Çfarë po ndodh te TIMS? Rrumbullaku prej 3 orësh dëshmon me dyer të mbyllura, kur pritet të hyjë Muça

TIRANË-Drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku prej tre orësh është duke dëshmuar në Komisionin Hetimor Parlamentar për sistemin TIMS. Ashtu si ndodhi dhe me ministrin e brendshëm Taulant Balla, edhe Rrumbullaku po raporton me dyer të mbyllura. Drejtori i Policisë deklaroi se dëshmia e tij do të përmbajë të dhëna të rëndësishme, disa prej të cilave përmbajnë dhe sekrete hetimore.
Ajo që ra në sy pak para dëshmisë së tij, ishte hyrja në mbledhje me 5 dosje të mëdha. Gjithsesi mbetet e paqartë se çfarë të dhënash ka brenda tyre, pasi me kërkesë të kryepolicit, e cila gjeti miratimin e të majtëve në komision, mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura.
Pas tij pritet të dëshmojë edhe ish-drejtori i IT-së, Ervin Muça. Muça, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, pasi akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS, dëshmoi në mbledhjen e kaluar gjatë mesnatës. Dëshmia e tij zgjati 30 minuta dhe kur doli u pyet nga gazetarët se kush e detyroi të merrte të dhënat e TIMS. Si duket edhe në mbledhjen e sotme ish-drejtori i IT-së do të raportojë në mesnatë./ZËRI
FOTO-LAJM/ Rrumbullaku shkon me 5 dosje të mëdha për të dëshmuar tek TIMS

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka mbërritur këtë të martë në Kuvendin e Shqipërisë për të dëshmuar përballë anëtarëve të Komisionit Hetimor të TIMS, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të Policisë dhe me një numër të madh dosjesh me vete. Siç shihet dhe nga fotot, dosjet janë të mëdha, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë të dhënash ka brenda tyre, pasi me kërkesë të kryepolicit, e cila gjeti miratimin e të majtëve në komision, mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura./ZËRI


TIMS/ PS rrëzon kërkesën e Salianjit, Rrumbullaku do dëshmojë me dyer të mbyllura

TIRANË- Ashtiu si dhe më herët, ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbulaku do të raportojë me dyer të mbyllura në Komisionin Hetimor Parlamentar për sistemin TIMS. Në nisje të seancës, Rrumbullaku deklaroi se dëshmia e tij do të përmbajë të dhëna të rëndësishme, disa prej të cilave përmbajnë dhe sekrete hetimore. Kështu nëse seanca do të zhvillohej me dyer të hapura, kryepolici deklaroi se ai do të dëshmonte vetëm për ato çështje që nuk përbëjnë sekret hetimor.
Ndërkohë pati debate mes anëtarëve të Komisionit, pasi si dhe në rastin e Ballës, kreu i Komisionit, Ervin Salianji kërkoi që Rrumbullaku të dëshmonte me dyer të hapura. Kjo u kundërshtua nga mazhoranca, e cila e rrëzoi kërkesën e Salianjit me tetë vota kundër. Pas një pushimi prej 10 minutësh, pritet që të nisë dhe dëshmia e Rrumbullakut./ZËRI
TIMS/ Rrumbullaku dëshmitar: Nëse jam me dyer të hapura do flas për ato që s'janë sekret
TIRANË-Drejtuesi i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në mbledhjen e komisionit ‘Tims’ tha se dëshmia e tij ka sekrete hetimore. Rrumbullaku u shpreh se nëse dëshmia do të zhvillohej me dyer të hapura, do të fliste vetëm për ato informacione që nuk janë sekret.
Rrumbullaku: Mbështes deklaratën time në raport me atë që i kam dërguar komisionit hetimor. Do të mbroj veten dhe do të dëshmoj i vetëm, dy kolegët që kam në krah nuk kanë të bëjnë me procesin. Nëse mbledhja do të vijojë me dyer të hapura do flas vetëm për ato që s'janë sekret. Dëshmia ime përbën sekret për arsye të cilat do t’i shpjegoj pas vendimit të komisioni. Ju kemi vene ne dispozicion materiale te paklasifikuara, por unë jam me shumë dokumente me vete, ligji për informacionin e klasifikuar, përcakton 4 nivelet e informacionit hetimor Në të tre nivelet e tjera kërkohet pajisja me certifikatë respektive. Jam i hapur të jap shpjegime mbi sistemin TIMS se çfarë përfshin. Flitet parimisht sistemi TIMS. Unë nuk mund ta shkel në asnjë rast tagrin se çfarë përfshin dhe për çfarë shërben.
/ZËRI
Pëplasje në TIMS/ Gogu: Ujku qimen e ndërron dhe zakonin s’e ndërron! Salianji: Po manipulon

