Politikë

PS-PD "pajtohen" për Rregulloren e Kuvendit, arrihet marrëveshja! Çfarë u tërhoq dhe u pranua nga të dyja palët

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë finalizuar një marrëveshje për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, ndërsa pritet të kalohet për votim në seancë.

zh.ll
PS-PD "pajtohen" për Rregulloren e Kuvendit, arrihet
mbledhja e Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren

TIRANË- Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren nën drejtimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi, ka miratuar me konsensus ndryshimet e rregullores. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë finalizuar një marrëveshje për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, ndërsa pritet të kalohet për votim në seancë.

Të dyja palët kanë përmbyllur draftin e përbashkët, i cili pritet të miratohet zyrtarisht nesër në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, në orën 09:00. Sipas burimeve pranë Kuvendit, marrëveshja përmban lëshime nga të dyja palët.

Sakaq, mësohet se mazhoranca ka tërhequr disa prej propozimeve të tyre. Bëhet fjalë për propozime si, kufizimi i kohës së debateve, mënyra e raportimit nga institucionet dhe procedura e përshpejtuar për projektligjet e BE-së. Ndërsa nga ana tjetër, opozita ka arritur të forcojë mekanizmat e kontrollit parlamentar.

Ndryshimet vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe janë dakordësuar me konsensus mes palëve.

1. Pikat ku u tërhoq PS

a) PS u tërhoq nga propozimi që çdo projektligj i kërkuar nga BE të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar.

b) PS u tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare.

c) PS u tërhoq nga propozimi që institucionet kushtetuese të mos raportonin në seancë plenare, duke pranuar qëndrimin e PD-së se raportimi në Kuvend duhet të bëhet nga çdo institucion që ka detyrim kushtetues për raportim.

d) PS u tërhoq edhe nga propozimi që të gjitha institucionet të raportonin vetëm në Komisionin Xhafaj, duke pranuar qendrimin e PD, që raportimet vjetore të bëhen në komisionet përgjegjëse sipas fushës.

2. Pikat që u pranuan nga PD:

a) U pranua propozimi i PD-së që forcon kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion. Sipas ndryshimit të pranuar:
– Kryetari i Kuvendit detyrohet t’i kërkojë institucionit përgjigje brenda 5 ditëve nga kalimi i afatit;
– në rast mosreagimi, i kërkohet titullarit të institucionit marrja e masave disiplinore deri në shkarkim.

b) U pranua propozimi i PD-së që kryetarët e komisioneve, kur kërkohet nga pakica parlamentare, të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje komisioni ose seanca dëgjimore me titullarë institucionesh brenda dy ditëve nga paraqitja e kërkesës.

c) U pranua propozimi i PD-së që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse.

d) U pranua propozimi që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Masat disiplinore nuk do llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike. Sekretariati i Etikës me numër të barabartë anëtarësh.

Poll

MOS HUMB