Politikë

"Mjaftojnë dy javë"/ PD: Të mblidhet nesër Këshilli i Mandateve për "Ballukun"! Refuzon Kuvendi: Mbledhja vetëm kur...

Përmes një shkrese zyrtare, PD i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, prej të cilit kërkojnë që të mbledhë Këshillin nesër, 30 dhjetor, në orën 11:00.

zh.ll
"Mjaftojnë dy javë"/ PD: Të mblidhet nesër
pd-kerkesa

TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kanë kërkuar sërish mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Imunitin për çështjen "Balluku". Përmes një shkrese zyrtare, PD i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, prej të cilit kërkojnë që të mbledhë Këshillin nesër, 30 dhjetor, në orën 11:00. Opozita kërkon mbledhjen e urgjente të Këshillit për shqyrtimin e kërkesës së SPAK dhe heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe ministres, Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj. 

Në kërkesë, deputetët demokratë, anëtarë të Këshillit, Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti, Gent Strazimiri dhe Saimir Korreshi, duke theksuar se afati dy javor 16-30 dhjetor është i mjaftueshëm për njohjen e akteve nga ana e palëve. Ata theksojnë ndër të tjera konstatimin e SPAK sipas të cilit, Belinda Balluku po intimidon dëshmitarët.

"Mjaftojnë dy javë"/ PD: Të mblidhet nesër
kerkesa e pd
"Mjaftojnë dy javë"/ PD: Të mblidhet nesër
kerkesa e pd

Në përgjigje Kuvendi ka refuzuar kërkesën e demokratëve, duke theksuar se ky proces nuk është përmbyllur dhe palët nuk janë pajisur me kohën e nevojshme për ushtrimin e kësaj të drejte, dhe për këtë arsye nuk plotësohen kushtet procedurale
për caktimin e një date të re mbledhjeje. 

"Për sa kohë mbledhja e datës 19 dhjetor 2025 është shtyrë për arsye proceduriale dhe shqyrtimi i çështjes vijon të jetë i hapur, nuk ekziston bazë proceduriale për thirrjen e një mbledhjeje tjetër me rend dite të paracaktuar, sipas kërkesës së paraqitur.", theksohet në reagimin e Kuvendit.

Në përfundim, sqarohet se mbledhja e radhës do të zhvillohet vetëm kur të jenë përmbushur plotësisht kushtet procedurale të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit.

Reagimi i plotë i Kuvendit:

Në përgjigje të kërkesës suaj për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ju bëj me dije sa vijon: Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/zëvendëskryeministrit është thirrur dhe është zhvilluar në datën 19 dhjetor 2025, në përputhje me nenin 13 të Rregullores së Kuvendit.

Me thirrjen dhe zhvillimin e kësaj mbledhjeje, kompetenca proceduriale për thirrjen e Këshillit lidhur me këtë çështje është ezauruar, pasi çështja është vendosur në rend dite dhe është hapur për shqyrtim që nga data 19.12.2025. Sipas nenit 13, pika 6, të Rregullores së Kuvendit, caktimi i rendit të ditës, së mbledhjes, përbën kompetencë të Kryetarit të Kuvendit dhe ushtrohet në funksion të ecurisë proceduriale të çështjes së hapur.

Për sa kohë mbledhja e datës 19 dhjetor 2025 është shtyrë për arsye proceduriale dhe shqyrtimi i çështjes vijon të jetë i hapur, nuk ekziston bazë proceduriale për thirrjen e një mbledhjeje tjetër me rend dite të paracaktuar, sipas kërkesës së paraqitur. Në mbledhjen e Këshillit të datës 19 dhjetor 2025, gjatë shqyrtimit të çështjes në fjalë, u konstatua
mungesa e një dakordësie ndërmjet anëtarëve të Këshillit lidhur me afatin kohor që duhej t’i lihej palës mbrojtëse për ushtrimin efektiv të së drejtës për njohje me aktet dhe provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.

Përfaqësuesi ligjor i znj. Belinda Balluku, duke iu referuar ligjit, kërkoi 3 javë kohë për t’u përgatitur për mbrojtjen ligjore në kuadrin e garantimit të një procesi të rregullt ligjor, diskutimet u përqendruan në përcaktimin e një date për zhvillimin e mbledhjes pasuese të Këshillit, me qëllim dëgjimin e palëve.

Deputetët e opozitës kërkuan një afat prej 3 ditësh, ndërsa deputetët e mazhorancës e lidhën kërkesën e tyre me

– shqyrtimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese dhe

– të drejtën e deputetes znj. Belinda Balluku për të marrë kohën e kërkuar nëpërmjet përfaqësuesit
ligjor z. Ardian Kalia.

Në këto kushte, dhe në respekt të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të parimit të procesit të rregullt ligjor, Kryetari i Kuvendit njoftoi shtyrjen e mbledhjes, pa përcaktuar një datë të menjëhershme tjetër.

Po ashtu, sipas nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, shqyrtimi i kërkesave të Prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin ose heqjen e lirisë së një deputeti zhvillohet mbi bazën e një procedure që garanton të drejtën e mbrojtjes dhe një shqyrtim të plotë të dokumentacionit përkatës. Për sa kohë ky proces nuk është përmbyllur dhe palët nuk janë pajisur realisht me kohën e nevojshme për ushtrimin e kësaj të drejte, nuk plotësohen kushtet procedurale
për caktimin e një date të re mbledhjeje.

Gjithashtu Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, si përfaqësues i sovranitetit të popullit, ka detyrimin kushtetues të garantojë zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, veçanërisht në rastet kur Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar shprehimisht të japë një vendim mbi një çështje që lidhet drejtpërdrejt me shqyrtimin parlamentar, si në rastin konkret.

Në këto rrethana, kërkesa për thirrjen e mbledhjes së Këshillit, nuk pranohet. Mbledhja e radhës e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të thirret në momentin kur të jenë përmbushur plotësisht kushtet procedurale të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit.

Në mbledhjes e të premtes, datë 19 dhjetor, Këshilli nuk doli me një datë tjetër për mbledhjen e radhës. Opozita kërkoi që seanca e radhës të mbahet të hënën, ndërsa mazhoranca këroi të mblidhet Këshilli më 19 janar. Avokati i Ballukut kërkoi 3 javë kohë, për t’u njohur me provat e SPAK. Nga ana tjetër, prokurorët e posaçëm deklaruan në mbledhje se do ishte e mjaftueshme deri në 5 ditë. Me kërkesë të demokratëve, Këshilli vendosi që anëtarët të marrin me vete USB-në me 10 mijë faqe me prova për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Por në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB