
TIRANË- Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von Der Leyen, do të vizitojë javën e ardhshme të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë këtij turi, Von Der Leyen do të ndalet edhe në Tiranë ku do të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin Edi Rama e Presidentin Bajram Begaj.
Von der Leyen, e cila në verë u rizgjodh për një mandat të ri 5-vjeçar, po e zhvillon këtë tur në kuadër të zgjerimit për të cilin është shprehur se e ka ndër prioritetet kryesore.
Gjatë vizitës në rajon Von Der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që BE-ja po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Von der Leyen do ta nisë turneun e saj në rajon të mërkurën, më 23 tetor, me ndalesën e parë në Shqipëri, ku do të marrë pjesë edhe në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.
Më 24 tetor, ajo do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat. Në Serbi, Von Der Leyen do të qëndrojë më 25 tetor, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Von der Leyen do të udhëtojë pastaj për vizitë Kosovë të shtunën e 26 tetorit, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë. Vetëm disa ditë pas vizitës së saj, Komisioni Evropian do t’i miratojë dhe publikojë paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e përfshira në këtë proces.
Fokusin e veçantë Von Der Leyen do të ketë në paketën e BE-së për rritje dhe reforma në Ballkanin Perëndimor, e cila parashikon ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.