Euro 2024/ Holanda dhe Franca e mbyllin në paqe, skuadrat nuk gjejnë rrjetën

GJERMANI-Sfida e tretë për sot nuk pati asnjë gol të shënuar, të paktën të rregullt. “Tulipanët” e Holandës nuk shkuan më shumë se barazimi përballë “Gjelave”, të Francës, në “Red Bull Arena”, të Lajpcigut, në sfidën e vlefshme për xhiron e dytë të fazës së grupeve, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.
'Tulipanët' shënuan në pjesën e dytë, por në pozicion jashtë loje. Holanda ngjitet në vendin e parë të grupit D, me 4 pikë, po aq sa “Gjelat” francezë të vendit të dytë, por me një golavarazh më pozitiv se këta të fundit. Ndërkaq, në sfidën e fundit të fazës së grupeve, Holanda do të përballet me Austrinë, ndërsa francezët e Deschamps do të ndeshen me Poloninë.
Holandë-Francë pa gola/ “Tulipanët” gjejnë rrjetën, VAR-i i prish festën

GJERMANI- Holanda po përballet me Francën në Laipcig, takim i vlefshëm për Grupin D të Kampionatit Europian 2024. Ende asnjë nga skuadrat nuk ka shënuar, duke mbyllur pjesën e parë pa gola.
Edhe pjesa e dytë nuk po bën ndryshim, edhe pse 'Tulipanët', po kërkojnë me vendosmëri avantazhin. Menja devijoi një gjuajtje drejt portës, ndërsa më pas është Çavi Simons i cili gjuan duke shënuar golin për holandezët. Por festa kthehet në dëshpërim pasi vijërojtësi sinjalizon Dumfris në pozicion jashtë loje duke penguar ndërhyrjen e Menja dhe VAR-i jep të drejtë.
Materiali nga NASA dhe çmimi marramendës, maska speciale e Kilian Mbappe

GJERMANI-Kylian Mbappe bëri debutimin e tij në Euro 2024 pa shënuar gol dhe me hundë të thyer, diçka që do i sjellë atij nevojën që të luajë me një maskë për ta mbrojtur hundën në vazhdim të garës, diçka për të cilën padyshim do të nevojitet sa më parë operimi.
“Është material i NASA-s, për të ndërtuar raketa”
Maskat nuk janë diçka e re për ortopedin e njohur spanjoll Juan Bravo, i cili merret me këtë profesion që nga viti 1994. Ai kishte ndërtuar një maskë të njëjtë për Raul Albiol në 2011 pasi theu nofullën ndërsa vëmendjen e merr materiali që përdoret për ndërtimin e saj.
Ka dy opsione të materialeve: termoplastike (një plastikë e ngurtë e cila bëhet e formueshme në temperatura të larta) dhe me fibër karboni. Opsioni i dytë është padyshim më i miri, por gjithashtu më i shtrenjti. Ofron rezistencë të fortë dhe mbrojtje e cila i pamundëson atij kontaktin me hundën.
Maska krijohet me fibër karboni dhe më pas modelohet, prehet dhe lëmohet, madje edhe dekorohet nëse klienti dëshiron. Dizajni merr parasysh lëndimin: maska mbështetet në zonat e shëndetshme të fytyrës, ndërsa në zonën e dëmtuar lihet një zbrazëti në mënyrë që të mos i nënshtrohet goditjeve. Një proces i mekanizuar, por në të njëjtën kohë shumë artizanal, në të cilin ka ndikim të madh Pablo Cortes Escobar, teknik ortopedik prej gati 40 vitesh. Nëse ka nevojë të kryhet shpejtë, mund të jetë gati për 24 orë, megjithëse çmimi është i nivelit elitar: 1200 euro.
Pavarësisht se maska e Mbappe është bërë virale, ylli i Francës nuk do të lejohet të zbresë në fushë me të. Kjo pasi, rregullat e UEFA-s përcaktojnë se futbollistët lejohen të mbajnë maskë me vetëm një ngjyrë, përveç rasteve kur bëhet një përjashtim i veçantë.
Austria lë me 0 pikë Poloninë, fiton bindshëm me tre gola

