Politikë

'Mban ende postin si Drejtor i Arkivave' PD- KQZ: Të përjashtohet! Bido: Jam pezulluar që më 12 mars

Sipas opozitës Bido bën fushatë për deputet duke qenë ende në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave

F.I
'Mban ende postin si Drejtor i Arkivave' PD- KQZ: Të
Ardit Bido

TIRANË-Partia Demokratike i bëri thirrje sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të përjashtojë nga lista kandidatin socialist në Qarkun e Vlorës, Ardit Bido. Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli u shpreh përmes një deklarate nga selia blu se Bido bën fushatë për deputet duke qenë ende në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave.

DEKLARATA:

Ardit Bido, i cili mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, prej 12 Marsit kandidon tashmë si deputet i Partisë Socialiste në qarkun Vlorë, në zgjedhjet e 11 Majit.

Me anë të udhërit nr.207, datë 12 Mars 2025, Ardit Bido, urdhëron zëvendësdrejtorin në ngarkimin e përkohshëm në detyrë, pra zëvendësimin e titullarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për shkak të mungesës me arsye të tij, me përjashtim të kompetencave të ngarkuara te drejtues të tjerë me urdhra të posaçëm përgjatë vitit 2025.

Ngarkimi i përkohshëm në detyrë, zëvendësimi do të ushtrohet nga data 12 Mars 2025 deri në kthimin në detyrë të titullarit, pra titullari vazhdon ta mbajë funksionin e tij.

Ndërkohë Kodi Zgjedhor në nenin 63 subjektet zgjedhore dhe kandidatët pika 4/g citon:

4. Përveç kushteve të parashikuara në pikën 3, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen pa hequr dorë më parë nga detyra:

g) zyrtarët e lartë të administratës shtetërore të përcaktuar me ligj.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, i cili konsiderohet zyrtar i lartë sipas kuptimit që i jep ligji shqiptar.

Ky status buron nga:

1. Ligj nr. 9154, datë 6.11.2003 “PËR ARKIVAT” i ndryshuar, neni 10 dhe neni 12;

2. Ligj nr.152/2013 “Për Shërbimin Civil” i ndryshuar, neni 19 pika 4;

3.Ligj nr.9049, datë 10.04.2003 Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe të disa nëpunësve Publikë, neni 3. ndodhet gjithashtu në kushtet e mundësisë së shkeljes së nenit 91 të Kodit Zgjedhor për ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore duke përfituar nga përdorimi i aseteve, çdo burim njerëzor i institucionit për qëllime zgjedhore, si dhe ushtrojë presion ndaj tyre për këtë qëllim.

Në këto kushte, Partia Demokratike kërkon nga KQZ të heqë nga kandidimi Ardit Bidon si kandidat të konfirmuar të PS , por i pa dorëhequr me vetëdije.

Në një përgjigje për kërkesën e PD, kandidati i PS për qarkun e Vlorës deklaroi se nuk ka asnjë shkelje, pasi një ditë para se të kandidonte është pezulluar. Ai thekson se ligji për nëpunësin civil përcakton se titullarët e institucioneve pezullohen me akt të Departamentit të Administratës Publike dhe sipas tij ky akt ekziston në KQZ që prej datës 12 mars. Bido deklaron se i ka deleguar kompetencat, siç e parashikon ligji, te zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, deri në kthimin në detyrë të titullarit.

DEKLARATA:

Doktor dole prapë bllof, shihemi në Kuvendin e Shqiptarëve PD e Belerit, që e ka zënë halli se i del që do të më ketë përballë në Parlament e s’ka nga të fshihet më, doli për të dytën ditë radhazi në konferencë për shtyp vetëm kundër meje nga mbi 180 kandidatë të PS në këto zgjedhje, duke bërë bllofin e radhës. Thanë që nuk kam hequr dorë si drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, se as dinë të lexojnë ligjin e as të shohin dokumentet: aktin e pezullimit nga DAP që mban datën 12.03.2025, pra një ditë para se të kandidoja! S’ka habi: kështu është kur niveli intelektual i këshillimit të PD është ai i dijetarit të madh Fredi Beleri Doktor, mos dil më bllof! Sa herë të flasësh, aq herë do të më gjesh përballë me të vërtetat historike e aktuale siç do të jemi përballë në Parlamentin e shqiptarëve, ti me “aleancën e antishqiptarisë madhështore” e unë me pastërtinë time. Për ditën e dytë rresht, Partia Demokratike del në konferencë zyrtare për shtyp vetëm kundër një kandidati, kundër meje. Duket se i ka zënë frika se çfarë do ta gjejë nesër “Aleancën e Antishqiptarisë Kombëtare të Madhe, Madhështore”, kur të gjendet përballë meje në foltoren e Kuvendit të shqiptarëve. Doli sot zëdhënësja e PD-së dhe tha që Ardit Bido nuk ka dhënë dorëheqjen, duhet që KQZ-ja ta përjashtojë. Nuk më përjashtoni dot me teknikalitete, sepse ju nuk dini të lexoni ligjin. Ju nuk dini të kërkoni dhe të shihni dokumentacionin. Ligji për nëpunësin civil përcakton se titullarët e institucioneve pezullohen me akt të Departamentit të Administratës Publike. Po të donit, e kishit parë në KQZ që ky akt ekziston prej datës 12 mars. Si njeri i përgjegjshëm, pak para këtij akti, delegova kompetencat, siç e parashikon ligji, te zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, deri në kthimin në detyrë të titullarit; qofsha ai unë, qoftë dikush tjetër. Por, kur ekspertizën ligjore, ekspertizën ekonomike, ekspertizën e të gjitha fushave e merr nga njerëz të cilët janë me brumë të lartë intelektual, si Fredi Beleri, këtu do të përfundosh. Doktor, të lutem, dita e dytë, mos dil më bllof! Mos dil më bllof! Do të shihemi në Parlament dhe do të flasim përballë, ashtu siç na takon: një njeri i cili nuk i fshihet pas gishtit asnjë të vërtete dhe një njeri i cili ndryshon qëndrimet sipas interesit të radhës. Shihemi në Kuvendin e shqiptarëve!

Së fundmi Bido u përfshi edhe në një denoncim të kreut të Partisë Demokraike, Sali Berisha në lidhje me disa prona në jug të vendit. Berisha deklaroi se përmes falsifikimeve janë marrë 24 hektarë në Vuno, tokë e cila ishte pjesë e pronës së Kishës Ortodokse. Kreu i PD akuzoi edhe drejtorin e Akivave, Ardit Bido tashmë kandidatin për deputet të PS-së në qarkun e Vlorës, se sipas tij ka gjetur një dëshmi pronësie, e cila është përdorur si provë për pronësinë e tokës së marrë./ZËRI

Poll

MOS HUMB