TIRANË-Debatet kanë vijuar mes kryetarit të Komisionit dhe deputetit socialist Toni Gogu.
Gogu: Sapo dëshmuat që ujku qimen e ndërron dhe zakonin s’e ndërron! Duke qen se materiali referues përmban të dhëna sensitive.
Salianji: Po manipulon, nuk të lë, lexo siç e ke këtu, lexoje siç e ke ja ku e ke se e keni ves ju, s’mund të të lë të thuash të pavërtetë, të pavërteta s mund të thuhen këtu, lexoje nga fillimi.
Gogu: Informacione sekret shtetëror dhe informacion policor thotë deklarata e drejtorit t policisë kërkon nga komisioni hetimor t vlerësojë nëse do vijojë i hapur për publikun. Ky komision vlerëson përmes votës së çdo anëtari. Mbledhja vazhdoi ku e lamë, jemi të gatshëm të administrojmë dëshminë e drejtorit të policisë, meqë thoni akuza të gjykatës popullore që doni ta shndërroni përmes fuqisë së kamerës, çdo gënjeshtër transformohet në të vërtetë, gënjeshtra është gënjeshtër, fyerja i nderuar koleg është fyerje e thua me mikrofon, pa mikrofon. E dashur dhe kolege mos vazhdoni ti vidhni kohë këtij komisioni zbardhjes së kësaj ngjarje, rregullorja është nën autoritetin e së cilës jetojmë. Kërkesa paraprake e drejtorit të vlerësohet nga ky komision përmes votimit, jo përmes fjalës së ndritur të kryetarit të vet, merreni dhe hidheni në votim kërkesën e drejtorit të policisë.
Salianji: Të predikosh të mbrapshtën për një kohë të gjatë, të lexosh mbrapsht nëse deklarimi të vijojë i hapur për publikun, njësoj si hyrja që kanë bërë 8 persona të paautorizuar kanë futu duart të parat dhe të pasmet, kanë nisur punë drejtorët në policinë e shteti 20 ditë para se bëheshin aplikimet, këtë do të dëgjoni. Nuk janë show këto.
Debate në TIMS/ Gogu: Dëshmia e Rrumbullakut me dyer mbyllur. Salianji: PS do t'i mbyllë gojën policisë