GJERMANI- Në "Olimpiastadion" Austria fitoi 1-3 kundër Polonisë, duke i shkaktuar polakëve humbjen e dytë në kaq ndeshje. Sfida nisi mjaft mirë për skuadrën e Rangnick, që kaloi në avantazh që në minutën e 9’ me Trauner, por barazimi erdhi vetëm në minutën e 30’ nga Piatek.
Pjesa e dytë foli vetëm për austriakët, të cilët kaluan sërish në avantazh me Baumgartner në minutën e 66’ të takimit, ndërsa Arnautovic ktheu në gol një 11-metërsh në minutën e 78’.
REZULTATI:
POLONI 1-3 AUSTRI
Piatek 30′ / Trauner 9′, Baumgartner 66′, Arnautovic (P) 78′
Fale këtij rezultati, Austria mbetet në vendin e 3-të, por kësaj here me tre pikë, teksa ka goxha mundësi për të kaluar në raundin tjetër të Kampionatit Evropian, ndërsa komplet e kundërta është për Poloninë, e cila ndodhet në vendin e fundit me 0 pikë. Sa i përket sfidave të fundit, të fazës së grupeve, Austria do të përballet me Holandën, ndërsa Polonia me Francën.
Poloni-Austri/ Austriakët kalojnë në avantazh, u mjaftojnë 9 minuta

GJERMANI-Polonia dhe Austria përballen me njëra-tjetrën në Berlin për të marrë pikët e para në Grupin D. Austriakët kanë kaluar në avantazh, me golin e shënuar në minutat e para të sfidës nga Trauner.
Polakët vijnë pas një humbje me Holandën në ndeshjen e parë, në të cilën performuan mirë, por pa mundur të merrnin pikë. E njëjta gjë vlen dhe për austriakët, të cilët i vunë në vështirësi francezët, por një autogol i kushtoi pikët.
Ukraina përmbys rezultatin me Slloveninë, shpresë për kualifikim

GJERMANI-Ukraina ka treguar “dhëmbët” në përballjen e dytë të këtij Kampionati Evropian të futbollit, teksa kanë përmbysur gjithçka ndaj Sllovakisë. Sllovenët ishin të parët që shënuan, por nuk vonoi shumë dhe ukrainasit përveçse barazuan, gjetën dhe golin e avantazhit.
Një aksion i djemve të Rebrov është finalizuar më së miri nga “bomberi’ i Valencia, Roman Yaremchuk, i cili me një godijte të lehtë mposht portierin Dubravka. Avantazh tepër i rëndësishëm për kombëtaren e Sllovakisë, që ka hedhur një hap drejt fitores së dytë dhe sigurimit të një bilete në 16 ekipet më të mira në Gjermania 2024.
Rezultati
Sllovaki 1-2 Ukrainë
Schranz 17′ / Shaparenko 54′, Yaremchuk 80′
/ZËRI
'Do të hedh në fushë një skuadër të fortë', De La Fuente: Ndaj Shqipërisë, me lojtarë të stolit

GJERMANI- Spanja do të luajë ndaj Shqipërisë me një ekip të fortë. Kështu është shprehur trajneri Luis De la Funte në një deklaratë për shtyp. Trajneri i Spanjës, tha se do t’i japë mundësinë lojtarëve të stolit të luajnë me Shqipërinë, por duke kërkuar maksimumin.
“Do t’i jap mundësinë disa lojtarëve të tjerë që nuk janë aktivizuar të tregojnë që janë aq të zotë sa ata që po luajnë. Do të përpiqemi t’i lemë pushim dhe t’i japim hakun atij që e tregon edhe në stërvitje. Por do të hedhim në fushë një skuadër shumë fortë dhe të niveli të lartë,"- u shpreh ai.
Ndeshja Shqipëri – Spanjë do të luhet të hënën në orën 21:00 në Dyseldorf. Kuqezinjtë kanë një pikë në vendin e tretë dhe në ndeshjen e fundit përballen me Spanjën, e cila tashmë e ka siguruar kualifikimin tutje nga pozita e parë në grup pas fitores ndaj Italisë. Një fitore e mundshme e kuqezinjve do t’i çonte ata në kuotën e katër pikëve, mjaftueshëm për t’u kualifikuar./ZËRI
Arbër Hoxha para sfidës me Spanjën: Përballë kemi 'përbindësh', të arrijmë kualifkimin historik

