Kroacisë, në Hamburg.
Daku, i lindur dhe i rritur në Kosovë, e përfaqësoi atdheun para se të vendoste t’i bashkohej Shqipërisë më 2023. Ai u kap në kamerë duke i nxitur tifozët me thirrje përçmuese për Maqedoninë e Veriut, pas barazimit të Shqipërisë 2:2 me Kroacinë.
Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut e dënoi sjelljen e Dakut, duke e cilësuar si “të papranueshme dhe skandaloze”. Në një postim në Facebook, një ditë më vonë, Daku kërkoi falje për sjelljen e tij.
“Falja është burrërore, dhe e ndiej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar”, shkroi Daku.
UEFA pritet të vendosë për Shqipërinë dhe Dakun, por nuk dihet nëse do ta bëjë këtë para ndeshjes së fundit të Shqipërisë në Grupin B, të hënën, kundër Spanjës. Daku rrezikon pezullimin, ndërsa kombëtarja kuqezi gjobë tjetër.
Kush tjetër u dënua?
Incidenti i vetëm në të cilin nuk u përfshi një ekip nga Ballkani ishte ai i ndeshjes hapëse mes organizatores së turneut, Gjermanisë, dhe Skocisë më 14 qershor. UEFA e dënoi Federatën e Futbollit të Skocisë me gjobë prej 5.625 eurosh, pasi tifozët e saj hodhën gjësende në fushë gjatë ndeshjes në Munih. Ndërkaq, futbollisti skocez, Ryan Porteous, u pezullua me dy ndeshje, pasi ishte përjashtuar me karton të kuq për një ndërhyrje të rrezikshme gjatë ndeshjes./REL
Euro2024/ Bajrami e di çfarë kërkon, apel shokëve të skuadrës: Spanja do na bëjë presion, s'duhen shpërdoruar golat

