Politikë

Durana ka nisur aktivitetin financiar/ Ibrahimaj mohon akuzat për parajsë fiskale: Vetëm 5 kompani nuk paguajnë taksa!

Në fjalën e saj në Kuvend, ministrja sqaroi se numri real i kompanive që kanë përfituar nga lehtësirat fiskale janë vetëm 5. 

F.I

Durana ka nisur aktivitetin financiar/ Ibrahimaj mohon akuzat për

TIRANË-Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në interpelancën e kërkuar nga Agron Shehaj dhe Erald Kapri për ‘Durana Tech Park’, ka sqaruar projektin. Në fjalën e tij, Shehaj i drejtoi ministres disa pyetje konkrete, duke kërkuar informacion për numrin e kompanive të regjistruara në “Durana Park”, sa prej tyre janë të lidhura me persona të shpallur në kërkim apo të akuzuar për vepra penale, si dhe sa kanë përfituar këto kompani nga lehtësitë fiskale, përfshirë përjashtimin nga tatimfitimi dhe tatimi mbi pagat.

Edhe ZËRI raportoi për skemën e dyshimtë që është ndjekur në krijimin e 'Durana Tech Park', e cila ka si pronare Korporatën e Investimeve Shqiptare, që drejtohet nga Elira Kokona. Deri tani janë regjistruar më shumë se 52 kompani të lidhura me AKSHI-n, të cilat nga 1 Janari nuk do të paguanin taksa dhe detyrimet në shtet, pasi supozohej të sillnin risi në fushën e teknologjisë.

Lidhur me këtë lehtësirë fiskale, Ibrahimaj mohoi që ‘Durana’ të përbëjë një parajsë fiskale. Në fjalën e saj në Kuvend, ministrja sqaroi se numri real i kompanive që kanë përfituar nga lehtësirat fiskale janë vetëm 5. 

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj:Parajsa fiskale ka disa komponentë, janë katër. Parajsë fiskale konsiderohet një hapësirë gjeografike, shtete apo qytete, të cilat kanë taksa të ulëta apo zero, kanë një mungesë transparence mbi bizneset që regjistrohen por mbi të gjitha me pronarët që regjistrohen, ka mungesë kontrollesh tatimore dhe legjislacion fleksibël për parandalimin e pastrimit të parave. Tani më thoni ju, ku hyn Durana këtu? Durana ka një procedurë standarde dhe shumë të dokumentuar për regjistrimin e përdoruesve. Të gjitha subjektet e regjistruara në Durana, janë të gjitha në QKB dhe deklarojnë pronarin përfitues dhe kanë detyrim për këtë. Janë subjekte që nuk anashkalojnë në asnjë moment monitorimin fiskal, aq më shumë se çdo përdorues duhet të njoftojë organin tatimor që është përdorues. Ata që marrin statusin e përdoruesit për të përfituar nga lehtësimin. Janë aty sepse lehtësimet fiskale përdoren gjerësisht nga qeveritë dhe inovacioni është prioritet për qeveritë shqiptare. Nëse bëjnë shkelje e humbin këtë status. Në 52 kompani, 27 nuk e kanë nisur ende faturimin, sepse koha ka qenë e shkurtër nga regjistrimi deri tani, nuk është biznes që shet mall, do krijojë do bëjë shkencë dhe ka kohën e vetë. Numri real i kompanive që kanë përfituar nga lehtësirat fiskale janë vetëm 5. Këto kompani nuk paguajnë tatim fitim, por jo vetëm për Duranën.

Ndërkohë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur tashmë një hetim për projektin “Durana Tech Park” të Korporatës Shqiptare të Investimeve, në vijim të hetimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t. SPAK po verifikon nëse projekti DURANA është përdorur për favorizim dhe shmangie taksash në funksion të të njëjtëve aktorë të përfshirë në dosjen AKSHI.

Poll

MOS HUMB