Politikë

Porosia e Berishës: Bandat kanë dalë në terren, të zbatohet ligji! Exit-polli i Baton Stanishiqit është një mashtrim

Përsa i përket exit-pollit të bërë publik këtë pasdite, që nxirrte kryeministrin Edi Rama fitues, Berisha tha se ai është një sondazh i bërë nga Baton Haxhiu, të cilin e konsideron gënjeshtar. Sipas Berishës, të gjithë faktorët tregojnë një dominim të Opozitës. 

F.m
Porosia e Berishës: Bandat kanë dalë në terren, të
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka dhënë një deklaratë për mediat në selinë blu. Kryedemokrati Berisha është shprehur se tashmë në dorë e kanë situatën komisionerët, pasi populli ka vendosur. Berisha nuk i kursey rezervat e tij për ndërhyrje në zgjedhje, kur tha se bandat kanë nisur të shpërndahen në të gjitha KZAZ-të ku po bëhet shpërndarja e materialeve dhe nisja e numërimit të votave. Ai dha dhe një porosi dhe tha se të gjithë duhet të zbatojnë vetëm ligjin. 

Përsa i përket exit-pollit të bërë publik këtë pasdite, që nxirrte kryeministrin Edi Rama fitues, Berisha tha se ai është një sondazh i bërë nga Baton Haxhiu, të cilin e konsideron gënjeshtar. Sipas Berishës, të gjithë faktorët tregojnë një dominim të Opozitës. 

Pjesë nga deklarata e Berishës: 

Të dhëna operative nga mbarë vendi dëshmojnë se në zonat tradicionale të qendrës së djathtë ka një rritje të ndjeshme të elektoratit dhe priten konform kësaj rritje edhe rezultatet me një optimizëm të vërtetë. Por unë jam këtu para jush për të deklaruar se sovrani foli. Vota është në duart e komisionerëve, në përgjegjësinë më të madhe. Në Durrës, bandat e Pojës, e Troplinit, kanë vërshuar drejt KZAZ-ve me urdhrin nga Edi Rama se mund të ndikojnë në rezultat. Kjo nuk është vetëm në Durrës, por ata janë më aktivë, janë denoncuar, qoftë nga mediat, qoftë nga PD dhe në zonat e tjera Edi Rama ka zgjedhur një lloj presioni drejt KZAZ-ve. Tani, porosia ime e prerë për të gjithë komisionerët tanë në KZAZ, në komisionet e numërimit, të zbatohet ligji, ligji dhe vetëm ligji. Asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të numërohet në presion. Garantoj të gjitha bandat se qeveria e Aleancës për Shqipërinë Madhështore do t’i shpallë ato grupe terroriste dhe do marrin ndëshkimet më maksimale si të tilla. Unë e kuptoj që ata janë në përpëlitjet e tyre të fundit dhe besojnë se mund të ndikojë në vullnetin e sovranit. Asgjë nuk mund të ndryshojë. Populli ka folur në mënyrë vendimtare.

Së dyti, lidhur me një exit- poll të pretenduar nga gënjeshtari i gatshëm. Baton Stanishiqi është gënjeshtari i gatshëm, që nuk bëri asgjë tjetër, veçse pa bërë asnjë exit-poll, lexoi apo konvertoi në poll, memorandumin e Kuçit. I them Edi Ramës, se me pilula të tilla, do mbetesh shumë shpejt për një kohë të gjatë pa gjumë. Janë realisht orët e fundit e tij në pushtet. Prandaj mos përdor gënjeshtarë të gatshëm, papagaj, të cilët janë të aftë të deklarojnë çdo gjë përkundrejt pagesave. Këto kisha unë, ndërkohë procesi po monitorohet plotësisht. Ju e patë, po zbulohen zyrat ilegale të PS. Çerdhe të krimit elektoral. Krahas asaj që u kap në flagrancë deputeti Braçe me një grup, tani është një tjetër zyrë e tillë ilegale në Astir dhe ajo po procedohet sipas ligjit. Ka një qëndrim të vendosur të të gjitha strukturave tona për të denoncuar, për të të zbuluar të gjitha përpjekjet e dështuara të Edi Ramës në këtë proces të humbur për të.

Të gjithë treguesit janë për një dominim të qartë elektoral të aleancës tonë. Të gjithë treguesit. Edhe rritja e ndjeshme e përqindjes në votime në zonat tona është një ogur i bardhë për rezultatin e aleancës tonë. Unë kurrë nuk flas për përqindje dhe për numra pa dalë ato. Nuk kam unë ndonjëherë dëshirë për të bërë rolin e profetit. Ja, ai merr Batonin si gënjeshtar në gatishmëri. Unë nuk bëj ashtu, unë pres sovranin... Unë jam këtu për të paraqitur para jush dhe publikut ato që ndodhin. Dhe ne gjatë gjithë ditës kemi dokumentuar me përgjegjësi të plotë të gjitha përpjekjet antiligjore të bëra në të katër anët e vendit. Por të dërgosh banda për të rrethuar KZAZ-të është një përpjekje flagrante për të ndikuar në rezultatin, por kjo nuk do ndodhë sepse komisionerët tanë kanë marrë udhëzime të qarta dhe të prera.
Përgjegjësia për të gjitha këto është e Edi Ramës.

Poll

MOS HUMB