GJERMANI-Kuqezinjtë po përgatiten për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, do të tentojnë që të bëjnë mrekullinë përballë Spanjës. Sulmuesi Arbër Hoxha në një dalje për shtyp ka folur rreth sfidës me Spanjën, e cila do të vendosë përfundimisht fatin e Kombëtares “kuqezi”, në këtë rrugëtim. Hoxha është shprehur se ka dhënë maksimumin në fushë në ndeshjet e para atë kundër Italisë dhe Kroacisë, dhe shprehet se me Spanjën ekipi duhet të bëjë historinë.
Sa i përket ndeshjes me Kroacinë, Hoxha u shpreh se u fut për të ndihmuar skuadrën dhe ekipi sipas tij pati mundësi shënimi, por nuk arritën ta shfrytëzonin.
Hoxha: Aq sa ka minuta do të jap maksimumin për Kombëtaren. Mendoj që në ndeshjen e dytë kemi luajtur shumë më mirë se ndaj Italisë. Shënuam, pësuam, por nuk u dorëzuam. Tashmë e kemi harruar atë ndeshje dhe jemi fokusuar te përballja e radhës, ndaj Spanjës. Të gjithë e dimë, që Spanja ka një grup të jashtëzakonshëm. Pamë ndeshjen, dje, ndaj Italisë dhe ishin të shkëlqyer. Ne na mbetet veçse të përgatitemi mirë dhe të arrijmë një kualifkimin historik, përballë tyre, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Duke e marrë parasysh që ndaj Kroacisë luajtëm mjaft mirë, me shumë raste shënimi, besoj se do të futemi ndaj Spanjës për të fituar, pasi vetëm ai rezultat na siguron kaulifkimin. Kur hyra në fushë ndaj u futa për të ndihmuar skuadrën, krijuam rastin e dytë që e shënuam, patëm sërish mundësi shënimi, por nuk arritëm ta shfrytëzonim. Mund të kishim arritur një fitore të madhe ndaj Kroacisë, mirëpo fati nuk deshi dhe u ndalëm në barazimin, 2 me 2, duke lënë çdo gjë të hapur për kualifikimin, në sfidën ndaj Spanjës dhe duke parë që përballë kemi një “përbindësh”, si “iberikët’.
Kam dy shokë tek Kroacia më uruan për paraqitjen time që e pata. Kur ti shikon dy ndeshjet e para të Spanjës e sheh që kanë bërë dy ndeshje të shkëlqyera kundër Kroacisë dhe Italisë, dhe mendoj se janë një nga skuadrat më të mira në grupin tonë. Kështu që duhet të përgatitemi shumë këto tre ditë për këtë sfidë kaq të rëndësishme. Ka qenën një ndeshje e mirë kundër Betisit dhe për këtë ne u kualifikuam në raundin tjetër. Ishte ndeshje e bukur dhe fantastike. Mendoj se ka shumë lojtarë të mirë tek Spanja, por një nga ata janë Rodri dhe Uilliam. Sa i përket 11-shes së parë i vendos trajneri, por sado minuta të marr, do të bëj maksimumin. Duhet të jemi 100% në ndeshje, kanë qejf të kenë posedimin e topit. Prej ndeshjes në ndeshje kemi qenë më mirë, kemi sulmuar dhe krijuar më shumë me Kroacinë, shpresojmë të bëjmë edhe më mirë me Spanjën. Duke marrë parasysh transferimin tek Dinamo, kam pasur një rritje, Europiani është qershia mbi tortë. Gjatë kësaj periudhe se kam menduar shumë, kemi siguruar Europën, jam i fokusuar tek klubi dhe Kombëtarja. Kroacinë e preferoj të kualifikohet para Italisë.
Kuqezinjtë kanë një pikë në vendin e tretë dhe në ndeshjen e fundit përballen me Spanjën, e cila tashmë e ka siguruar kualifikimin tutje nga pozita e parë në grup pas fitores ndaj Italisë. Një fitore e mundshme e kuqezinjve do t’i çonte ata në kuotën e katër pikëve, mjaftueshëm për t’u kualifikuar. Në rastin e një barazimi, e vetmja gjë që do t’i duhet Shqipërisë është disfata ose humbja e Kroacisë përballë Italisë.
Sot superpërballja mes Francës dhe Holandës, Mbappe në fushë që nga minuta e parë

