‘Gërdeci’, dëshmia e Ylli Pinarit: Aktiviteti i demontimit nuk parashikohej në legjislacionin shqiptar
TIRANË – Në procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka dëshmuar Ylli Pinari, ish-drejtor i Ndërmarrjes Shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes, MEICO. Pinari ka deklaruar se Petrick Henryn e ka njohur përmes mjeteve elektronike në vitet 2005-2006.
“MEICO ishte pika e parë e kontaktit për të blerë stokun e jashtëzakonshëm të municionit që kishte ushtria. Në vitin 2002 falë një vendimi të qeverisë u listuan nëpër panaire mallra, municione që të shiteshin. Patrick Henry ka ardhur 10-12 herë në fillim të vitit 2006. Na ka prezantuar një projekt të tij për të bërë demontim industrial duke ofruar teknologjinë që kishte. Demonstroi makineritë që dispononte. Ishte i interesuar për gëzhojat që kishin material tunxhi. Kërkonte të dhënat për këto municione në listën prej 102 tonësh qëka i kishte vënë në dispozicion për të shkatërruar apo demontuar ushtria. Janë këmbyer rreth 10-12 emaile për mënyrën se si do bëhej ky proces. Patrick thoshte ‘ju po i digjni kot këto municione sepse mund t’i shisni’. Ka vizituar repartet ushtarake duke propozuar të mos digjeshin por t’i viheshin në dispozicion ato me tunxh që ai të mund ti demontonte. Ka qenë vera e 2006, që MEICO i paraqiti propozimin Ministrisë së Mbrojtjes. Në një dokument të 27 dhjetorit 2006, zyra e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, i kërkon MEICO-s, një situatë mbi interesin e shitjes së këtyre municioneve. Patrick përmendi edhe një kompani të krijuar nga vetë ai “Alba Demil” me dy ortakë, Patrick Henry dhe Mihal Delijorgji. Këtë të fundit e njoh prej 1993, se si janë vetë ata nuk e di, nuk refuzoj t’iu përgjigjem pyetjeve por nuk e mbaj pasi ka kaluar kohë e gjatë”, tha Pinari.
Më tej, Pinari në dëshminë e tij ka thënë se ka vuajtur 4 vite burg për këtë çështje dhe se ka rezervat e tij për procesin e “Gërdecit”.
“Patrick Henry i interesonte gëzhoja e tunxhit që në MM ishte raportuar 400 milion të tillë. Se si është përzgjedhur kompania amerikane SAC, nuk është bërë nga ne, as nga Ministria e Mbrojtjes, por Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Shumë fishekë me gëzhojë tunxhi të raportuara, rezultuan se ishin të veshura dhe u refuzuan nga SAC. Nga parashikimi fillestar prej 400 milion fishekësh rezultuan më pak. Ishte menaxhim skandaloz i ushtrisë. Urdhri që doli nga Forcat e Armatosura, kishte devijimi VKM-ja, na detyronte që transporti të paguhej nga MEICO, urdhër absurd i FA. Pavarësisht se transporti vijonte, në MEICO, nuk ka ardhur asnjë faturë. Unë mendova që kjo do e shkatërronte MEICO-n, dhe nuk kemi bërë reagim te Ministria e Mbrojtjes, s’kemi pyetur fare se si është përcaktuar pika e demontimit në Gërdec. Nuk e di nëse Ministria e Mbrojtjes, ishte apo jo në dijeni të “Alba Demil”. Kur është bërë kontrata me SAC, i kam kërkuar specialistëve të mi licencën. Ky aktivitet demontimi as në Amerikë nuk licensohej dhe deri në 2009 ky lloj aktiviteti nuk parashikohej në legjislacionin shqiptar”, tha ai.
Pinari deklaroi se Shtabi i Forcave të Armatosura bënte inspektim, por nuk kishte licensë. “Edhe në Poliçan, Gramsh dhe Mjekës, demontimi bëhej me urdhër të Shtabit. Ky i fundit bënte inspektimin por nuk kishte licencë. Në atë periudhë po punonim për hartimin e një ligji për licencimin e kompanive demontuese”, tha Pinari./ZËRI/
Seanca për Gërdecin, Mediu: Vendi i demontimit nuk ka qenë përgjegjësi e imja
TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ka folur për mediat, pas seancës që u mbajt në Gjykatën e Posaçme për çështjen Gërdeci. Mediu foli në lidhje me dëshminë e Ylli Pinarit, për të cilin tha se është një nga dëshmitarët më të rëndësishëm për çështjen Gërdeci.
