Bota

Netanyahu akuzon partitë arabe për vjedhje votash: Zgjedhjet u manipuluan, kërkohet hetim

Sipas pretendimeve të partisë, parregullsitë përfshijnë ryshfetin kërcënimet ndaj punonjësve të qendrave të votimit, votimin e përsëritur dhe përdorimin e identiteteve të dyfishta.

M.K.
Netanyahu akuzon partitë arabe për vjedhje votash: Zgjedhjet u
Benjamin Netanyahu

IZRAEL- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka publikuar në rrjetin social X një deklaratë të partisë së tij Likud, ku ngrihen akuza për manipulim të procesit zgjedhor nga partitë arabe. Sipas pretendimeve të partisë, parregullsitë përfshijnë ryshfetin kërcënimet ndaj punonjësve të qendrave të votimit, votimin e përsëritur dhe përdorimin e identiteteve të dyfishta.

Në deklaratë Likud pretendon se shkeljet kanë ndodhur në disa qendra votimi në zona me shumicë arabe dhe se kanë cenuar integritetin e zgjedhjeve. Partia njofton gjithashtu se do t'u paraqesë policisë, shërbimit të sigurisë së brendshme Shin Bet dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve qindra prova të cilat,  mbështesin akuzat.

“Zgjedhjet në Shtetin e Izraelit u vodhën nga partitë arabe që mbështesin terrorizmin dhe eliminimin e shtetit hebre, përmes veprave të rënda penale, përfshirë ryshfetin, kërcënimet, dhunën, falsifikimin dhe përdorimin e softuerëve të ndaluar për të nxitur votuesit”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Netanyahu.

Likud pretendon se provat përfshijnë zarfe me para në dorë dhe fletë votimi të partisë Ra'am, kërcënime e dhunë ndaj personelit zgjedhor, raste të dyshuara të votimit të përsëritur, përdorim të identiteteve të dyfishta dhe mospërputhje mes numrit të zarfeve të votimit dhe atij të votuesve.

“Ne kërkojmë nga policia dhe Shin Bet një hetim të plotë për vjedhjen e zgjedhjeve nga partitë arabe dhe zbatimin e plotë të ligjit ndaj autorëve”, thuhet më tej në deklaratë.

Partia e Netanyahut i ka kërkuar gjithashtu Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të reagojë menjëherë dhe të hetojë pretendimet për shkelje të procesit zgjedhor.

“Kjo është një shkelje serioze e demokracisë izraelite dhe e të drejtës së qytetarëve izraelitë për të zgjedhur. Agjencitë ligjzbatuese duhet të veprojnë me forcë dhe menjëherë”, përfundon ai./ZËRI

MOS HUMB