TIRANË-Mbledhja e Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS ka vijuar me debate pas përfundimit të dëshmisë së ministrit të brendshëm Taulant Balla. Debati filloi teksa pritet dëshmia e drejtorit të Policisë Muhamet Rrumbullaku. Salianji përsëriti që dëshmia e tij të zhvillohet me dyer të hapura, por Gogu ka kundërshtuar. Deputeti socialist Toni Gogu tha se për shkak të të dhënave sensitive dëshmia e kreut të Policisë së Shtetit duhet të bëhet me dyer të mbyllura.
Salianji: Pavarësisht masës së marrë nga dy gjykata për drejtorin e IT ai është në detyrë dhe vetëm i pezulluar, s’ka marrë asnjë masë për të goditur paligjshmërinë. Sipas rendit të ditës kemi në dëgjesë drejtorin e policisë Rrumbullaku. Për shkak të bojkotit të maxhorancës shkresa është hedhur për votim sipas parashikimeve, nëse mbledhjet nisin me kuorum di që kërkesë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm, pikë të parë të kërkesës që të jetë i hapur për publikun për të komunikuar me qytetarët shkeljet në lidhje me ndërhyrje në sistemin e TIMS. Mbledhja duhet të zhvillohet me dyer të hapura. Partia Socialiste kërkon t'i mbyllë gojën Policisë. Turp i zi më vete, media pret poshtë dere së këtij Kuvendi. Hapni dyert, është e detyrueshme që të vijnë. Ne kemi marrë vendimarrjen që mbledhja të jetë e hapur. Duhet trasparencë.
Gogu: Ky organ flet përmes vendimmarrjes dhe vendimmarrja ka qenë që të shtyhet derisa anëtarët të pajiseshin me certifikatë sigurie, shumica janë pajisur me certifikatë sigurie, administruam dëshminë e zotit Taulant Balla. Kërkesën formale të drejtorit ta hidhni në votim, mbledhja të vijojë me dyer të mbyllura
Gështenja: Sot ishim dëshmitarë që u kërkua që mbledhja të ishte me dyer të mbyllura, por nuk pashë asgjë sekrete. Se kuptova pse u veprua kështu dhe përse u kërkuan certifikata sigurie. Duhet të jenë trasparente për publikun çfarë ndodhi me të dhënat e TIMS.
Salianji: Edhe një herë tjetër duhet të vë në pah se si përfaqësuesit e PS vjedhin, i hanë gërmat , është hedhur për të vazhduar mbledhje e hapur, më thoni dot se si mund ta zhbëjmë këtë? Meqë PS ka frikë të përballet me drejtuesit e institucioneve, ju thoni t mbyllim në mënyrë të paligjshme.
Mbyllet pas rreth 3 orësh dëshmia e Ballës, priten deklaratat e Rumbullakut

TIRANË-Është mbyllur pas rreth 3 orësh dëshmia e ministrit, Taulant Balla. Dëshmia e ministrit të brendshëm është zhvilluar me dyer të mbyllura. Kujtojmë se dëshmia e parë e Ballës u shty për shkak të informacioneve të konsideruara si sekret hetimor. Në radhë është për të pyetur drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku.
Po ashtu si Balla edhe drejtori i Policisë pritet të dëshmojë me dyer të mbyllura. Salianji bëri me dije se mbledhja, ku ka në dëgjesë si dëshmitarë Rrumbullakun, duhet të zhvillohet me dyer të hapura.
/ZËRI
DEBATE në TIMS/ Salianji kundërshton dëshmitë me dyer mbyllur, Gogu: Fjalët e tepërta fukarallëk

