TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot një sërë ndryshimesh që do të bëhen në ligjin për ndërtimet, që sipas tij do t’i japin fund paligjshmërive dhe zaptimit të territorit. Rama tha se çdo subjekt që shkel lejen e ndërtimit, do të futet në një listë të zezë, dhe do ti ndalohet dhënia e lejeve për projekte të tjera. Sipas kryeministrit, kjo listë nuk do të përfshijë vetëm kompanitë, por edhe individët, administratoret, ortakët dhe pronarët përfitues që kanë shkelur ligjin.
“Do të krijojmë listën e zezë dhe ndalimin për të pajisur me leje ndërtimi shkelësit e lejeve të ndërtimit, jo vetëm kompanitë, por të gjithë personat që përfshihen në proces — zhvilluesit, shoqëritë, individët, administratorët, ortakët dhe pronarët përfitues, të cilët do të përjashtohen nga çdo mundësi për të marrë leje ndërtimi për një periudhë 5-vjeçare,” deklaroi Kryeministri.
Rama shtoi se kjo listë do të mbahet dhe përditësohet nga sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit dhe do të jetë një regjistër publik online, i aksesueshëm për të gjithë.
Rama bëri të ditur se çdo subjekt që kryen punime në kundërshtim me lejet e ndërtimit, si dhe ndryshime pa leje — përfshirë edhe ndryshimet në fasadë — do të ndëshkohet me gjoba dhe masa të tjera administrative. Këta subjekte do të përfshihen menjëherë në listën e zezë.
Ai theksoi gjithashtu se ky proces do të prekë jo vetëm subjektet, por edhe profesionistët e përfshirë në këto shkelje, përfshirë arkitektët, të cilëve do t’u hiqet licenca për 5 vjet, duke i ndaluar ushtrimin e profesionit gjatë kësaj periudhe./ZËRI