Politikë

Marrëveshja e pensioneve me Italinë, Rama: Shqiptarët do të përfitojnë prej 1 qershorit

Rama shkruan se gjatë vizitës së kryeministres italiane Giorgia Meloni, në kuadër të samitit, ajo solli edhe dokumentin final mbi zbatimin e marrëveshjes së pensioneve.

I.F
Marrëveshja e pensioneve me Italinë, Rama: Shqiptarët do të
Giorgia Meloni dhe Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se të gjithë emigrantët në Itali, prej 1 qershorit do të përfitojnë nga marrëveshja për pensionet. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Rama shkruan se gjatë vizitës së kryeministres italiane Giorgia Meloni, në kuadër të samitit, ajo solli edhe dokumentin final mbi zbatimin e marrëveshjes së pensioneve.

“LAJM I MIRË dhe i ndarë veç për t’i dhënë vëmendjen e duhur, jashtë vorbullës së Samitit të Komunitetit Politik Europian:

Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë”, shkruan Rama.

Marrëveshja për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore u arrit më 6 shkurt të vitit 2024 dhe u firmos në Romë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani. Sipas marrëveshjes shqiptarët, të cilët punojnë dhe jetojnë në Itali, do t’u njihen vitet e punës dhe po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për qytetarët italianë që jetojnë në Shqipëri.

Sipas të dhënave, rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali do të përfitojnë pensione. Po ashtu, shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje. Deri tani shteti shqiptar ka negociuar dhe lidhur me marrëveshjen me 17 shtete. Ky dakordësim bën të mundur që të mos humbasin vitet e kontributeve dhe shtetasit të përfitojnë pension nga të dyja vendet. Ndërsa rreth 4 mijë italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri do të përfitojnë nga kjo marrëveshje./ZËRI

Poll

MOS HUMB