Politikë

21 Janari/ Rama sulmon prokurorinë e Tiranës: Janë tallur me përbuzje me kushtetutën dhe familjarët e viktimave

E.K

21 Janari/ Rama sulmon prokurorinë e Tiranës: Janë tallur me

TIRANË- Kryeministri Edi Rama në një konferencë me gazetarët, e para pas disa muajve, ka komentuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut për 21 Janarin, të cilin e konsideron krim shtetëror. Sipas Ramës, Prokuroria e Tiranës është tallur dhe ka përbuzur ligjet e vendit, por edhe familjet e viktimave për shkak se ka zvarritur dhe nuk ka marrë në shqyrtim provat e reja për 21 Janarin. Këtë dosje Rama e cilësoi dhe si një provë zjarri në dorën e drejtësisë së re, që sipas tij duhet të marrinj drejtimin e hetimeve.

“Unë nuk jam këtu për të kritikuar mediat, por jam këtu për të sjellë në vëmendje vendimin e Gjykatës për 21 Janarin. Krimet shtetërore vonojnë shumë për tu zbardhur. Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën, me ligjin dhe natyrisht pastaj me dhimbjen dhe të drejtën e familjarëve të viktimave dhe të gjithë shoqërisë për të njohur të vërtetën.

E ka trajtuar si leckë një provë të re që ka dalë para disa muajsh, është koha që drejtësia e re të reagojë, pasi qysh se kur ky krim ka marrë rrugët e prokurorisë dhe gjykatave të vendit ka ndryshuar struktrura e drejtësisë, dhe profilet e zyrtarëve të lartë hetohen nga një tjetër strukturë. Leximi i vendimit të gjykatës është si të lëxosh një vendim të stërpërsëritur prej nesh prej vitesh, dhe vendosja e gishtit te autoritetet ekzekutive të kohës është e shkruar e zeza mbi të bardhë.

Vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës, por nga urdhëri që ka ardhur nga maja. Nga ana tjetër, Gjykata nënvizon dhe vë gishtin te krimi dhe pengimi i drejtësisë, është e qartë se autoritetet më të larta kanë penguar në mënyrën më brutale (kriminale) drejtësinë që të veprojë për të nisur zbardhjen e këtij krimi.

Unë e kam bindje të palëkundur, që nuk ka asnjë forcë që mund ta pengojë zbardhjen e krimit shtetëror të 21 Janarit, por sigurisht që mund të vonohet, për këtë jam këtu sot, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që për moralin e Reformës në Drejtësi, për familjarët e viktimave, për shkak të këtij krimi të mos vazhdojë tërheqja dhe të moskëputja e vonesës së qëllimshme dhe cinike, të të mos bërit drejtësi për 21 Janarin.  Nëse 21 Janari mbetet pezull, atëherë edhe themeli i drejtësisë së re vendoset në pikëpyetje”, tha kryeministri Edi Rama.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB