
TIRANË- Kryepeshkopi Anastas Janullatos ndërroi jetë sot në orën 08:30 (me orën lokale) në një spital në Athinë, Greqi. Lajmi u bë i ditur nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Pas kësaj, figura të politikës shqiptare reaguan, ku dhe shprehën ngushëllimet e tyre. Presidenti Bajram përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se Fortlumturia e tij kontriboi në forcimin dhe në krijimin e një rruge të re për besimin ortodoks shqiptar, veçanërisht pas periudhës së vështirë të kaluar.
“Shqipëria humbi sot Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasin, udhëheqësin shpirtëror dhe figurën e shquar të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjatë udhëheqjes së tij, Fortlumturia e tij ka udhëhequr Kishën me mençuri, përkushtim dhe dashuri për njerëzit, duke kontribuar në forcimin e saj dhe në krijimin e një rruge të re për besimin ortodoks shqiptar, veçanërisht pas periudhës së vështirë të kaluar.
Ai ishte një shembull i palodhur i përkushtimit shpirtëror dhe një udhërrëfyes për të gjithë ata që e ndoqën. Në këtë moment të dhimbshëm, shprehim ngushëllimet tona më të thella për Kishën dhe për gjithë besimtarët, që humbën atin dhe kryebariun e tyre, një udhëheqës të dashur dhe të nderuar. Trashëgimia e Fortlumturisë së tij do të mbetet gjithmonë e gjallë në zemrat e atyre që e nderuan dhe e donin. Lutemi që Zoti t’i dhurojë prehjen në tendat e të drejtëve dhe qoftë kujtimi i tij i përjetshëm!”, shkruan Begaj.
Gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
“Më lejoni që t’i bashkohem edhe unë shprehjes së keqardhjes për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Janullatos, duke uruar që të prehet në paqe t’i përcjell ngushëllimet të gjithë bashkëpunëtorëve dhe anëtarëve të komunitetit të besimtarëve ortodoksë”, tha Rama.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Spiropali përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se Kryepeshkopi kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë.
“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe besimtarët orthodhoksë humbën sot Kryebariun e tyre, Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Me vizionin hyjnor, dashurinë e pashterrshme, dijet e gjera, erudicionin e pafund, respektin për besimet dhe komunitetet e tjera fetare, shpirtin e tolerancës, përdëllimin e pashoq, komunikimin e ëmbël fetar e njerëzor, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, në kushte të mungesave e vështirësive shumë të mëdha, për më shumë se tre dekada, ringriti dhe konsolidoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, projektoi, mbështeti e promovoi institucionet arsimore, humanitare, shëndetësore e kulturore dhe kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë.
Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe! Nderim e mirënjohje për trashëgiminë e Kryepeshkopit Anastas!
U prehtë në paqe e përjetësi!”, tha Spiropali.
Po ashtu edhe Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për Fortlumturinë e tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasios Janullatos. Sot, me nderim dhe respekt të veçantë, shpreh vlerësimin tim më të madh për kontributin e pavdekshëm të Fortlumturisë së tij në ringjalljen nga shkrumbi i diktaturës komuniste të Kishës Autoqefale të Shqipërisë”, shkroi Berisha.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga burgu për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Meta shprehet se kontributi i jashtëzakonshëm i Fortlumturisë së Tij në më shumë se tre dekada i ka shërbyer jo vetëm ringritjes të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së saj kudo në botë.
“Me trishtim të thellë dhe shumë dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe shembull frymëzues i dashurisë ndaj njerëzve, me vizion hyjnor e mençuri të rrallë, do t'i mbetemi përherë mirënjohës për gjithçka ka bërë në këto vite për Lavdinë e Zotit, për të mirën e Kishës, që në rrethana të vështira e ringriti nga gërmadhat dhe e zhvilloi më tej, për të mirën e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, për forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë.
Kontributi i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi i vyer i Fortlumturisë së Tij në më shumë se tre dekada i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së saj kudo në botë. Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme për drejtuesit e lartë të Kishës dhe mbarë komunitetin ortodoks të Shqipërisë! Trashëgimia e Kryepeshkopit Anastas do të mbetet gjithmonë e gjallë dhe kujtimi i Tij do të jetë i paharruar!
Të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Meta.
Reagime ka pasur edhe nga Greqia! Ish-ministrja e Jashtme greke, Dora Bakoyannis ka reaguar në rrjetin e saj social X lidhur me ndarjen nga jeta e kryepeshkopit Anastas Janullatos mëngjesin e kësaj të shtune. Ajo shkruan se kryepeshkopi Anastas Janullatos ka bërë gjithmonë një punë bamirëse duke dëshmuar se kisha autoqefale e Shqipërisë mund të bëjë mrekulli.
“Një nga hierarkët më të ëmbël e më të ndritur të Ortodoksisë ka rënë në gjumë. Për shkak të rrethanave, unë ndoqa rrugën e Anastasit që në ditën e parë që ai mori përsipër të ringjallte Kishën Ortodokse të Shqipërisë, në ditët e errëta dhe të vështira. Personaliteti i tij, njohuritë, prestigji i tij, por mbi të gjitha dashuria e sinqertë dhe e sinqertë për kopenë e tij, e lejuan të rithemelonte kishën autoqefale të Shqipërisë, duke e bërë atë një Mitropol me prestigj botëror. Puna e tij bamirëse ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë se kisha e dashurisë, edhe në kohët më të vështira, mund të bëjë mrekulli. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij,"- shkruan në X, Dora Bakoyannis./ZËRI