LIBRAZHD-Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e ri të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ka inspektuar aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, e cila u hap pasi juglindja kishte mbetur e bllokuar prej 11 ditësh.
Vizita përfshiu edhe zonën problematike të Arrave të Gurrës në Dragostunjë, ku shembja e rrugës ka shkaktuar shqetësime për qarkullimin dhe sigurinë e banorëve dhe udhëtarëve. Gjatë inspektimit, Rama u takua me drejtuesit e kompanisë ndërtuese për të diskutuar sfidat teknike, afatet për përfundimin e punimeve dhe masat e sigurisë për stabilitetin e rrugës.
“Gjithë tollovia e madhe që u shemb rruga nga punimet, është një manipulim i madh, një perversitet i madh, sepse faktikisht, këtu jemi në aksin e vjetër. Aksi i ri nuk është këtu, në kuptimin, nuk është i ndërtuar ende këtu. Akse të reja janë ato që kalojnë për të ardhur deri këtu. Ajo atje është një rrëshqitje e shkaktuar nga faktori gjeologjik, prej mbingarkesës së shirave. Ajo që është kriminale në raport me publikun, kur ka zhurma të mëdha të kësaj natyre duhet të presësh të bjerë fryrja e madhe e një plage për të adresuar shkaqet se ndryshe s’të dëgjon njeri, një plagë e kësaj natyre ku mjafton të vish ta shohësh dhe kupton menjëherë se ku je dhe s’ka dorë njeriu që ta ketë shkaktuar, kthehet në burim helmimi të vazhdueshëm të opinionit publik. Këtu jemi në një nga kantieret më strategjike të vendit, një nga veprat më të rëndësishme të programit tonë, mbrojtja lumore është absolutisht e standardeve më të larta, por puna vazhdon dhe ndodhin të papritura. Në këtë rast është thjesht dhe vetëm natyrore, fatkeqësi që ndodh për shkak të ngarkesës. Ndjesë njerëzve që u mbytën me baltë e llum nga të gjitha drejtimet”, deklaroi Rama nga terreni.
Segmenti provizor kalon përmes rrugës së vjetër të shembur e trasesë ku po punohej për Korridorin VIII dhe funksionon me sinjalistikë kantieri. Ndërkohë në zonën e quajtur “Arra e Gurrës”, ku lëvizjet e terrenit kanë shkaktuar bllokimin e aksit Librazhd–Përrenjas, ARRSH ka nisur punën me intensitet për stabilizimin e zonës dhe rikthimin e normalitetit në qarkullim. Qarkullimi në këtë devijim provizor do të kryhet derisa të ndërtohet rruga alternative 1.3 km. Kjo e fundit kërkon minimalisht 2 muaj kohë.
Situata u përkeqësua që prej ditës së shtunë (21 shkurt), ku rruga është shkëputur duke rrezikuar shembje totale si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Segmenti u mbyll për shkak të shembjes së urës në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës”. Rrëshqitja e tokës ka dëmtuar edhe bypassin provizor që pritej të hapej ditën e djeshme (23 shkurt)./ZËRI