Politikë

"E informova Von der Leyen edhe për Zvërnecin", Rama: Para fundit të vitit nisim mbylljen e kapitujve të negociatave (VIDEO)

Rama tha se qeveria ka një “vullnet të hekurt” për të vijuar procesin e integrimit dhe se objektivi është që pas nisjes së mbylljes së kapitujve këtë vit puna të vijojë gjatë vitit të ardhshëm me një pjesë të konsiderueshme të tyre.

M.K.
"E informova Von der Leyen edhe për Zvërnecin", Rama: Para
kryeminidtri i vendit edi rama

TIRANË-  Shqipëria synon të nisë mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian para përfundimit të këtij viti, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e procesit pritet të vijojë gjatë vitit të ardhshëm. Deklarata u bë nga kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në Tiranë.

Rama tha se qeveria ka një “vullnet të hekurt” për të çuar përpara procesin e integrimit, ndërsa vlerësoi edhe mbështetjen e BE-së përmes Planit të Rritjes.

Gjatë takimit, kryeministri tha se ka informuar Von der Leyen edhe për ecurinë e projektit të shumëdiskutuar në Zvërnec. Sipas kryeministrit procesi ndodhet në pritje të studimit të thelluar mjedisor, ndërsa paralajmëroi se në ditët në vijim do të publikohet informacioni dhe dokumentacioni i plotë për projektin në kuadër të rritjes së transparencës.

Rama foli gjithashtu për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke e cilësuar atë një prej pikave të pandryshueshme të bashkëpunimit me Bashkimin Europian.

Fjalimi i ktryeministrit Rama:
"Privilegj i veçantë që ta presim presidenten në Shqipëri në këtë tur tradicional të rajonit. Nuk e di ekzaktësisht arsyen përse turi nis gjithnjë nga Tirana por dua të besoj se nis nga “A”. Besoj po ashtu se përsëri në vizitën në Tiranë të presidentes dhe delegacionit të saj ka shumë përmbajtje pozitive në raport me objektivat e përbashkët që kemi.

Dua të konfirmoj edhe një herë edhe publikisht vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi që ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Përgatitemi që para fundit të këtij viti të nisim me mbylljen e kapitujve për të vijuar më pas me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve në vitin e ardhshëm. Në programin e Planit të Rritjes ne kemi arritur të kapim disa objektiva ambiciozë dhe siç thashë me siguri presidentja do ta prekë këtë temë sepse ky është një nga risitë e mandatit të saj të dytë.

Për rajonin ka ardhur si mbështetje e madhe jo vetëm në aspektin financiar por mbi të gjitha në atë që quhet tashmë si një integrim gradual pa pritur që gjithçka të vijë në fund të procesit. E kam informuar presidenten e Komisionit qoftë për ecurinë e projektit të madh që ka shkaktuar aq shumë interes po e quaj ku tani jemi në fazën që presim së shpejti studimin e thelluar mjedisor.

E kemi informuar edhe për hapat që kemi hedhur për transparencën dhe ndërveprimin me publikun me mjetet e reja teknologjike. Në ditët e ardhshme do të ndezim pasqyrën me transparencën e plotë të të gjitha dokumenteve dhe procesin për projektin e shumëdiskutuar Zvërnecin.

Në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që është pikë e palëvizshme për ne dhe BE kemi konstatuar faktin se tanimë është e qartë se nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi sot sistemi po e lufton korrupsionin. Faleminderit Ursula që je në Tiranë."/ZËRI

Poll

MOS HUMB