TIRANË- Më 11 korrik 2026, ylli ndërkombëtar i muzikës Kanye West pritet të zbarkojë në Tiranë për një koncert që ka ngjallur debate dhe reagime të shumta, kryesisht për shkak të alokimit prej 4 milionë eurosh nga qeveria për organizimin e tij.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me këtë ngjarje muzikore, ndërsa këtë herë ka sjellë një krahasim me Spanjën lidhur me pritshmëritë që ka koncerti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka bërë një krahasim me koncertin e Kanye ëest që pritet të mbahet në Algarve më 7 gusht, duke theksuar përfitimet e pritshme për ekonominë lokale.
Sipas të dhënave të publikuara nga kryeministri, koncerti në Spanjë pritet të gjenerojë deri në 49 milionë euro për ekonominë e Madridit, të krijojë mbi 3 mijë vende pune dhe të mirëpresë rreth 68 mijë fansa, ku më shumë se 60% e tyre pritet të jenë vizitorë nga jashtë vendit.
“Koncerti i vetëm i Kanye West pritet të sjellë deri në 49 milionë euro për ekonominë e Madridit, të krijojë më shumë se 3 mijë vende pune dhe të mirëpresë 68 mijë fansa, ku mbi 60% e tyre do të udhëtojnë nga jashtë vendit. Ngjarja do t’i japë një shtysë të madhe hoteleve, restoranteve, turizmit dhe sektorit të shitjeve me pakicë në qytet, duke e forcuar më tej Madridin si një nga destinacionet kryesore të muzikës live në Evropë”, shkruhet në postim.
Ndëkrohë që krahas kritikave të ditëve të fundit, kreu i qeverisë dhe ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, kanë deklaruar se ky event është një mundësi për promovimin e turizmit dhe stimulimin e ekonomisë, duke u shprehur se llogariten të ardhura jo më pak se 100 milionë euro.
Në një tjetër reagim, pak ditë më parë, Rama theksoi se 4 milionë euro janë dhënë në momentin e fundit për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete. /ZËRI
