VD- Makina me pankartë “rroftë Amerika” para SPAK, mbështetësit e Berishës e grisin

TIRANË- Përkrahësit e ish-kryeministrit u mblodhën sot në SPAK, gjatë kohës kur brenda godinës ndodhej Sali Berisha. Përveç tyre kishte dhe nga ata që ishin 'kundër' Berishës dhe dakort me drejtësinë.
Në pamjet e siguruara nga ZËRI një makinë me pankartën “rroftë Amerika” kaloi para dyerve të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, gjatë kohës kur brenda godinës ndodhet ish-kryeministri Sali Berisha.
"I thyet ligjet e Amerikës. Rroftë drejtësia, rroftë Amerika”, shprehet qytetari që drejton mjetin.
Një grua, që ndodhet para godinës bashkë me dhjetëra të tjerë të ish-kryeministrit, tërhoqi me forcë pankartën dhe e grisi./ZËRI
A ka frikë se mund t'i ashpërsohet masa? Berisha me 'kunj': Lëre mos e pyet!

TIRANË- Pas gati 2 orësh në ambientet e Struktruës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ish-kryeministri Sali Berisha nuk nxitoi që të kthehej në banesë. Përkundrazi qëndroi për të komunikuar me gazetarët. I pyetur, nëse kishte frikë për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij, për shkak se po komunikonte me mediat, Berisha përgjigjien ia dha me nota humori. Megjithatë shtoi se askush nuk mund t'ja ndalë fjalën e lirë.
A ke frikë për ashpërsim mase sigurie?
Berisha: është një masë staliniste që tregon frikën nga fjala e lirë e Sali Berishës. Lëre mos e pyet. Po më dolën gazetarë përpara, harroje se njoh ligj tjetër./ZËRI
Doli nga SPAK, Berisha përplaset me Klodiana Lalën: Shiko...kini kujdes!

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në dalje të SPAK pasi u mor në pyetje nga prokurorët e çështjes për dosjen "Partizani". Në një prononcim për mediat jashtë SPAK, Berisha u shpreh se do të paraqitet sa herë të thirret për të dëshmuar, ndërsa shtoi se ndaj tij nuk ka asnjë provë. E teksa po tregonte replikat që kishte pasur me dy hetuesit, një ndërhyrje e bërë nga gazetarja Klodiana Lala nuk i pëlqeu. Për pak sekonda, mes tyre pati një shkëmbim batutash.
PJESË NGA PRONONCIMI I BERISHËS:
Berisha: Një muaj pasi ishin paguar, familja Begea kishte 40% për të paguar, familja kishte gjithsej 5% për të paguar. Për sportin pse u ndryshua ligji 2007-2008. Ligji i 2005 reshton të gjitha pronat publike dhe shtetërore. Në nenin 2 thotë që pronat i kalojnë të shpronësuarit nëse kalojnë për shpronësim. Fillimin e nisi qeveria e Fatos Nanos me Anastas Angjelin dhe Blendi Klodin. Së fundmi, Edi Rama është personi...nëse Sali Berisha nuk ka asnjë firmë, Edi Rama ka një seri firmash në të gjithë këtë proces. Akuza që i bëhet Sali Berishës është identike si të thuash që Sali Berisha bleu Edi Ramën për të favorizuar dhëndrin e tij. Sali Berisha nuk kishte asnjë autoritet ligjor të ndërhynte. Edhe kur ndërhyri për Zogun e Zi, bëri ligjin, po atë ligj Gjykata Kushtetuese e anuloi. Kur u përmenda Edi Ramën, vetëm sa nuk u futën nën tavolinë. Unë i pyeta, u thashe se çfarë qeniesh jeni ju, që Edi Rama ka firmosur ndryshimin e destinacionit, në një kohë kur nuk kishte... pavarësisht nga privatizimi, ishte pronë shtetërore. Si ka mundësi që Edi Rama, në UrbaPlanin e kalon përsëri gjithë klubin në zonë dhe ju nuk e përmendni një herë? Si ka mundësi që Edi Rama firmos lejen e sheshit të ndërtimit dhe nuk ju nuk guxoni me e përmendë? Si ka mundësi që Edi Rama firmos lejen e ndërtimit dhe ju mashtroni dhe thoni se ka firmosë Lulzim Basha? Basha ka firmosur, por ka firmosur Rama dhe Veliaj. Si ka mundësi që ju injoroni emrin e Edi Ramës, në një kohë që gjykata e ka dënuar Edi Ramën për shkelje ligji? E ka gjobitur Bashkinë e Tiranës me 320 mijë euro për faktin se nuk zbardhte lejen, e mori vesh që Jamarbër Malltezi dhe lejen e miratuar e bllokoi. Ky grup i strukturuar kriminal nuk guxon të përmendë njëherë të vetme emrin e tij. A mund të imagjinoni ju hetues në botë si këta përveçse në Korenë e Veriut? Pak a shumë, këto ishin pyetjet...
*ndërhyn Klodiana Lala
Berisha: Nuk je në studio televizive që bën autoparlantin. Shiko se ç'pretendime kam mund t'i them por kini kujdes...
Klodiana Lala: Po ja thojini se po iu dëgjoj./ZËRI
Berisha batuta me gazetarët pasi doli nga SPAK: S'u mor vesh se cili drejtoi pyetje më shumë

