
TIRANË- Kuvendi mban sot seancën e radhës, kur pritet të zhvillohet me tensione të shumta mes opozitës dhe mazhorancës. Shkak për këtë duket se do të jetë opinioni i publikuar dy ditë më parë nga Komisioni i Venecias në lidhje me kërkesën e Kuvendit për mandatin e Olta Xhaçkës. Opozita ka kërkuar që çështja të diskutohet në Parlament. Komisioni i Venecias argumentoi se Gjykata Kushtetuese mund ta shqyrtonte vetë në themel çështjen pa marrë autorizimin e Kuvendit.
Pas publikimit të Opinionit të Venecias, mazhoranca dhe opozita u përplasën sërish për mandatin e Olta Xhackës. Ndërsa, në mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve, e pranishme nga opozita ishte vetëm Ina Zhupa, e cila kërkoi që në seancën e sotme, të diskutohet mandati i Olta Xhackës, për të cilën mazhoranca thotë se Opionioni i Venecias është i qartë dhe asnjë deputet nuk mund të detyrohet të votojë në mënyrë të caktuar.
Në lidhje me rendin e ditës, do të diskutohen pikat të cilat nuk u shqyrtuan në seancën e javës së shkuar për shkak të kaosit dhe përplasjes mes opozitës dhe mazhorancës. Seanca plenare u mbyll pas një debati mes deputetes të Partisë Demokratike Ina Zhupa dhe deputetit të Prtisë Socialiste Erion Braçe. Më pas në shenjë proteste të gjithë socialistët, deputetët e ministra u larguan nga salla, duke lënë Zhupën të mbajë fjalimin e interpelancës. /ZËRI