TIRANË-Ministria e Bujqësisë ka hapur sot aplikimet për Skemën Kombëtare të Bujqësisë për këtë vit, duke iu dhënë mundësi fermerëve për të përfituar mbështetje për bagëtitë, bletarinë dhe të mbjellat. Në total fondi i dedikuar i skemës është 5,2 mld lekë. Lajmi është dhënë nga kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar në rrjetet sociale një video-mesazh, krahas masave mbështetëse për fermerët.
Bëhet fjalë për 9 masa direkte mbështetjeje dhe 3 masa investimi për fermerët dhe agrobiznesin që përfshijnë:
• tufën bazë të matrikulluar të gjedhit
• tufën bazë të matrikulluar të imtave
• mbarështimin e bletarisë
• tufën bazë të matrikulluar të dosave dhe/ose paradosave
• kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera dhe tunele plastike
• fermat organike
• implementimin dhe certifikimin Global GAP
• mbështetjen për sipërfaqet e mbjella
• ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme
Ndërkohë, masat e investimit fokusohen te:
• mbështetja për fermerët e rinj
• ndërtimi dhe rikonstruksioni i staneve
• pajisjet, makineritë dhe mjetet për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës
Aplikimi mund të kryhet online përmes platformës e-Albania. Fondi ndahet në 12 mijë lekë për çdo krerë lopë do të marrin ata blegtorë që kanë tufa jo më të më të vogla se 5 bagëti, vjet ishte 10 mijë lekë për tufa jo më të vogla se 10 krerë. Ndërsa tek të imtat financimi është rritur nga 1200 lekë në 1.500 lekë për krerë për tufa jo më të vogla se 50 krerë, nga 100 krerë që ka qenë me skemën e vjetër.
Financimi do ketë edhe për dosat në 7 mijë lekë për krerë, kush ka tufë jo më pak se 5 krerë. Kurse për bletarinë, financimi dyfishohet në 20 mijë lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 25 koshere, nga 50 koshere që ka qenë detyrimi deri në vitin e kaluar.