TIRANË-Partia Demokratike do të mbledhë sot Grupin Parlamentar, vetëm një orë përpara zhvillimit të seancës së parafundit plenare të Kuvendit, duke lënë të hapur mundësinë e një ndryshimi të qëndrimit lidhur me pjesëmarrjen në Parlament. Në dy seancat e fundit opozita zgjodhi të bojkotojë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, njoftoi se mbledhja do të zhvillohet në orën 11:00 në selinë e partisë, ndërsa seanca plenare është planifikuar të nisë në orën 12:00.
“Të hënën, datë 20 Korrik, ora 11:00 do te zhvillojmë mbledhje të Grupit Parlamentar të PD, në seli. Është caktuar seancë plenare të hënën, ora 12:00. Përgatitemi në çdo rast për seancën, që të jemi gati nëse grupi parlamentar vendos që të marrin pjesë”, njoftoi kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi.
Opozita ka deklaruar më herët se mbështet protestat e qytetarëve dhe demokratët nuk do të shkojnë në seanca, derisa të diskutohen në Kuvend amendamentet për ndryshimin e ligjeve, të kërkuara edhe nga protestuesit./ZËRI