GJERMANI- Disa ditë para ndeshjes me Spanjën, Nedim Bajrami është i qartë në atë që kërkohet në fushën e blertë nga futbollistët kuqezi; të shënojnë! Në një konferencë me mediat e pranishme, Bajrami ka komentuar për ndeshjen, e cila me shumë gjasa do të jetë e fundit për Shqipërinë këtë "Euro2024". Në fjalën e tij, mesfushori u shpreh se është e pritshme që Spanja t'u bëjë presion për të shënuar, duke shtuar se nuk beson që do të ketë "dhurata" prej tyre për t'i dhënë Shqipërisë fitoren. Megjithatë theksin gjithë konferencën e tij për shtyp e vuri tek shpërdorimi i golave që kanë bërë në dy ndeshjet e fundit shokët e tij të skuadrës. Për Bajramin, këto gabime nuk duhet të përsëriten me Spanjën.
PRONONCIMI I PLOTË PARA GAZETARËVE:
- Ndeshja shumë e fortë kundër Spanjës, me sa shpresa shkojmë tek kjo ndeshje?
NB: Spanja është një skuadër favorite për të fituar Europianin. duhet të përgatitemi shumë mirë për atë ndeshje, çunat duhet që të jenë gati. Nuk ka rëndësi kush do luajë, kush futet, duhet të japim maksimumin. Ato raste që t'i kemi, të bëjmë gol.
- Mendon që në këto dy ndeshjet e para kemi patur të mbrohemi apo për të shënuar edhe më tepër gola?
NB: Besoj se me Italinë e patë vetë që e nisëm shumë mirë, por na shënoi dy gola. Edhe me Kroacinë e bëmë ndeshje të fortë. S'ka rëndësi kush do luajë nga Spanja, të gjithë kanë kualitet, ne duhet të fokusohemi tek kualiteti ynë.
-Për shumë specialistë Spanja është kundërshtari më i fortë në grup, sa e vështirëson kjo përballjen?
NB: Për mua është favorite për të fituar europianin. Normale që na duhet një fitore, por ai rast që na vjen në dorë duhet të bëjmë gol sepse nuk do të kemi aq shumë raste sa Spanja. Duhet të jemi më konkret para golit.
- Çfarë solli ndryshimi i pozicionit në ndeshjen me Kroacinë?
NB: Me Italinë luajta si mesfushor, me Kroacinë fola në krah, për mua nuk ka rëndësi, sepse gjithmonë jap maksimumin për skuadrën dhe ekipin.
- Në Shqipëri, themi që dhuratat i pranon edhe mbreti, jeni i përgatitur për një dhurata nga Spanja?
NB: Në futboll nuk ka dhurata.
- Për cilin pozicion po bëheni gati të hënën?
NB: Jam gati për të dyja pozitat. Në fund e vendos trajneri.
-Në ndeshjen me Kroacinë kishim disa kundërsulme, a është reflektuar në këtë pjesë që në ndeshjen me Spanjën që të godasim?
NB: Spanja do na bëjë shumë presion, duhet të jemi më konkret sepse rastet i kemi pasur, duhet t'i bëjmë golat.
- Do e kishe ndryshuar golin më të shpejtë në histori, me një gol në minutën e fundit?
NB: Më mirë e kisha dhënë golin e fundit me Italinë. Nuk e dija që hyra në histori, kështu që jam prapë i lumtur.
-Trajneri i Spanjës tha se do nxjerrë ekipin e dytë ndaj Shqipërisë, si është pritur kjo deklaratë tek ne?
NB: Jemi duke luajtur një europian me skuadra shumë të forta. Të gjithë lojtarët kanë kualitet. Edhe ata që do të luajnë duan të bindin trajnerin për minuta.
-Kaluan 2 ndeshje, është edhe e fundit, çfarë ndryshon në këtë ndeshje nga 2 të parat?
NB: Fazën defenzive e kemi bërë mirë, por në ofensivë duhet të jemi më konkret. Duhet të kërkojmë gjithmonë golin e dytë dhe të tretë. Në ato raste që kemi t'i bëjmë sa më mirë.
- Shqipëria do të mbyllet në portë, apo do të luajë për gol? Çfarë pret nga tifozët?
NB: Do na bëjë shumë presion Spanja, kundërsulm e dimë kualitetin që e kemi. Të gjithë tifozët kuqezi do na suportojnë.
- Ne kemi shënuar gola të rëndësishëm dhe të bukur, por jo spektakolar, është presioni i skuadrave që kemi përballë, apo Europiani?
NB: Presion çunat nuk kanë më se është ndeshja e tretë. Ne nuk jemi Spanja ose Franca që të kemi shumë raste. Si Shqipëri, që i kemi bërë Italisë dhe Kroacisë gola është arritje e madhe.
-Kush është fitorja që të ka mbetur në mendje?
NB: Besoj që të gjithë e dimë në ndeshjen me Serbinë, por nuk dua që të futem më shumë aty. Për mua, ndeshja që kam luajtur edhe vetë është ndeshja me Çekinë./ZËRI
Xhaka: Jemi zjarr para Gjermanisë

GJERMANI- Mesfushori i Zvicrës, Granit Xhaka ka folur në një konferencë për mediat në lidhje me ndeshjen e ardhshme me Gjermaninë. Xhaka tha se skuadra e tij është gati dhe se do e mundë Gjermaninë. Pas dy ndeshjeve të para në Grupin A, Zvicra është në kuotën e katër pikëve dhe në sfidën e tretë do të përballet me Gjermaninë. Prandaj kjo ndeshje është e rëndësishme, pasi në rast fitoreje përballë gjermanëve, atëherë Zvicra do të ngjitej në vendin e parë.
Granit Xhaka: Sigurisht që kemi respekt për gjermanët, por e sigurt është se nuk kemi aq respekt sa kishte Skocia për ta në ndeshjen e parë. Ata ja dhuruan topin gjermanëve, jemi të lumtur dhe jemi zjarr për ta fituar ndeshjen. Nuk dua të mendoj se tashmë i kemi arritur 1/8-tat. Ndaj Skocisë ditëm të reagonim mirë dhe në mbrojtje jemi treguar mjaft të vendosur./ZËRI
Euro 2024/ Caktohen arbitrat që gjykojnë sfidën Shqipëri - Spanjë

GJERMANI- Arbitrat suedezë do të gjykojnë ndeshjen Shqipëri – Spanjë. Në ndeshjen që do të luhet të hënën, në orën 21.00 mes Shqipërisë dhe Spanjës. Arbitri kryesor është Glen Nyberg, i cili do të asistohet me Mahbod Beigi, Andreas Soderqvist, Mykola Balakin, Christian Dingert.
Ndeshja do të luhet në stadiumin e Dusseldorf dhe është ndeshja e fundit e grupit B, ku kualifikimi i Shqipërisë ka shanse shumë afër 0./ZËRI
Euro 2024/ Tifozët serbë rrahin me shkelma dhe grushta të riun me ngjyrë

