"Kryefajtori i çdo rasti jam unë!" Rama: Si mund të them s'e dija...që m'i hëngrën dardhat pas shpinës?
TIRANË- "Kryefajtori i çdo rasti jam unë", kështu ironizoi kryeministri Rama pretendimeve dhe akuzave të opozitës pas arrestit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Kreu i qeverisë kundërshtoi akuzat, duke theksuar se nuk mund të mbajë ai përgjegjësi për çdo person të lidhur me të, në rast se ky i fundit ka shkelur ligjin.
“Po si mund të mos e dija; po si mundet që të mos jem i përzier unë vetë; po si mund të them prapë se m’i hëngrën dardhat pas shpinës; po si si si...” Sepse sipas atij avazi, kryefajtori i çdo rasti jam pikërisht unë, që e desha kur askush nuk e besonte si të mundshme, e udhëhoqa kur shumëkush e donte të vdekur dhe e mbroj si askush tjetër Reformën në Drejtësi. Por ja që një kryeministër nuk gjykohet dot me pretendimin absurd, që asnjë njeri i lidhur me të nuk do ta shkelë kurrë ligjin, sepse përndryshe shkelësi është ai vetë.", tha Rama. /ZËRI
Rama u përgjigjet kërkesave për dorëheqje: Askush dhe asgjë nuk më ndalin dot!
TIRANË- Kreu i qeverisë Edi Rama komentoi sot çështjen e ish-kreu të SHISH, Vlora Hyseni, duke e lidhur me luftën kundër korrupsionit. Këto zhvillime, Rama i quajti "pjesë jetike të ndryshimit rrënjësor pa kthim ku po ecën Shqipëria". Gjatë fjalës së tij, kryeministri dha një mesazh të qartë, duke theksuar se nuk do të tërhiqet.
“Korrupsioni sot po përballet me një tjetër sistem, ku po zhvillohen organe që hetojnë dhe në liri dhe pavarësi të plotë. Deri dje korrupsion ishte sistemi, sot sistemi po lufton korrupsionin, ky është ndryshimi epokal. Vetëpastrimi i sistemit është zhvillim i shumëpritur organizimin e shtetit, pas një agonie të gjatë sa historia e shtetit shqiptar.
Pas një agonie të gjatë sa historia e shtetit shqiptar, organizmi i shtetit po fiton imunitet nga sëmundjet e vjetra dhe, kur kjo fazë e zhurmshme, e pistë dhe e dhimbshme të ketë kaluar, kur emrat, sekretet, jargët, shkrofëtimat dhe piskamat e tezgave mediatike të jenë fashitur, kur tymi i pasqyrave dixhitale të jetë shpërndarë dhe pluhurat e kantierit të Reformës në Drejtësi të jenë tretur, atëherë të gjithë do ta shohin se këto zhvillime janë pjesë jetike e ndryshimit rrënjësor pa kthim ku po ecën sot Shqipëria.
Sot unë jam kthyer në Shqipëri, por Shqipëria nuk kthehet pas. Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalin”, tha Rama./ZËRI
Rama kundërshtarëve: Hidheni bombën dhe le të shpërthejë një orë e para
TIRANË Kryeministri Edi Rama, në një reagim të gjatë për zhvillimet pas masës ndaj ish-drejtueses së SHISH, u ndal edhe te akuzat e vazhdueshme të opozitës ndaj tij për korrupsion.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se gjatë qeverisjes së tij nuk ka prekur paratë dhe pronat e shqiptarëve. Duke iu referuar akuzave të opozitës për korrupsion, kryeministri tha se kundërshtarët e tij po përpiqen ta përdorin këtë çështje si një “bombë” politike, për të cilën besojnë se mund ta rrëzojnë nga pushteti.
"Kundërshtarët e mi, që nga të përdalët e rrugëve opozitare dhe deri te dashtakzemërakët e ish-rrugëve qeveritare kujtojnë se kanë shpikur bombën çudibërëse që do hedhë përtokë Ramën, korrupsion, korrupsion, na mbyti korrupsioni...Dua të jem shumë i qartë me ju të gjithë, le ta hedhin atë bombë, mëngjes, drekë, darkë. Në ekranet televizive dhe la ta shpërthejnë orë e çast", u shpreh Rama./ZËRI
"Mora orë super të shtrenjtë nga krimi"? Rama: Pisanjosët me kostum parlamentar...Dhuratat e mia janë pronë e shtetit
TIRANË- “Pisanjosë me kostum parlamentar”, i quajti kryeministri Rama opozitarët që e kanë akuzuar atë se ka marrë një orë të shtrenjtë dhuratë nga krimi i organizuar.
Kreu i qeverisë sqaroi se të gjitha dhuratat që ka marrë si kryeministër janë regjistruar si pronë e shtetit shqiptar. Madje, kryeministri shtoi se sot në Kryeministri ka një muze të dhuratave.
“Kush ka përfituar të drejta kushtetuese të zhvillimit të pronës apo mundësi të ligjshme investimi, e di shumë mirë çfarë flas, e di shumë mirë çfarë them kur them se pushteti im nuk është përdorur për të dhënë favore të errëta. Sot në Kryeministri ka një muze të dhuratave. Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar, të cilët kanë nxjerrë edhe një orë super të shtrenjtë që paskam marrë dhuratë nga krimi i organizuar, u them se në atë muze ka një duzinë orësh të shtrenjta dhe super të shtrenjta, të cilat më janë dhuruar mua nga miq të fuqishëm apo vizitorë të huaj. Ndryshe nga paraardhësi im, që i ka përlarë të tëra bashkë, unë i kam regjistruar të gjitha dhuratat për Kryeministrin si prona të shtetit shqiptar. Sepse çfarë vjen për mua si Kryeministër dhe çfarë më takon ta kem si Kryeministër, nuk vjen për ta çuar në shtëpinë time.”, u shpreh Rama.
"Na mbyti korrupsioni?", Rama: Po goditet, nuk po rritet...Jemi të palëkundër në këtë betejë
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shkarkimit dhe arrestimit të Vlora Hysenit, duke u ndalur edhe te pasojat politike të këtij zhvillimi.
Rama u ndal te pasojat e këtij arrestimi, duke thënë se kjo nuk tregon se qeveria është përfshirë nga korrupsioni. Sipas tij, zhvillimet e fundit dëshmojnë të kundërtën, pasi drejtësia po vepron edhe ndaj personave me funksione të larta.
"Nuk kam asnjë gjë tjetër për të shtuar por tani kam ende për të thënë për kuptimin politik të këtij zhvillimi pasi edhe këtë herë u ngrit në kupë të qiellit një aktakuzë kundër qeverisë dhe meje personalisht, me refrenin e shfrenuar ‘;na mbyti korrupsioni. Pavarësisht bindjeve dhe kahjes së votës, fakti që drejtësia prek edhe njerëz me funksione të larta, anëtarë të qeverisë e bashkëpunëtore nuk provon se na mbyti korrupsioni apo se po shtohet. Përkundrazi. Faktet se në episodet e këtij kapituylli të ri për Shqipërinë nuk provon asesi që shumica qeverisësae është e korruptuar. Ky fakt, këto episode, kjo drejtësie e re ku kurrë më parë nuk ka pasur një lloj drejtësie të pavarur, ku ska pasur kurrë një udhëhehqej politike e interesuar për ti dhënë pavarësi apo forcë politike për ta mbështetur atë duke marrë përsipër kostot, provojnë të kundërtën e avazit që na mbyti korrupsioni. Korrupsioni po goditet nuk po rritet. Shumica e qeverisëse është e palëkundur në luftën kundër korrupsiopnit mbi të gjitha brenda rradhëve të saj. Jemi të angazhuar deri në fund, qoftë për reforma qoftë për përballimin e kostove politike që sjell angazhimi kundër korrupsioni i organeve të drejtësisë", tha Rama.
Arrestimi i ish-kreut të SHISH, Rama: Masë ekstreme, por nuk nuk mund të ndërhyj

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zhvillimet e fundit pas arrestimit të ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni.
Në një mesazh nga Aeroporti “Nënë Tereza”, Rama e cilësoi masën e marrë ndaj ish-drejtueses së SHISH si ekstreme, duke vënë theksin te rëndësia e institucionit që ajo drejtonte. Kryeministri theksoi se çdo dyshim duhet të hetohet dhe çdo akuzë të provohet ose të rrëzohet.
“Zhvillimet e ditëve të fundit pas arrestit të ish drejtueses së SHISH kërkojnë një adresim të menjëhershëm. Ishte një masë ekstreme, po të mbajmë parasysh po të bëjmë fjalë për ekspozimin e një institucioni kyç. Cdo dyshim i arsyeshëm duhet të hetohet deriu në fund. Çdo akuzë duhet të provohet ose të rrëzohet. Cdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo që nuk ka imunitetit kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo në podiumin e kryeministrit”, tha Rama./ZËRI
"SHISH u ekspozua ndaj një dëmi që duhet të ishte parandaluar", Rama: Të dhënat hetimore vërshuan në rrjete sociale

TIRANË- Kryeministri Edi Rama e cilëso ekstreme masën e marrë nga SPAK ndaj kreu të SHISH. Në një konference nga aeroporti Nënë Tereza, menjëherë pasi mbërriti nga SHBA, Rama theksoi se SHISH u ekspozua ndaj një dëmi të madh që mund dhe duhej parandaluar. Sipas Ramës, të dhënat e dosjes hetimore janë shpërndarë në rrjete sociale përpara se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre.
“Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo qoftë që s’ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo me opinion e krye as në foltoren e Kryeministrit. Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj. Në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që nuk mund të anashkalohet sikur s’ka ndodhur.
Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht. Të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre.”, tha Rama./ZËRI
Pritje në Rinas...por Rama anulon konferencën, pritet të drejtohet me një video-mesazh
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka anuluar konferencën për shtyp që ishte njoftuar se do të zhvillonte në Aeroportin “Nënë Tereza”, pas mbërritjes nga New York-u.
Rama pritej t’u drejtohej shqiptarëve nga salla e shtypit në Rinas, por sipas informacioneve të fundit, komunikimi nuk do të bëhet live.
Kryeministri pritet të publikojë pas pak një video-mesazh për qytetarët, ku pritet të përcjellë mesazhin e paralajmëruar pas kthimit nga SHBA./ZËRI
Rama mbërrin në Rinas nga SHBA, pas pak do t’u drejtohet me një mesazh shqiptarëve
TIRANË- Kryeministri Edi Rama sapo ka mbërritur këtë të dielë në aeroportin “Nënë Tereza” pas vizitës në SHBA për Asamblenë e OKB. Pas pas, pritet që kreu i qeverisë të adresojë një mesazh për shqiptarët. Nuk dihet se cila do jetë deklarata e tij, megjithëse pritet që të jetë një reagim për për zhvillimet e fundit në vend.
Kthimi i kryeministrit në Tiranë vjen pas vizitës së tij 6-ditore në New York. Rama mori pjesë në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./ZËRI
Pritet rikthimi i kryeministrit Rama nga SHBA, Rinasi “blindohet” nga Garda dhe FNSH (VIDEO)
TIRANË- Në Aeroportin e Rinasit është shtuar prania e forcave të sigurisë, teksa pritet mbërritja e kryeministrit Edi Rama nga Shtetet e Bashkuara. Makina e kreut të qeverisë, efektivë të Gardës së Republikës, FNSH-së dhe Policisë së Shtetit ndodhen në aeroport në pritje të Ramës.
Në mbërritjen e tij, Rama pritet që t'u drejtohet me një mesazh shqiptarëve nga salla e shtypit të Aeroportit “Nënë Tereza”. Kreu i qeverisë shqiptare rikthehet nga një vizitë 6-ditore në SHBA në kuadër të Asamblesë së OKB./ZËRI
Thirrja urgjente! Kryeministri u drejtohet sot shqiptarëve, pritet mesazhi nga aeroporti "Nënë Tereza"
TIRANË- Kryeministri Edi Rama do t’u drejtohet shqiptarëve me një mesazh gjatë ditës së sotme, menjëherë pas kthimit nga vizita e tij në Kombet e Bashkuara. Rama do të flasë nga salla e shtypit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku pritet të mbajë një komunikim për mediat dhe qytetarët.
Sipas njoftimit, orë e saktë e adresimit do të njoftohet sot paradite, pasi nisja aeroporti JFK i Nju Jorkut është ende e pakonfirmuar si rezultat i motit të keq.
Njoftimi:
Nesër sapo të kthehet nga vizita në Kombet e Bashkuara, kryeministri Edi Rama do t’u drejtohet me një mesazh shqiptarëve nga salla e shtypit të Aeroportit “Nënë Tereza”.
Duke qenë se nisja sot nga aeroporti JFK i Nju Jorkut është ende e pakonfirmuar si rezultat i motit të keq, orën e saktë të adresimit do ta njoftojmë nesër paradite.
Ky komunikim i kryeministrit vjen pas zhvillimeve të fundit në SHISH, ku drejtuesja e shkarkuar nga detyra, Vlora Hyseni, ndodhet në “arrest shtëpie”. Hyseni dyshohet se i ka dorëzuar informacione sekrete biznesmenit Ergys Agasi, i cili ndodhet në arrest në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo çështje do të jetë një nga temat për të cilat kryeministri do të flasë, apo nëse adresimi i tij do të lidhet me një tjetër zhvillim./ZËRI