
TIRANË-Komisioni i Ligjeve është përfshirë nga debatet që në nisje. Komisioni i Ligjeve, që është mbledhur këtë të martë, drejtohet nga zëvendëskryetari Eduart Ndreca, ndërsa mungonte kryetarja Klotilda Bushka. Deputeti demokrat Dashnor Sula kërkoi që të miratohet një deklaratë nga anëtarët e komisionit ku distancohen nga kryetarja Klotilda Bushka, e cila dje u pyet nga SPAK në lidhje me dosjen e Erion Veliajt ku dyshohet se ka penguar hetimet.
Sula ka theksuar se veprimet e Klotilda Bushkës kanë dëmtuar rëndë imazhin e Komisionit të Ligjeve dhe se ato nuk mund të kalohen pa një qëndrim të qartë. Ai e ka cilësuar veprimin e saj si “të pafalshëm” dhe ka shtuar se veprime të tilla janë realizuar me vetëdije, duke penguar hetimet ndaj Veliajt.
Dashnor Sula: Ky komision do të duhet të kishte pasur një qëndrim dhe nuk mund të kalojë në një gjendje kaq të heshtur. Të gjithë anëtarët e komisionit të ligjeve mazhorancë dhe opozitë së bashku të bënim një deklaratë të distancimit. Është e paimagjinueshme që kryetarja e komisionit të ligjeve të jetë personi që ka kryer veprime në kundërshtim të hapur me ligjin. Kudo mund ti ndodhë, por me një vetëdije të paparë në pengimin e hetimit të drejtësisë për kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, kjo është e paimagjinueshme, e pafalshme. Prandaj unë do të kërkojë nga ju zoti drejtues i këtij komisioni që të kemi një deklaratë apo një prononcim që të distancohemi nga kjo sjellë që ka bërë kryetarja e Komisionit të Ligjeve, sepse ka dëmtuar rëndë imazhin e Komisionit të Ligjeve.
Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka u paraqit një ditë më parë 24 shkurt në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me hetimet ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Socialistja po hetohet nga SPAK për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, deputetja ka ndërhyrë në hetimet e SPAK ndaj Erion Veliaj në dhjetor të vitit 2024. Kjo vepër penale përfshin kryerjen e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj./ZËRI