“Dua që të gjithë ta keni të qartë se Gërdeci është përcaktuar nga kompania dhe jo nga ministri i mbrojtjes. Kërkova dhe duhet ta vlerësoj zotin Pinari, pasi ka qenë një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm të ngjarjes në Gërdec. Të paktën në raport me këtë çështje kemi detyrimin që të themi të vërtetën. Ministri nuk ka pasur asnjë kontakt as me kompaninë shqiptare dhe as me kompaninë amerikane”, u shpreh Mediu në fund të seancës.
Mediu tha se para shpërthimit në Gërdec ka pasur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku paralajmërohej se në vendin tonë mund të kishte ndonjë incident përpara hyrjes së Shqipërisë në NATO.
“Ka pasur një mbledhje të Këshillit Kombëtar, të cilët nuk kanë përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes për të krijuar një situatë para se të ndodhte anëtarësimi në NATO. Na u dha paralajmërim se duhet të kishim kujdes për ndonjë ngjarje para se të anëtarësoheshim në NATO. Këto dokumente duhet të ishin deklasifikuar. Di që është kërkuar që të bëhet një eksperiment me atë shkak që ndodhi shpërthimi. Djali i Deliut ka thënë se babai i tij ka qenë në shtëpi dhe se nuk kishte bërë asnjë saldim. Është në interes të Shqipërisë që të bëjë një hetim.”.
Çfarë nuk është deklasifikuar?
“Raporti i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, raportet apo dokumentet që kanë vajtur për këtë çështje. Duhet të jepen deponimet e tyre. I kam kërkuar presidentit që të na japë me shkrim këtë dokument që ta depozitoj. Këtë informacion duhet ta kishte marrë prokuroria me kohë”.
/ZËRI
'A kam qenë në Gërdec?'/ Mediu përballet me Ylli Pinarin, biznesmeni: Atë e dini ju…
TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes, MEICO, Ylli Pinari janë përballur me njëri-tjetrin në seancën e sotme për tragjedinë e Gërdecit. Në seancën e sotme të zhvilluar në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u përballën me njëri-tjetrin. Pinari u pyet nga Mediu nëse kishte dijeni që ish-ministri njihej me Mihal Delijorgjin dhe nëse e kishte parë ndonjëherë në Gërdec, pyetje të cilave biznesmeni nuk u ka dhënë dot përgjigje.
PËRBALLJA NË SEANCË:
Fatmir Mediu: A ke dijeni që unë njihesha me Mihal Delijorgjin?
Ylli Pinari: Këtë s’e dini ju, nga ta di unë
Fatmir Mediu: A dini që kam qenë unë në Gërdec?
Ylli Pinari: Atë e dini ju, në dijeninë time jo. Patrick Henri ka bredhur në shumë reparte ushtarake. Mund të ketë qenë edhe në Gërdec.
Fatmir Mediu: Ku shkonte baruti i avaduar?
Ylli Pinari: Rreth 200-300 ton barut është kontraktuar një kompani në Belgjikë dhe është çuar një anije me këtë ngarkesë. Pritej edhe një anije e dytë për të eksportuar barutin tjetër të evaduar. Kam tentuar dy herë të futem në Gërdec, nuk më kanë lejuar të futem pasi duhej leje e posaçme. Ishin dy herë që më ra rruga nga Rinasi kur tentova.
"Gërdeci", Pinari: Përgjegjësi direkte e Forcave të Armatosura, MEICO nuk merrej me transportin
TIRANË- Ish-drejtori i kompanisë shtetërore të shitjes së municioneve, Ylli Pinari, ka folur pas marrjes në pyerje në GJKKO, teksa bëri përgjegjës Forcat e Armatosura për shpërthimin e ndodhur në Gërdec në vitin 2008. Sipas tij FA nuk kanë kryer detyrat që i parashikonte ligji i kohës.
Pinari vijoi më tej duke kërkuar ndjesë në drejtim të familjeve të viktimave të Gërdecit, duke marrë përsipër pjesën që i takon dhe mund të ketë përgjegjësi.
“E kam shprehur është një fatkeqësi shumë e madhe e pakompesueshme dhe e pa zëvendësueshme për pjesën që unë mendoj se kam përgjegjësi kërkoj ndjesë nëse unë kam ndikuar në këtë fatkeqësi të tyre”, u shpreh më tej Pinari, ndërsa u pyet nga gazetarët mbi arsyet e tragjedisë.
