
TIRANË- Ulsi Manja, ministri i Drejtësisë ka komentuar vendimin e institucioneve të drejtësisë për të mos marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion, i cili do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj. Në fjalën tij, gjatë një pronocimi për gazetarët, ministri Manja tha se është normale që drejtësia të mos bëhet pjesë e këtij Komisioni. Megjithatë shtoi se për të ardhur në ndihmë, sërish këto institucione janë shprehur të gatshëm për dhënien e ekspertizës ligjore.
Sa i takon draftit për Kodin e ri Penal, ministria tha se shumë shpejt do të hidhet për konsultim publik, duke paralajmëruar se për këtë ligj do të lihen 6 muaj kohë për të diskutuar në publik. Ndaj, shtoi se nuk ka gjasa që ky ligj të miratohet në këtë legjislaturë.
“Janë dhënë shpjegimet për bojkotin. Duhet të bëjmë dallimin me pjesëmarrje me ekspertë dhe dhënies së ekspertizës ligjore. Në vlerësimin tim kjo shkon në të njëjtën gjatësi vale, ka thënë do u japim ekspertizë, por nuk vijmë me ekspertë aty. Është normale në përqasjen që ka vetë sistemi. Ky është qëndrimi, unë si ministër i Drejtësisë ofroj të gjithë ekspertizën për këtë komision. Ka të bëjë me mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe çuarjen para të rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Janë treguar të gatshëm të ofrojnë ekspertizë, por jo me prezencë. Nuk besoj se është normale që prokurorët të atashohen pranë komisionit të posaçëm, por janë gati të ofrojnë ekspertizë siç na e kanë dhënë. Kemi një praktikë të konsoliduar të bashkëpunimit me organet e drejtësisë sa i takon dhënies së ekspertizës
Paditë SLAPP? Direktiva anti-SLAPP, për herë të parë, përcakton një kuadër të qartë për mbrojtjen e personave që përballen me paditë strategjike. Kjo përfshin mekanizma për zgjidhje të shpejtë të çështjeve të tilla, vendosjen e masave që ndalojnë abuzimin me të drejtën për të paditur, dhe ofrimin e mbështetjes për viktimat e padive SLAPP, duke përfshirë mbrojtje ligjore dhe kompensim për dëmet që mund të pësojnë. Konkretisht, ne si Ministri e Drejtësisë kemi marrë përsipër nën kuadrin e Udhërrëfyesit të Shtetit të së Drejtës, konkretisht lidhur me sigurinë e gazetarëve, duke përfshirë SLAPP-in, një analizë të plotë të padive SLAPP duke përfshirë masa korrigjuese, nëse është e nevojshme, qoftë në ligj apo praktikë institucionale, në përputhje me standardet më të mira evropiane. Kjo analizë do na shërbejë për të siguruar që SLAPP-i trajtohet në rastet kur ndodh përmes masave të veçanta përmirësuese nga viti 2025 e në vazhdim. Sfida më e madhe qëndron në zbatimin e këtyre dispozitave në praktikë dhe krijimin e një mjedisi mbështetës, që përfshin disa drejtime: Krijimi i procedurave të shpejta që gjykatat të identifikojnë dhe të refuzojnë në mënyrë efektive paditë e pabazuara dhe abuzive; Forcimi i trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të njohur më mirë dhe për t’u përballur me këtë fenomen; Përfshirja e një mbrojtjeje më të gjerë për gazetarët, aktivistët dhe individët që përballen me SLAPP, duke garantuar një trajtim të drejtë dhe të barabartë në çdo hallkë të procesit gjyqësor
Kodi Penal? Drafti i Kodit Penal, një dokument pune është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë. Janë 65 direktiva të BE që janë reflektuar dhe më pas do të lancohet për konsultim publik. Kodi i Ri penal është reformë, lidhet me një kod të ri, ligj material, që do t’i paraprijë zhvillimit të shoqërisë shqiptare në dekadat e ardhshme. S’ka si të kalojë në këtë legjislaturë kur ende nuk është hedhur për konsultim publik. Me gjithë mendimet që kemi marrë kërkohet kohë për konsultim publik. Ne mendojmë që të jetë minimalisht 6 muaj konsultim publik,”-tha në fjalën e tij ministri.
Komisioni antikorrupsion i drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj ka mbetur vetëm, pa institucionet e drejtësisë. Pasi opozita e bojkotoi prej fillimisht Komisionin, të njëjtin shembull ndoqën edhe disa nga institucionet e drejtësisë, duke e lënë maxhorancën të vetmen palë në tryezë. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Posaçme, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë njoftuan njëri pas tjetrit se nuk do të merrnin pjesë në komision. Në këtë situatë, Famtmir Xhafaj i tha BIRN se do të mbante një qëndrim publik për ecurinë e komisionit javën që vjen. Por deri më tani nuk ka zbuluar detaje. Ndërkohë, përveç institucioneve të drejtësisë, BIRN mësoi se komisioni “Xhafaj” është bojkotuar edhe nga disa organizata të shoqërisë civile, të cilat janë aktive në monitorimin e institucioneve të drejtësisë./ZËRI