TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare. Në qendër të diskutimeve do të jetë interpelanca me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, me kërkeësë të deputetit socialist Erion Braçe për situatën e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në vend. Kjo interpelancë zhvillohet në një kohë kur blegtorët kanë ngritur shqetësime dhe po protestojnë për mungesën e subvencioneve, duke pretenduar se skema e re kombëtare nuk i mbështet siç duhet.
Në vijim të seancës, do të mbahet edhe një sesion pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, i kërkuar nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho. Në fokus do të jetë çështja e pabarazisë në paga për mbi 11 mijë punonjës të sektorit arsimor.
Në rendin e ditës janë përfshirë edhe disa projektligje të rëndësishme, si ai “Për portet turistike”, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Po ashtu, edhe nisma për ngritjen e një Komisioni Hetimor për ARRSH dhe AKSHI, të cilat pritet të shoqërohen me debate në sallë.
Seanca e kaluar u karakterizua nga tensione dhe përplasje të forta mes palëve. Gjatë ndërprerjes, Flamur Noka kërcënoi dhe goditi me shishe Taulant Ballën. Po ashtu, Elda Hoti i mori kartonin e deputetes Bora Muzhaqi, ndërsa kjo e fundit pati një përplasje verbale me Albana Vokshin.
Pas këtyre incidenteve, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin e Flamur Nokës nga punimet e Kuvendit për 20 ditë dhe të Elda Hotit për 10 ditë. Ndërsa, për deputetët Taulant Balla dhe Albana Vokshi nuk u morën masa disiplinore./ZËRI