GJERMANI- Dita e sotme e Euro 2024, rezervon 3 përballje interesante, ku më e shumëpritura do të jetë ajo e mbrëmjes, mes Holandës dhe Francës. Dy përballjet e tjera janë Sllovaki-Ukrainë dhe Poloni-Austri.
Francezët janë gati për ndeshjen e sotme, ndërsa kapiteni Kylian Mbappe pritet që të zbresë në fushë që nga minuta e parë, pavarësisht dëmtimit që pësoi në hundë, në ndeshjen e kaluar përballë Kroacisë.
Mbape u përplas me futbollistin austriak Kevin Danso. Holanda është ekipi që kapiteni i Francës i ka shënuar më shumë, ndërsa e ka tundur rrjetën gjashtë herë në pesë sfida të luajtura.
‘Gjelat’ i fituan dy përballjet e fundit me ‘tulipanët’ në kualifikueset e Euro 2024, në shtëpi 4-0 dhe në transfertë 2-1.
Por në këtë përballje, Holanda do të kërkojë fitoren e katërt radhazi, përfshirë edhe miqësoret. Në tetë sfidat e fundit, humbja e vetme ka qenë në Mars në miqësoren ndaj Gjermanisë 2-1.
Në ndeshjet direkte mes të dyja ekipeve, Franca ka fituar shtatë nga tetë përballjet kundër Holandës, edhe pse ‘tulipanët’ kanë triumfuar në dy takimet e tyre në fazën finale te europianit, përfshirë suksesin 4-1 në fazën e grupeve në 2008.
VD- Të hënën shansi i fundit, si e ndoqën futbollistët e komëtares ndeshjen mes Spanjës dhe Italisë
GJERMANI- Djemtë e Kombëtares Shqiptare të Futbollit, kanë ndjekur dje të gjithë së bashku ndeshjen mes Italisë dhe Spanjës, e vlefshme për grupin B, ku bën pjesë dhe ekipi i kuqezinjve. Siç shihet dhe nga pamjet e mëposhtme, tensioni është i dukshëm në kampin e kuqezinjve, të cilët në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, do të tentojnë që të bëjnë mrekullinë përballë Spanjës. Kombëtarja iberike dominoi totalisht përballjen me Italinë, duke marrë një fitore minimale me një autogol, e cila i dha mundësinë e sigurimit të kualifikimit për në fazën tjetër.
E rëndë në Itali, grabitësit marrin peng familjen e Roberto Baggio-s, godasin me armë ish-fituesin e Topit të Artë

ITALI- Ka qenë një natë ferri ajo e mbrëmjes së djeshme, për Roberto Baggio-n dhe familjen e tij. Ish-fituesi i Topit të Artë ka qenë viktimë e një grabitje të dhunshme mbrëmjen e djeshme, teksa ka qenë duke ndjekur ndeshjen mes Italisë dhe Spanjës, e vlefshme për fazën e grupeve të Euro 2024, që këtë vit është duke u zhvilluar në Gjermani.
Makthi për 57-vjeçarin filloi rreth orës 22:00 kur një bandë prej të paktën pesë personash, të gjithë të armatosur hynë në vilën e futbollistit në Altavilla Vicentina.
Sipas Corriere dello Spo grabitësit kanë hyrë në shtëpi dhe Baggio ka tentuar të përballet duke u përleshur fizikisht me njërin prej tyre. Pas një përleshjeje shumë të shkurtër, grabitësi e ka goditur sulmuesin legjendar të Italisë me pjesën e pasme të armës në ballë, duke i shkaktuar një plagë të thellë, ndërsa më pas Baggio dhe anëtarët e tjerë të familjes janë mbajtur peng në një dhomë për 40 minuta.
Gjatë kësaj kohe kriminelët kanë kthyer përmbys çdo dhomë, duke vjedhur orë, bizhuteri dhe para, por ende nuk është përcaktuar vlera e sendeve të vjedhura.
Kur futbollisti kuptoi se grabitësit ishin larguar, ka thyer derën dhe ka lajmëruar policinë. Karabinierët kanë ndërhynë me shpejtësi pasi kanë dëgjuar denoncimin e Baggios dhe familjes së tij, ndërsa prokuroria ka nisur një hetim duke sekuestruar të gjitha pamjet e vëzhgimit me video.
Baggio është dërguar në urgjencën e Arzignano, ku u trajtua nga mjekët dhe ka dalë prej andej me disa qepje në ballë. Për anëtarët e tjerë të familjes kishte vetëm gjendje frike dhe paniku, por askush nuk është lënduar. /ZËRI
Shpresë për Shqipërinë, Spanja siguron kualifikimin në grupin B, vjen e relaksuar përballë kuqezinjve

