Politikë

"Gërdeci”/ '6 kongresmenë letër Ministrisë së Drejtësisë', Fatmir Mediu: Të merren parasysh dëshmitë e dhëna në SHBA

Gjatë diskutimeve në seancë, ish-ministri kërkoi që trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të marrë parasysh dëshmitë e personaliteteve politike dhe ushtarake të kohës.

k.m.
"Gërdeci”/ '6 kongresmenë letër Ministrisë
Fatmir Mediu

TIRANË- Këtë të mërkurë u mbajt seanca e radhës në GJKKO për “Gërdecin”. Ndryshe nga seanca e shkuar, sot në seancë, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu kundërshtoi sërish akt-ekspertizën e paraqitur nga grupi i ekspertëve. Gjatë diskutimeve në seancë, ish-ministri kërkoi që trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të marrë parasysh dëshmitë e personaliteteve politike dhe ushtarake të kohës. Po ashtu, shtoi se 6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar që edhe të merren parasysh gjatë gjykimit.

Mediu: 6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, ku kërkojnë që dëshmitë e personaliteteve ushtarake dhe politike të kohës të dhëna në SHBA vullnetarisht me (afidavit), që është deklarim nën betim dhe ka vlerën e provës në sistemin e drejtësisë amerikane, të merren parasysh në procesin ‘Gërdeci’.”

Kërkesa e tij vjen pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar refuzoi thirrjen e tyre si dëshmitarë.

Më pas, Mediu, pas daljes së tij nga ambientet e GJKKO-së, ka dhënë një deklaratë për shtyp, lidhur me atë se çfarë është diskutuar brenda Gjykatës. Duke u shprehur se nuk ka pasur akte që përcaktojnë përgjegjësinë e ministrit për transportin e municioneve, ish-ministri u ndal edhe njëherë tek kërkesa e tij për të marrë në pyetje dëshmitarët.

“Së pari, sa i përket debatit gjyqësor. Unë e bëra të qartë se është në kundërshtim të ligjit, që ministri i mbrojtjes, i cili është autoritet civil t’i kërkohet që të njohë kalibrat. Për më tepër, e theksoj e një gjë tjetër, që nuk ka asnjë akt ligjor që mat kalibrat e mëdhenj e të vegjël, e ka një praktikë të përcaktuar tashmë në Ministrinë e Mbrotjes, në bashkëpunim me kompanitë ndërkombëtare e me partnere të NATO-s, ku kalibrat 20-160 mm, cilësohen si kalibra të vegjël. Më tej pastaj, ajo se çfarë ka të bëjë me transportin e municioneve. T’i thuash ministrit që ti duhet të përcaktosh me urdhër, se urdhri i ministrit të mëparshëm… Një urdhër ministri kur del, ka një strukturë zbatuese. Thjesht e qartë, mendoj se ministri është përgjegjës përballë Kushtetutës, marrëveshjeve ndërkombëtare, ligjeve edhe vendimeve të qeverisë. Aktet që kanë dalë nga ministri kanë përcaktuar strukturat detyruese raportuese, sidomos në rastin e ministrisë së mbrotjes. Kjo është për sa i përket debateve. Por, duhet të them që në mënyrë të qartë, edhe ekspertët ushtarakë edhe ekspertët që merren me transportin, kanë thënë që nuk ka akte që përcaktojnë përgjegjësi të ministrit për sa i përket transportit të kalibrave. Këto janë çështje të rregullorëve. Ne kemi kërkuar që në listën tonë të dëshmitarëve, të ishin dhe ata që na kanë asistuar, të cilët janë ushtarakë të lartë, të nderuar të Shtetet të Bashkuara të Amerikës. Komandanti suprem i NATO-s, kanë qenë po ashtu dy ekipe amerikane të cilat na kanë asistuar në përgatitjen e të gjitha akteve ligjore sa i përket politikave të mbrotje,”- tha ai.

Seanca e radhës për Mediun është vendosur më datë 24 qeshor, ora 13:00.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI

Poll

MOS HUMB