Një video e tifozëve serbë duke rrahur një njeri me ngjyrë në një stacion treni ka qarkulluar në rrjetet sociale orët e fundit. Në video shihen tre tifozë serbë duke goditur me grushte dhe shkelma të riun dhe duke e penguar atë të hipte në tren. Raportet thonë se incidenti ka ndodhur të enjten në Këln (Serbia po luante me Slloveninë) dhe sipas dëshmitarëve serbët jo vetëm e rrahën burrin, por edhe e pështynë.
Siç shihet dhe në video, i riu nuk dorëzohet dhe vijon të përleshet me ta, pavarësisht se është i vetem kundër tre burrave. Ai i godet me grushte, por sërish nuk arrin të hipë në tren. Kujtojmë se në ditët e para të Euro-s kishim incidente mes serbëve dhe anglezëve./ZËRI
Daku në telashe, vjen dënimi i parë pas thirrjeve kundër RMV-së, Rubin Kazan: Do marrim masa

TIRANË- Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku është në telashe. Ndërkohë që është në pritje të vendimit të UEFA-s për ngjarjen që u kthye në temë diskutimi, ku ai me megafon në dorë lëshon thirrje kundër Maqedonisë së Veriut pas ndeshjes me Kroacinë, klubi i tij Rubin Kazan në Rusi ka marrë masa. Raportohet se FC Rubin, ka bërë të ditur se do të ketë masë disiplinore dhe gjobë për futbollistin kuqezi.
Reagimi:
Sulmuesi Mirlind Daku ka kryer thirrje ofenduese pas ndeshjes së EURO 2024 të ekipit kombëtar të Shqipërisë ndaj Kroacisë. Klubi jonë merr përgjegjësinë për çfarë ka ndodhur. FC Rubin përfaqëson një ekip multinacional, dhe gjithmonë i përputhet parimeve të respektit dhe barazisë, duke dënuar në mënyrë kategorike çdo formë diskriminimi aspo fyerje në bazë kombëtare, fetare apo racore. Pas kthimit në ambientet e klubit, ndaj futbollistit do të aplikohen sanksione disiplinore dhe financiare. Një bisedë shpjeguese do të mbahet gjithashtu me lojtarin në klub, për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen./ZËRI
Mbappe kërkon 100 milionë euro nga PSG për paga dhe bonuse të papaguara

Kylian Mbappe është tashmë një lojtar i Real Madridit, por pavarësisht largimit të tij nga Paris Saint-Germain, marrëdhënia e tyre duket se po bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Francezi kishte akuzuar drejtuesit e klubit në deklaratat e tij më heret dhe dalëngadalë dalin në dritë gjithnjë e më shumë detaje rreth muajve të tij të vështirë në Paris.
Siç raporton Equipe, Mbappe do të marrë masa ligjore ndaj Paris Saint-Germain, duke kërkuar një dëmshpërblim të madh që arrin në 100 milionë euro! 25-vjeçari ankohet se Paris Saint-Germain e ka lënë të papaguar që në prill dhe nuk i ka paguar disa shpërblime të rëndësishme që i takojnë dhe pikërisht për këtë ka paralajmëruar zyrtarisht klubin që të shlyejë të gjitha borxhet./ZËRI
FOTOGALERI/ Ukraina 'fiton' Euro 2024 në... tribunë

Ukraina ka arritur fitoren e parë në Euro 2024. Ata fituan 2-1 kundër Sllovakisë dhe hynë në lojë kualifikuese për në fazën tjetër. Futbollistët ndërkombëtarë përfaqësojnë vendin e tyre që është në luftë me Rusinë dhe çdo fitore u dedikohet atyre që luftojnë në shtëpi. Pranë futbollistëve janë edhe shoqëruesit e tyre që kanë udhëtuar drejt Gjermanisë.








Në fakt, ato janë fotografuar të gjithë bashkë dhe e kanë postuar foton në rrjetet sociale. Daria Bondar, një modele nga Ukraina, e cila punon si gazetare për federatën dhe Shakhtar Donetsk kanë “vjedhur” vëmendjen. Mirëpo, në dy ndeshjet që ka luajtur skuadra, ukrainasit fitojnë... spektaklin në në tribunë./ZËRI