GJERMANI- Italia humbet ndaj Spanjës, me Calafiori-n që u dhuroi fitoren dhe kualifikimin iberikëve. Skuadra e Luis De La Fuente-s triumfoi 1-0 në Gelsenkirchen ndaj kampionëve të Europës në sfidën e dytë të Grupit B.
Ndeshja e mbrëmjes së djeshme u dominua tërësisht nga spanjollët, të cilët diktuan ritmin dhe kërcënuan vazhdimisht portën e Donnarumma-s, teksa në krahun tjetër, Unai Simon ishte me statusin e një tifozi pa biletë.
Sfida nisi me intensitetin e lartë nga Spanja dhe me Italinë që mendoj vetëm për mbrojtjen. Iberikët kërcënuan vetëm pas dy minutash lojë me Pedrin, por Donnarumma reagoi mjaft mirë. Pas tetë minutash, Morata i shkoi pranë golit sërish, por Donnarumma ishte përsëri i gatshëm, ashtu si në minutën e 25-të ku portieri i PSG-së fluturoi për të mbajtur portën e paprekur në goditjen e Fabian Ruiz.
Pjesa e dytë nisi përsëri me ritmin e duhur nga Spanja dhe si të mos mjaftonte dominimi i skuadrës së De La Fuente-s, Calafiori gaboi duke shënuar në portën e tij, një autogol që i dhuroi avantazhin Spanjës në minutën e 55-të.
Moment që ndryshoi disi ritmin e ndeshjes, me Spalleti-n që freskoi skuadrën, por sërish gjetja e portës së Unai Simon rezultoi mision i pamundur. Në minutat e fundit Italia provoi me të gjitha forcat, por nuk ia doli, teksa edhe tensioni nuk mungoi, ndërsa Donnarumma ishte i pakalueshëm në dy goditjet e Ayoze Perez.
Me këtë sukses, Spanja kualifikohet pasi tani numëron gjashtë pikë, e në krahun tjetër Italia mbetet në kuotën e tri pikëve dhe vendi i dytë është totalisht i hapur, me Spanjën që në ndeshjen e fundit do të luajë ndaj Shqipërisë dhe Italia do të masë forcat me Kroacinë.
Kjo fitore e sjell Spanjën më të relaksuar në ndeshjen me Shqipërinë, e cila do të luhet ditën e hënë, në datën 24 Qershor. /ZËRI
Telashe të reja për Mbappe, UEFA nuk e lejon që të luajë me maskën që ka zgjedhur

GJERMANI- Stafi mjekësor i Francës po bën gjithçka që është e mundur për të vënë Kylian Mbappe nën urdhrat e Didier Deschamps në ndeshjen e sotme përballë Holandës, e cila do të luhet në orën 21:00 në mbrëmje.
Edhe pse hunda e tij u thye dhe u la në gjak pas përplasjes me një nga mbrojtësit e Asutrisë në ndeshjen e parë në grup, Mbappe ia ka dalë të shmangë operimin dhe pasditen e djeshme u stërvit me shokët, duke përdorur një maskë.
“Mbappé u stërvit dje dhe sot, kështu që do të shohim dhe do të bëjmë gjithçka me stafin mjekësor që ta kemi atë në dispozicion për nesër. Si të gjithë lojtarët ai dëshiron të jetë në fushë. Ai pati një dëmtim të rëndë, por hunda e tij nuk është aq delikate sa kyçet e këmbës apo gjunjët. Mbappé është më mirë, ne do të vendosim nesër nëse ai mund të luajë. Gjithçka po shkon në drejtimin e duhur pas goditjes që mori dhe pasojave që pati. Gjithçka duket se po evoluon në një drejtim pozitiv, por le të shohim”, tha tekniku Deschamps.
Në prag të ndeshjes ndaj Holandës në Leipzig, vendimtare për kryesimin e grupit D të Euro 2024, sulmuesi i Real Madridit ka përdorur një maskë mbrojtëse trikolore, me ngjyrat e flamurit francez, simbolin e “Gjelave” dhe inicialet e tij të shkruara në të.
Fotot e Mbappe nga stërvitja e Francës kanë bërë xhiron e rrjetit, pasi sulmuesi tashmë ngjan pothuajse si personazhi me të cilin është krahasuar për pamjen fizike, breshka-ninxha e filmave të animuar, me emrin Donatello.
Pavarësisht se maska e Mbappe është bërë virale, ylli i Francës nuk do të lejohet të zbresë në fushë me të. Kjo pasi, rregullat e UEFA-s përcaktojnë se futbollistët lejohen të mbajnë maskë me vetëm një ngjyrë, përveç rasteve kur bëhet një përjashtim i veçantë.
“Pajisjet mjekësore të veshura në fushën e lojës duhet të jenë një ngjyrë dhe pa identifikimin e ekipit dhe prodhuesit”, thuhet në një pjesë të rregullores së UEFA-s.