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur edhe në pyetjet që i kanë drejtuar dy hetuesit e SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai. Në prononcimin e tij para gazetarëve, Berisha tha me nota humori se nuk mund që ta ndante nëse kishte bërë ai më shumë pyetje, apo hetuesit brenda. Megjithatë nuk u shqetësua për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndau me gazetarët pyetjet, të cilat i ishin bërë për thuajse 90 minuta.
PYETJE: Cilat ishin pyetjet konkrete?
Berisha: Nuk u mor vesh se cili drejtoi pyetje më shumë, ata mua, apo unë atyre. Kishin marrë një listë personash, a i njeh ti këta? Se nga e kishin marrë listën, nga zyrat e Ramës apo... Çfarë pune ka bërë Abi Malltezi. Pyetje tjetër, Genc na i kujto pak se ishin aq mediokre saqë...Për letrat me vlerë u përmbajta që të mos i fyeja.
PJESË NGA PRONONCIMI I BERISHËS:
I gjeta të terrorizuar. I gjeta të paqenë. Aty gjeta hijen e McGonigal dhe skandaleve të tjera. Unë garantoj opozitën se po ecim të sigurt drejt një fitoreje të pashmangshme dhe se Edi Rama do përfitojë në galerat e historisë. Bashkë me grupet e tij të strukturuara kriminale në SKAP, në gjykatën speciale, etj. ...Sali Berisha ka deklaruar dhe deklaron se do paraqitet për pyetje sa herë të thirret. Nuk mund të ketë asnjë ekuivok në paraqitjen time në prokurori, në gjykatë, sa herë të thirrem. ...Prova? Ça prova mo? Asnjë provë mo? Kishte mashtrime, riciklim të mashtrimeve. Mjeranë që ripërsërisnin trillimet e tyre. Se ligji thoshin, kur u tregova ligjin e vitit 2004 dhe nenin që detyron shtetin që niset për shpronësim, t’i jepet të shpronësuarit, por ata e kishin fshehur siç kanë fshehur me qindra dokumente të tjera për të montuar piramidën politike të urdhëruar nga Edi Rama. ...Nuk e mor vesh se kush drejtonte më shumë, ata mua apo unë atyre. Pyetje konkrete? Kishin marrë një listë personash, a i njeh ti këta? Se nga e kishin marrë listën, nga zyrat e Edi Ramës. Pyetje tjetër, se çfarë pune ka bërë Abi Malltezi. Pyetën a ke dijeni ti për aktin e kontrollit të këtij kolonelit apo gjeneralit? Një trillim i mirëfilltë i tyre se ai akt nuk ka asnjë lidhje me privatizimin. Është një mashtrim i mirëfilltë i tyre. Ai kontroll është ushtruar sepse gjenerali për një arsye apo një tjetër, mbante peng sendin e blerë nga pronarët. Privatizimi kishte përfunduar dhe me muaj të tëra, ai objekt shfrytëzohej në mënyrë mafioze nga Paro Laçët dhe ata që paguante Paro Laçi. Edhe njëherë qartësoj se qëndrimet e gjeneral Qirjazit nuk kishin asnjë lidhje, sepse procesi i privatizimit kishte përfunduar 14 muaj më përpara. Pyetja e dytë ishte për letrat me vlerë. U përmbajta që të mos i fyeja./ZËRI
Berisha del nga SPAK pas 90’: I pyeta prokurorët si jetoni në këtë terror? S'dinin si të përgjigjeshin