“Përgjegjësi totale e Forcave të Armatosura! Shkelje flagrante e vendimit 138 dhe shumë akteve të tjera që normonin veprimtarinë e demontimit6të materialeve ushtarake. Mungesë përgjegjësie e Forcave të Armatosura. Forcat e Armatosura nuk kanë kryer asnjë nga detyrat që i ngarkonte legjislacioni, vendimet e qeverisë. Për mua është tërësisht përgjegjësi e forcave të armatosura dhe operatorit që duhet të zbatonte rregullat që ne ia kishim ngarkuar në kontratë”, vijoi Pinari komunikimin e tij me gazetarët.
“MEICO kishte detyrën të merrte në dorëzim dhe të dorëzonte municionin, pasi vetes statusi i MEICO është ndërmarrje komsionere, përfaqëson interesat e pronarit të mallit i cili ishte i FA, dorëzonte mallin dhe të gjitha arkëtimet e lekëve kalonin në buxhetin e shtetit. MEICO ka pasur vetëm një veturë, nuk kishte mundësi të bënte transportin e municioneve”, përfundoi Pinari.
Tragjedia e Gërdecit, dëshmon Ylli Pinari: Patrik Henri propozoi demontimin, MEICO s'është përfshirë
TIRANË- Ish-drejtori i kompanisë shtetërore të shitjes së municioneve, Ylli Pinari ka dëshmuar sot para trupës gjykuese të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Në dëshminë e tij, ish-drejtori i "Meico" ka bërë me dije se se ishte Patrik Henri, personi që kishte krijuar në Shqipëri kompaninë e "Albademil", ndërsa shtoi se kompania që ai drejtonte nuk ka qenë e përfshirë. Gjithashtu Pinari përmendi edhe dënimin e tij me 5 vite burg.
"MEICO nuk është përfshirë në procesin e përcaktimit të Gërdecit si vend demontimit. Fillimisht kemi pasur komunikime me e-mail. Pas shkëmbimit të informacionit Patriku propozoi krijimin e një linje demontimi. Për këtë çështje kam bërë 5 vite burg dhe kam pikëpyetjet e mia për këtë,"-tha në fjalën e tij Ylli Pinari.
Patrik Henri, pronar i "SAC", ishte partner me Delijorgjin, i cili ishte pronar i "Alba Demil", ndërsa administrator ishte Dritan Minxholli. Në Gërdec, SAC merrej me demontimin, ndërsa Alba Demil me ngritjen e infrastrukturës dhe rekrutimin e punonjësve që punonin në fabrikë. Për tragjedinë e Gërdecit, Pinari u dënua me 15 vite burg nga Gjykata e Apelit të Tiranës, me një vendim të dhënë më 13 shkurt 2013, pasi sipas prokurorëve të Apelit, ai bashkë me Dritan Minxolli, Mihal Delijorgji, Sokol Ngjeçi kishin konsumuar veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”. Por duke qenë se Pinari kishte shlyer 2/3 e dënimit, atij iu aprovua lirimi me kusht, pasi mbrojtja e tij pretendonte se klienti vuante nga zemra, e po ashtu duhet të kujdesej për nënën e moshuar (asokohe 86 vjeç), e cila kishte mbetur e vetme pas divorcit të tij nga bashkëshortja./ZËRI
Marrja në pyetje e dëshmitarëve për ‘Gërdecin’, Mediu paraqitet në seancë
TIRANË- Ish-ministri i Mbrotjes Fatmir Mediu është paraqitur sërish sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme, ku do të mbahet seanca e radhës për çështjen Gërdeci. Mediu u paraqit në seancë së bashku me avokatin e tij mbrojtës, ndërsa sot pritet që të vijojë marrja në pyetje e dëshmitarëve, në lidhje me tragjedinë që mori jetën e 26 personave, si dhe la të plagosur qindra të tjerë.
Pas përfundimit së seancës më 27 dhjetor 2023, Mediu u shpreh se ky proces ndaj tij është thjesht një lojë mediatike, ku askush nuk merret me vetë çështjen për t’i shkuar deri në fund së vërtetës së saj.
Ai komentoi edhe thirrjen për të dëshmuar të djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, që sipas tij nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, dhe bëhet për të zhvendosur fokusin nga zbardhja e saj.
SPAK ka thirrur në total një listë prej 71 dëshmitarësh në gjyqin për shpërthimin e fabrikës së demontimit në Gërdec. Deri tani janë pyetur 40 prej tyre, ku përfshihen zyrtarë dhe familjarë të viktimave apo personat të prekur nga tragjedia e 15 marsit 2008.
Në seancën e kaluar (27 dhjetor) dëshmoi Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha, i cili para mediave tha se nuk di asgjë për faksin e vitit 2007 me mbishkrimin ‘për Shkëlzen Berishën’, dokument që përcaktonte se fabrika do të ngrihej në Gërdec.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë./ZËRI