TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar së fundmi një video në rrjetet sociale, e cila lidhet me protestën që po zhvillohet në Tiranë. Në pamjet e shpërndara nga kreu i qeverisë shfaqen disa turiste me origjina nga Irani, të cilat i janë bashkuar protestës në kryeqytet.
Siç dëgjohet në video, turistet shprehen se janë solidarizuar me protestuesit në bulevard, ndaj kanë ardhur të protestojnë bashkë me ta, teksa në fund shprehen se jetojnë në Kanada, por janë nga Irani.
Përmes postimit në rrjetet sociale, Rama shkruan se tashmë në bulevard ka dhe turistë të shitur, të cilët sipas tij “kanë ardhur të lëpijnë dhe pickojnë vajzat e djemtë e sinqertë të protestës”.
“Dëgjojeni deri në fund kush ka ardhur ‘turist’ për të shpëtuar Shqipërinë. Me një llaf s’kemi në bulevard vetëm patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur e deri diasporë të shtirur, po kemi edhe turistë të shtirur që kanë ardhur të lëpijnë dhe pickojnë vajzat e djemtë e sinqertë të protestës”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar vazhdimisht se Irani mund të jetë i përfshirë në një “luftë hibride” ndaj Shqipërisë. Sipas Ramës, iranianët po ushqejnë narrativën se bëhet fjalë për marrëveshje të fshehta mes kryeministrit, Benjamin Netanyahut dhe Kushnerit për të vendosur palestinezët në Zvërnec. Sipas Ramës, Teherani është është përfshirë në një fushatë dezinformimi lidhur me debatin për projektin në Zvërnec./ZËRI
