TIRANË- Avokatët e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, i janë drejtuar zyrtarisht me një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ata kërkojnë informacion dhe dokumentacion mbi masat ekstreme të shoqërimit të klientit të tyre në një vizitë mjekësore më 17 korrik 2025. Mbrojtja ligjore e Veliajt ka ngritur pretendimet se është shkelur çdo protokoll mjekësor dhe trajtim njerëzor, pasi krybashkiaku u shoqërua prej rreth 30 efektivësh policie dhe hetues të BKH-së.
“Kjo vizitë pasi i është refuzuar disa herë, dhe pasi ju miratua është shoqërua me një prani të jashtëzakonshme sigurie prej rreth 30 efektivësh policie dhe hetues të BKH-së, disa prej të cilëve ishin të pranishëm edhe brenda sallës së ekzaminimit, masa të papërshtatshme dhe të pajustifikuara për një person si zoti Veliaj dhe në shkelje të çdo protokolli mjekësor”, theksojnë avokatët.
Mbrojtja e kryebashkiakut argumeton se masat ndaj tij ishin të papërshtatshme dhe të pajustifikuara, prandaj kërkojnë transparencë mbi procedurat e ndjekura, forcat e angazhuara dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në institucionin shëndetësor. Lidhur me këtë, zyra e avokatëve ka theksuar se do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore për çdo shkelje ndaj dinjitetit dhe trajtimit njerëzor.
Kujtojmë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.
Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI