TIRANË-Kryeministri Edi Rama në podkastin e tij 'Flasim' ka komentuar zhvillimet e fundit nga politika, mes tyre aksionin e ndërmarrë nga opozita, sjelljen e tyre në Kuvend dhe zgjedhjen e Avokatit të POpullit. Sa i përket këtij të fundit, Rama shprehet se mazhoranca e mbështeti Endri Shabanin si një kandidat të sjellë nga opozita, pavarësisht se sa gjëra ka thënë ai kundër Partisë Soacialiste.
Kreu i qeverisë deklaroi se socialistët pritën që të mbështesnin një nga kandidaturat që do të sillte opozita, por këta të fundit sipas tij 'u hodhën përpjetë sikur po bënim avokat të popullit ndonjë kandidatin të PS". Rama u shpreh se opozita nuk mund t’i imponojë shumicës socialiste vendime me pahir dhe i konsideroi qesharake reagimet në Parlament të deputetëve demokratë.
Edi Rama: Një tjetër zhvillim i ndodhur këtë javë ka qenë edhe betimi në Kuvendin e Shqipërisë i z.Endrit Shabani si Avokati i ri i Popullit. Ppozita iu rikthye vesit që del me shpirtin, rivuri në punë muskulaturën e krahëkëmbëve, rindezi pishtarët e ecjes qorrazi nëpër pyll dhe rifilloi avazin e kërcënimeve për llogari të një dordoleci thuajse 100 vjeçar. Pra e mbeshtetën Endri Shabanin, i dhanë firmat e kërkuara nga ligji, e sollën në buqetën e tyre të kandidatëve, ku për hir të së vërtetës, ky zotëria ishte i vetmi me një sy mes ca qorrave të ububushëm dhe sapo panë që ne, – që thamë që në krye të herës, nuk do të mbështesim asnjë kandidaturë, por do presim që të mbështesim një nga kandidaturat që do të na sjellë opozita – do ta mbështesnim zotin Shabani, u hodhën përpjetë sikur po bënim avokat të popullit ndonjë kandidatin tonë. Qesharak deri në fund domethënë, po përveçse qesharakë edhe të lodhur deri në fund nga mendja, që nuk ua nxjerr e nuk ua nxjerr mësimin se me pahir e me budallallëk, mua dhe kësaj shumice popullore që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë, jo ata, po askush në këtë vend nuk na imponon dot asgjë. Pahiri dhe budallallëku janë një gjuhë që ne nuk e kuptojmë. Endri Shabani ka thënë shumë gjëra kundër nesh e kundër meje personalisht sa të duash, por ne e zgjodhëm si kandidat të opozitës, duke respektuar parimin e ndjekur edhe më parë, pavarësisht se këtë herë i kishim edhe mbi 84 votat e nevojshme e po të ishim ata që nuk jemi, por që ata thonë se ne jemi, mund të zgjidhnim kë të donim, por nuk e bëmë. Kurse ata që u bënë pishman, mend për herë tjetër.
Endri Shabani u zgjodh me 85 vota në postin e Avokatit të Popullit, pas debatesh të gjata në Kuvend. Në procesin e votimit nuk mori pjesë asnjë demokrat, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama votoi./ZËRI