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha, ka përfunduar pas rreth një ore e gjysmë procesin e marrjes së tij në pyetje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Berisha deklaroi para gazetarëve se iu kishte thënë në sy gazetarëve të SPAK, të gjitha akuzat që i ka bërë publikisht, duke i cilësuar si grup i strukturuar kriminal, që veprojnë për llogari të Edi Ramës.
BERISHA: Pasi i pyeta se pse jetoni në një terror kaq të madh, nuk mund ta imagjinoni se çfarë masash jetojnë ata atje. Pasi iu deklarova se Sali Berisha është këtu në bazë të parimeve, qëllimi më kryesor i ndryshimeve të kushtetutës që ka bërë PD është të hiqen pengesat për hetimin e deputetëve. Iu thashë kam ardhur që tjua them në sy, atë që kam thënë që ju jeni grup kriminal që përdoreni si mercenarë nga Edi Rama.
Kam ardhur këtu iu thashë që kam ardhur këtu, t'ju them se ju si grup i strukturuar kriminal jeni angazhuar kundër pluralizimit politik në Shqipëri. Iu thashe atyre që jam këtu për t'ju thënë që ju shkelët Kushtetutën, për masën e sigurisë që i vutë Sali Berishës pa marrë më parë miratimin e Kuvendit.
Jam këtu për të denoncuar refuzimin e provave që nuk mund të ndodhë kurrë në një vend, se provat e avokatëve të paraqitur nga Malltezi dhe avokatët e tij, ishin shkatërrimtare për ta. Unë gjeta aty një atmosferë mortore, shihnin njëri tjetrin dhe nuk dinin si të përgjigjeshin, kur i pyeta për Taulant Ballën, fytyrat prisheshin fare.
I gjeta të terrorizuar, aty gjeta McGonigal dhe hijen e tij. Edi Rama do të përfundojë në llumin e historisë. Sali Berisha do të paraqitet sa herë të kërkohet, janë mjeranë që përsërisnin shpifjet e tyre, se ligji thoshin… kur iu përmenda unë ligjin që kishin fshehur…
/ZËRI
'O të morsha të ligat'/ Berisha mbërrin në SPAK, e presin me ovacione: O hero, Shqipëria të do!

TIRANË- I shoqëruar nga truprojat dhe avokatët e tij, ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në SPAK, ku edhe do të merret në pyetje për herë të parë. Sapo mjeti i tij është parkuar para SPAK, simpatizantët dhe deputetët e tjerë të Partisë Demokratike e kanë pritur me ovacione. Madje një prej tyre, nuk i ka përmbajtur fjalët përballë kryedemokratit: O të morsha të ligat!
Kështu që para se të futej brenda, edhe në SPAK, kryedemokrati e mbajti një fjalë të shkurtër.
"Beteja me botën e krimit vazhdon. Opozita do të fitojë. Jam sot këtu për të përfaqësuar ju, përfaqësuar shqiptarët, përfaqësuar pluralizmin, Partinë Demokratike! Jam këtu për të denoncuar Edi Ramën dhe grupin e organizuar kriminal në këtë ndërtesë, që angazhohet në betejë kundër pluralizmit. Ne do fitojmë, fitore, fitore, fitore!,"-tha Berisha.
Sot, për herë të parë, Berisha do të merret në pyetje nga SPAK lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’, si person nën hetim. Seanca ndaj tij është caktuar në orën 10:00, por nuk dihet sesa do të zgjasë marrja e tij në pyetje./ZËRI
Në 'arrest shtëpie' prej 30 dhjetorit, sot del nga banesa, Sali Berisha: Beteja pa kthim vazhdon

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot për herë të parë nga banesa e tij që kur u vendos në masën e sigurisë 'arrest shtëpie' më 30 dhjetor. Sapo ka dalë nga banesa është pritur nga gazetarët, ndaj edhe nuk e ka 'kursyer' një prononcim.
"Beteja pa kthim vazhdon,"-tha Berisha.
Sot, për herë të parë, Berisha do të merret në pyetje nga SPAK lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’, si person nën hetim. Seanca ndaj tij është caktuar në orën 10:00, por nuk dihet sesa do të zgjasë marrja e tij në pyetje./ZËRI
Me makinë policie te dera e pallatit, si do të bëhet transferimi i Berishës në SPAK

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha do të shoqërohet nga një patrullë policie nga ambientet e banesës së tij për në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ndërkohë avokatët e Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, po presin ish kryeministrin poshtë pallatit të tij, ndërsa po konsumojnë një kafe.
Berisha do të japë llogari për prokurorët Enkelejda Millonai dhe Arben Kraja, ndaj të cilëve vazhdimisht ka hedhur akuza të forta, që punojnë me regji të Edi Ramës. Ndërkohë që prokurorët do të marrin në pyetje në datën 25 Janar edhe dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.
Beteja e Berishës me drejtësinë vijon në disa drejtime, dhe në shkallë të ndryshme të gjyqësorit. Ai ka apeluar si vendimin e GJKKO që e la nën masën e arrestit të shtëpisë, ashtu dhe vendimin e dy prokurorëve të çështjes që rrëzuan kërkesën e tij, që të merrte leje për të shkuar në Kuvend.
Me pengimin e Berishës për të ushtruar të drejtën si deputet, dhe nëse hetimet e SPAK do të zgjaten, ish-kryeministri rrezikon mandatin nëse nuk shkon për 6 muaj me radhë në Kuvend, siç ndodhi dhe në rastin e ish-numrit 2 të qeverisë Arben Ahmetaj.
/ZËRI
Berisha merret në pyetje sot! Noka merr masa, e pret para SPAK: Kemi ardhur ta mbështesim

TIRANË- Deputetë dhe zyrtarë të struturës së Partisë Demokratike janë mbledhur sot para SPAK për të mbështetur kryedemokratin Sali Berisha. Kjo pasi ky i fundit do të merret në pyetje për herë të parë nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kështu në mbështetje të tij janë mbledhur eksponentët e PD-së, por vetëm Flamur Noka dha një prononcim për mediat, duke shprehur edhe arsyet e mbledhjes.
"Kemi ardhur për të protestuar këtu dhe për të mbështetur Sali Berishën,"-tha në fjalën e tij Flamur Noka.
Përveç Nokës, ishn mbledhur edhe: Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Ivi Kaso, Enno Bozdo, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Luan Baçi, Sorina Koti, etj./ZËRI
Sot Berisha merret për herë të parë në pyetje nga SPAK, përballet me Krajën dhe Millonain

TIRANË- Prokuroria e Posaçme do të marrë sot në pyetje ish-Kryeministrin Sali Berisha, si person nën hetim për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. SPAK pranoi kërkesën e avokatëve të Berishës, të cilët kërkuan javën e kaluar që marrja në pyetje të shyhej për këtë javë.
Ish-kryeministri do të japë për herë të parë shpjegime dhe pretendimet e tij në lidhje me këtë dosje dhe dyshimet e ngritura nga Prokuroria së është përfshirë në korrupsion.
Berisha do të japë llogari për prokurorët Enkelejda Millonai dhe Arben Kraja, ndaj të cilëve vazhdimisht ka hedhur akuza të forta, që punojnë me regji të Edi Ramës. Ndërkohë që prokurorët do të marrin në pyetje në datën 25 Janar edhe dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.
Beteja e Berishës me drejtësinë vijon në disa drejtime, dhe në shkallë të ndryshme të gjyqësorit. Ai ka apeluar si vendimin e GJKKO që e la nën masën e arrestit të shtëpisë, ashtu dhe vendimin e dy prokurorëve të çështjes që rrëzuan kërkesën e tij, që të merrte leje për të shkuar në Kuvend.
Me pengimin e Berishës për të ushtruar të drejtën si deputet, dhe nëse hetimet e SPAK do të zgjaten, ish-kryeministri rrezikon mandatin nëse nuk shkon për 6 muaj me radhë në Kuvend, siç ndodhi dhe në rastin e ish-numrit 2 të qeverisë Arben Ahmetaj.
Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "Arrest shtëpie" me kërkesë të SPAK. Më herët për dosjen “Partizani” është arrestuar dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili më pas u lirua nga burgu nga Gjykata e Apelit të Posaçëm dhe u la në “Arrest shtëpie”.
/ZËRI