
TIRANË- Partia Demokratike do të mbajë sot një protestë kombëtare, e cila pritet të nisë në orën 18:00. Gjatë protestës nuk do të ketë fjalime, ndërkohë fillimisht protestuesit do të përqëndrohen para godinës së kryeministrisë, më pas do të shpërndahen nëpër rrugët e Tiranës. Grupet që do të zhvendosen në disa zona të Tiranës, pritet që të përbëhen kryesisht nga protestues të rinj në moshë.
Nga ana tjetër, kjo protestë do të jetë edhe një test për drejtorin e ri të policisë së shtetit, Ilir Proda, ndërsa në terren do të angazhohen efektivët e Policisë së Shtetit. Në njoftimin e Policisë thuhet se nga ora 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në lidhje me protestën e sotmë kryedemokrati Sali Berisha deklaroi dje se Opozita nuk do të ndalet me mosbindjen civile që do të nisë deri në pranimin e ngritjes së një qeverie teknike, përpara zgjedhjeve që do të mbahen në Maj të vitit të ardhshëm.
“Nesër në Shqipëri, fillon mosbindja civile, pa kthim, deri në vendosjen e qeverisë teknike. Në prag të këtij eventi historik, unë dua të jap disa sqarime të fundit për çdo qytetar shqiptar dhe të adresoj thirrjen time për mbarë shqiptarët. Kjo mosbindje civile, nuk vjen si një rrufe në qiell të hapur. Kjo mosbindje civile, minimalisht ka 3 vite që kërkohet dhe është paralajmëruar. Prandaj miq, shqiptarët duhet të dinë se nesër nis mosbindja civile kundër narkoshtetit. Kundër mafies, dhe kundër kreut të krimit të organizuar, Edi Ramës. Është radha jone Kjo mosbindje civile, data 7 tetor, është nisja e kapitullit të fundit, e kësaj historie të zezë 11-vjeçare, të historisë së Shqipërisë. Një historie që do të lej mbrapa shkatërrimet më destruktive, të themeleve ku mbahet. Shqipëria dhe shqiptaria. Kjo mosbindje civile, nesër, vjen si përgjigja e vetme, që opozitës së shqiptarëve, shpresës së fundit të Shqipërisë, i ka mbetur ndaj narkoshtetit të Edi Ramës, bazuar në krimin, drogën, vjedhjen dhe dëbimin e shqiptarëve. Është radha jone!”, tha dje Berisha.
Po ashtu, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi bëri me dije dje se i gjithë qyteti i Fierit do të jetë sot në Tiranë për të marrë pjesë në protestën kombëtare të Opozitës.
“Të hënën, datë 7 Tetor, ora 18:00, Fieri marshon drejt Tiranës! Takimet në Rreth Libofsh të Fierit, për ti bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në protestën e të hënës, ishin një mundësi e mirë të mësuar edhe më shumë arsye që kanë qytetarët e qarkut Fier për të mos pranuar ti nënshtrohen padrejtësive. Si asnjëherë më parë qytetarët janë të vendosur se ka ardhur koha për ti treguar Edi Ramës se boll është boll. 12 vjet janë shumë kohë e humbur. Shteti personal i Edi Ramës shtyp të pamundurit dhe mbron kriminelët dhe të korruptuarit. Është detyrë dhe mision i çdo qytetari të ndershëm që të reagojë ndaj tentativës së Partisë Socialiste për të zhbërë shtetin ligjor, dhe për të instaluar shtetin personal të Edi Ramës”, tha dje Bardhi.
Protesta e opozitës vjen pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua për shkak të çështjes “Babale”. Si shenjë proteste, opozita nisi dy aksione të mëparshme, ku shkaktuan dhunë dhe kaos në Kuvend. Deputetët dogjën karriget në oborrin e Parlamentit më 30 shtator dhe për këtë arsye ata u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës deri më 60 ditë. Ndërsa, në seancën e së enjtes më 3 tetor ata nuk u lejuan të futeshin në Kuvend nga garda, dhe deputetët e opozitës bllokuan hyrjet e Kuvendit për të penguar kolegët e tyre socialist të merrnin pjesë në seancën parlamentare. Për shkak të rrëmujës që u zhvillua jashtë, seanca parlamentare zgjati vetëm 30 minuta, ndërsa deputetët që u penguan të futeshin dogjën në oborr 4 manekinë dhe deklaruan se nuk do të ketë më normalitet. /ZËRI