
TIRANë- Kryedemokrati Sali Berisha gjatë një konference për mediat foli për shitjen e ilaçeve në vendin tonë. Berisha tha se sapo PD të jetë në pushtet do të miratohet një ligj që të ndalohet shitja e ilaçeve që nuk gjenden në të paktën në dy vende në Bashkimin Evropian. Kryedemokrati u shpreh se më këtë ligj do të heqë edhe liçensat e Vilma Nushit dhe Tom Doshit në mënyrë që të mos shesin më në vendin tonë ilaçe që nuk japin asnjë efekt.
"100 ditët e para, garantoj çdo qytetar shqiptar, se: Një, votohet ligji në parlament në të cilin përcaktohet se në Shqipëri nuk mund të shitet asnjë ilaç që nuk shitet në të paktën dy vende anëtare të BE si garanci që qytetarët shqiptarë do marrin ilaçet me cilësinë më të lartë. E gjithë kostoja në paketën e rimbursimit do paguhet nga qeveria për këtë lëvizje. Dy vetë procedohen, Vilma Nushi dhe Tom Doshi humbasin çdo licencë dhe shitja e ilaçeve që kanë bërë ata jashtë standardeve do u rikthehet në masa ndëshkimore shembullore, pasi mali, po t’i bëje dhimbjet njerëzore për shkak të ilaçeve që nuk veprojnë, arrijnë një mal i tërë. E keni parë ju në Vuno fshatin pa leje të Vilma Nushit? Nushët në të gjithë dokumentet ishin varfanjakë. Edhe stërgjyshi i Ramës, që tani na del pronar, kishte 4 dhi me dokumente. Thomai kishte 4 dhi në vathë. U vërsulën tek tokat, absolutisht do t’u merren toka e ndërtime e çdo gjë. Paralajmëroj të gjithë ata që do blejnë në fshatin Rama-Nushi, Nushi-Rama do u konfiskohen vilat. E kemi thënë, auditi i përgjithshëm ka të dhëna të reja shumë interesante që do ua paraqes unë këtu për plaçkitjen që bëri Rama me Nushët tokave në Dhërmi. Do ua sjell këto dokumentet. Të shihni ju se çfarë falsifikimesh janë bërë, do çuditeni", tha Berisha.
Menjëherë pas kësaj reagoi Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, ku e akuzoi Berishën si një “gënjeshtar”.
“E kanë kuptuar dhe e kanë besuar çdo vit e më shumë. Tom Doshi ka qenë pranë qytetarëve me dhe pa pushtet, ka ndihmuar mijëra njerëz në hall pa kërkuar asgjë në këmbim. Në 11 maj, qytetarët do të zgjedhin burrat e fjalës, jo gënjeshtarët,” thuhet në reagimin e PSD./ZËRI