Politikë

Drejtorë të pastrehë! Kryebashkiakja e Bulqizës nuk e mohon: Lista s'ka përfunduar

Vetë ktyebashkiakja shprehet se ende nuk ka asnjë listë të miratuar me emrat e përfituesve.

F.I
Drejtorë të pastrehë! Kryebashkiakja e Bulqizës nuk e mohon:
Festime Mjeshtri

BULQIZË-Bashkia e Bulqizës ka reaguar pas lajmit të publikuar se kryetarja Festime Mjeshtri, dyshohet se ka përfshirë në listën e përfituesve nga programet sociale disa nga drejtorët e bashkisë. Në listën që qarkullon evidentohen emrat e Izabela Kocaqi, Shqipe Keta, Korab Kika, Adhurim Reçi dhe Fatri Puca. Vetë ktyebashkiakja shprehet se ende nuk ka asnjë listë të miratuar me emrat e përfituesve. Më tej thuhet se ka nisur një proces i cili do të jetë i monitoruar dhe në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Në reagim nuk mohohet që këta emra të jenë pjesë e përfituesve, por thuhet se "lista që po qarkullon në media NUK është lista përfundimtare e përfituesve, pasi një e tillë ende nuk është përpiluar. Ajo përfaqëson vetëm një inventar të aplikantëve që kanë dorëzuar dokumentacionin për shqyrtim."

Deklaratë e Bashkisë Bulqizë:

Bashkia Bulqizë është njohur me lajmet që kanë qarkulluar së fundmi në disa portale lidhur me listën e personave përfitues nga programet sociale të strehimit dhe ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik mbi këtë çështje.

Së pari, nuk ka asnjë listë të miratuar!

Ka nisur një proces i cili do të jetë i drejtë, i monitoruar dhe plotësisht në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

- Thirrja për aplikim është shpallur publikisht në faqen zyrtare të Bashkisë Bulqizë, duke garantuar një proces të hapur dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e interesuar.

- Lista që po qarkullon në media NUK është lista përfundimtare e përfituesve, pasi një e tillë ende nuk është përpiluar. Ajo përfaqëson vetëm një inventar të aplikantëve që kanë dorëzuar dokumentacionin për shqyrtim.

- Verifikimi dhe filtrimi i dosjeve kryhet nga Komisioni Paraprak i Shqyrtimit, organi përgjegjës që analizon çdo aplikim me përpikmëri, bazuar në kriteret ligjore.

- Pas përfundimit të shqyrtimit, lista e aplikantëve që plotësojnë kriteret do t’i dërgohet për votim Këshillit Bashkiak i cili është organi i vetëm vendimmarrës për përzgjedhjen e përfituesve.

Çdo vendim do të jetë transparent dhe do të bëhet publik pas miratimit nga Këshilli.

Bashkia Bulqizë është e vetëdijshme për rëndësinë e këtij procesi dhe siguron qytetarët se asnjë individ nuk do të përfitojë padrejtësisht. Çdo aplikim do të vlerësohet mbi bazën e kritereve të barabarta dhe të ligjshme. Në këtë kuadër, çdo informacion i pavërtetë apo spekulim që synon të krijojë konfuzion dhe të cenojë integritetin e procesit është i pabazuar dhe i pavlefshëm. Për çdo sqarim shtesë, qytetarët mund të drejtohen pranë Bashkisë Bulqizë.

Nënkryetari i kësaj bashkie, Haxhi Pulja, më 21 nëntor të vitit të shkuar ka firmosur listat e reja për familjet që marrin statusin si të pastrehë dhe përfshihen në programin e banesave me kosto të ulët. Në dokument si pjesë e listës janë përfshirë edhe drejtues të institucioneve të ndryshme në Bashkinë Bulqizë, por edhe kryetarë të njësive administrative, si Izabela Kocaqi, Shqipe Keta, Korab Kika jurist në Drejtorinë e Shëndetit Publik Bulqizë, Adhurim Reçi, Fatri Puca, etj./ZËRI

Poll

MOS HUMB