
TIRANË-Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë vendosur të shtyjnë për nesër diskutimin në Komisionin e Ligjeve për dy draftet e paraqitura për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Në mbledhjen e sotme pritej të diskutoheshin ndryshimet e rëndësishme në Kodin Zgjedhor për votën e Diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, të nevojshme për të finalizuar këtë proces për zgjedhësit jashtë Shqipërisë, teksa me akt normativ Qeveria ka shtyrë edhe afatin e skadimit të dokumenteve biometrike. Shkak për shtyrejn u bë mungesa e deputetit demokrat Oerd Bylykbashi, i cili nuk mundi të vinte dot.
"Me kërkesë të bashkërelatorëve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, do i shtyjmë për nesër projekt aktet. Bylykbashi ka njoftuar se nuk mund të marrë pjesë sot”, tha kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka.
Deputeti i partisë së re politike ‘Djathtas 1912’, Enkelejd Alibeaj, nuk e kurseu ironinë me dy përfaqësuesit politikë të PS-PD për ndryshimet në Kod, Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin.
“Dy vëllezërit siamezë nuk e paskan gjetur gjuhën sot. Po bëjnë pazarin e radhës!”, u shpreh Alibeaj.
“Këtu nuk bëhet fjalë për pazar. Sa i takon nismave tuaja, po kemi një proces i cili përveç nismave tuaja ka edhe nisma të tjera. Edhe unë kam një nismë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që jam pjesë e punës në këtë Kuvend, por siç ka një traditë parlamentare ka tashmë një proces që duhet të ndodhë me bashkëdakordësinë e të gjithëve dhe ka po ashtu rekomandime të OSBE/ODIHR që duhet të adresohen. Është një proces në vijim, kur të jeni të gjithë dakord të ulemi në këtë komizion dhe të shqyrtojmë këto çështje”, iu përgjigj Bushka.
Partia Demokratike kërkon me ngulm që të votojnë edhe shqiptarët që nuk kanë as kartë identiteti dhe as pasaportë shqiptare. Madje theksojnë se kjo pikë mund të zhbëjë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Për socialistët, por edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo çështje nuk duhet që të konsiderohet. Por pa votat e opozitës, maxhoranca nuk i miraton dot ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Mazhorancës do t'i duhen 84 kartonë jeshil për të siguruar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Por pa opozitën, pra Partinë Demokratike, nuk ia del dot! Deri tani, dihet se PS ka 'në xhep', 78 vota të sigurta; 75 të vetat dhe 3 të PSD-së. Edhe Dashamir Shehi e ka shprehur votën e tij "pro". Madje socialistët mund t'i "ndihmojë" edhe PDIU me 4 mandatet e saj, por sërish nuk i grumbullojnë dot pas sinjaleve për afrimitet me socialistët të shprehura më herët, por sërish as votat e tyre nuk mjaftojnë për të bërë 84./ZËRI