Politikë

PD kërkoi shkarkimin e Begajt, PS voton kundër, e bllokon në Komision

Kuvendi nuk ka target ligjor për shkarkimin e Begajt, në lidhje me akuzat e ngritura nga Partia Demokratike

E.K
PD kërkoi shkarkimin e Begajt, PS voton kundër, e bllokon në
bajram begaj

TIRANË- Komisioni i Ligjeve, me 9 votat e mazhorancës ka rrëzuar kërkësën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj, pas akuzave për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe konfliktit të interesit.

Raporti i Komisionit të Ligjeve do ti dërgohet seancës plenare, Gjatë fjalës së tij në Komision, përfaqësuesi i PD-së, deputeti Gjin Gjoni, renditi disa nga shkeljet që sipas tij Begaj ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës.

Ai tha se dekreti për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë ishte anti-kushtetues dhe Presidenti sipas Gjonit, ka marrë kompetencat e sistemit gjyqësor dhe ka shkaktuar konfuzion te zgjedhësit.

Gjoni shtoi se Begaj nuk mund të vijojë më të jetë kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit kombëtar.

“Grupi i PD ka paraqitur kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin e Presidentit Begaj. Ne jemi të bindur se Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Kemi arritur në konkluzionin që Begaj ka konsumuar 7 shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, mjaftueshëm për ta shkarkuar atë.

Konkretisht shkeljet e rënda të Kushtetutës nga Begaj janë si vijon:

Dekreti antikushtetues për zgjedhjet në Bashkinë Tiranë. Në kundërshtim me Kushtetutën, Begaj dekretoi zgjedhje të pjesshme vendore në Bashkinë e Tiranës, pa u krijuar nga pikëpamja kushtetuese vakanca.

Ka futur në ngërç kushtetues zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Ka minuar legjitimitetin e tyre, duke shkaktuar konfuzion te zgjedhësit. Ka marrë kompetencat e sistemit gjyqësor”, tha mes të tjerash Gjoni.

Sipas nenit 90 të Kushtetutës, shkarkimi i presidentit mund të ndodhë vetëm për shkelje të rënda të ligjit themelor ose për kryerjen e një krimi të rëndë. Kërkesa duhet të nënshkruhet nga të paktën 35 deputetë dhe të miratohet në Kuvend me 94 vota.

Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të vërtetojë ose jo fajësinë e presidentit dhe të shpallë shkarkimin ose jo të tij nga detyra./ZËRI 

Poll

MOS HUMB