TIRANË-Komisioni Hetimor për TIMS është mbledhur këtë të martë për të dëgjuar dëshmitë e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça. I pari që do të dëshmojë është ministri i brendshëm Taulant Balla, por Salianji kërkoi që dëshmia e tij të zhvillohej me dyer të hapura, duke kërrkuar që të hidhet në votim. Sipas tij është jetike për demokracinë përballjet e hapura dhe transparenca e plotë.
Por kërkesa e Salianjit është kundërshtuar nga Toni Gogu, i cili tha se i është kërkesë Këshillit të Rregullores për një sërë çështjesh. Sipas tij dëshmitë duhet të vazhdojnë me dyer të mbylluar.
Salianji: Është jetike, e domosdoshme për demokracinë që të ketë përballje të hapura, por për të mos bllokuar punën e komisionit kemi votuar që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura, por siç e citoj vendimin e ndërmjetëm, pa patur nevojë për t’u pajisur me certifikata sigurie të deputetëve. Duhet të kthejmë në ligjshmëri punën e komisionit. Jemi në kushte të reja dhe vendimmarrja e kaluar nuk ishte e mundur për shkak se ministri i Brendshëm pretendoi se kishte informacion të klasifikuar, të hedhim në votim dhe të kthejmë në vendim të ri të ndërmjetëm, mbledhja me dëshmitarin e parë Taulant Balla ministër i Brendshëm, nuk ka në këndvështrimin tim që të jemi njohur me ndonjë dokument të klasifikuar propozoj që mbledhja të jetë e hapur (hidhet në votim).
Toni Gogu: Dëshmia e Ballë duhet të zhvillohet me dyer të mbyllura. I kemi bërë kërkesë Këshillit të Rregullores për një sërë çështjesh. Filloni menjëherë nga dëgjimi i ministrit të Brendshëm, duke filluar në këtë mënyrë zyrtarisht hetimin dhe pa u zgjatur shumë në fjalë që populli i barazon me fukarallëk, me fukarallëk të këtij sistemi. Vazhdoni mbledhjen që kemi lënë përgjysmë me dyer të mbyllura.
Salianji: Kemi një vendimmarrje të re të ndërmjetme. Mbledhjet duhet të jenë të hapura për transparentë të plotë. Përballja dhe dhënia llogari të plotë. I kemi thirrur për të dhënë llogari. Çështja shqetëson qytetarët, partnerët. I keni bërë kërkesa Kuvendit, shpresoj të mos jenë truke për të penguar procesin, e dhimbshme që një parti politike doni të bojkotoni komisionin siç bëtë herën e kaluar. Kështu që kërkesat e mia si kryetar i komisionit me qejf do i ishin drejtuar komuniteteve fetare për t’ia mbajtur gjithsecilit mendjen në vend dhe lutje zotit që të jeni në këtë mbledhje më të qetë dhe të jeni në anën ligjit e moralit dhe jo të kundërt.
PS rrëzon kërkesën e opozitës/ Mbledhja e Kom. të TIMS me dyer të mbyllura! I pari pyetet Taulant Balla

TIRANË- Partia Socialiste ka rrëzuar këtë të martë kërkesën e opozitës që mbledhja e Komisonit të TIMS të zhvillohet me praninë e mediave. Toni Gogu u shpreh se kjo nuk mund të realizohet pasi në mbledhja ku do të raportojë i pari ministri i Brendshëm Taulant Balla do të diskutohen të dhëna sensitive që kanë të bëjnë me informacionin e klasifikuar. I pari që do të pyetet ditën e sotme është Balla, ndërsa pas tij do të vijojnë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.
Toni Gogu: Votimi ynë kundër zhvillimit të mbledhjes me dyer të hapura është në zbatim të atij vendimi që ne kemi marrë të gjithë se bashku për të zbatuar ligjin për informacionin e klasifikuar.
Çfarë ndodhi më mbledhjen e parë?
Në 15 maj në mbledhjen e mbajtur për hetimin e 'TIMS', dëshmitë u zhvilluan me dyer të mbyllura. Ishte Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili dëshmoi i pari për rreth dy orë në Komisionin Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit “TIMS” me dyer të mbyllura. Por për shkak të informacioneve të konsideruara si sekret hetimor dëshmia e tij u spostua. Pas tij dëshmoi Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku i cili po ashtu kërkoi që dëshmia e tij në Komisionin Hetimor për TIMS të bëhet me dyer të mbyllura. Edhe ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, pasi akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS, dëshmoi në Komisionin Hetimor gjatë mesnatës. Dëshmia e tij zgjati 30 minuta dhe kur doli u pyet nga gazetarët se kush e detyroi të merrte të dhënat e TIMS.
Hetimi i TIMS është paraprirë nga akuza dhe përplasje të ndërsjellëta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa deputetë demokratë kanë paralajmëruar se të dhënat që do të zbulohet nga Komisioni, do të zbardhin shumë nga lidhjet e ministrave apo zyrtarëve socialistë me elementë të krimit./ZËRI