Politikë

Mungesa e Bashës, Shehit dhe Idrizit në Federatën e Opozitës/ Meta: S'pashë gjë, thjesht firmosa

Meta tha se Partia e Lirisë do të synojë që jo vetëm të jetë 1 prej 3 partive kryesore, por të bëhet dhe katalizator i ndryshimeve

E.K
Mungesa e Bashës, Shehit dhe Idrizit në Federatën e
Ilir Meta

TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka folur mbi zhvillimet e fundit në kampin opozitar, dhe krijimin e një federate që synon të bashkojë të gjitha fraksionet opozitare. I pyetur nga gazetarja e ZËRIT, Florida Mingla, për mungesën e firmave në këtë marrëveshje, të Lulzim Bashës, Shpëtim Idrizit dhe Dashamir Shehit, Meta nuk preferoi që të komentonte gjatë, duke thënë se është pro çdo nisme që do të sjellë bashkimin e opozitës.

“Së pari, mua më është propozuar një dokument si kryetar i Partisë së Lirisë, ai dokument është bërë publik, dhe është shumë parimor, dhe në përputhje me objektivat e Partisë së Lirisë. Nuk e kam parë fare se kush e ka firmosur apo nuk e ka firmosur atë dokument. Do të isha pro çdo nisme që e çon opozitën drejt bashkimit. Unë besoj se këto janë çështje që janë diskutuar, zgjedhjet janë të rëndësishme jo vetëm për opozitën, por për të gjithë Shqipërinë, pasi zgjedhjet e fundit kanë vrarë shpresat për një rë ardhme të sigurt, ku nuk është më as siguria e pronës, a e votës, as e të drejtës”, u shpreh Meta.

ZËRI: A është menduar për një emër i ri për kryeministër, që të jetë i pranueshëm dhe për Rrugën e Elbasanit?

META: (QESH) Besoj se është detyrë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, që të refuzojnë këtë qeverisje bullizuese dhe përjashtuese, në këtë vend grabiten të gjithë qytetarët. Jam i sigurt që çdo kandidat për kryeministër do të ishte shumë më i përgjegjshëm dhe shumë më i suksesshëm se kryeministri aktual, i cili udhëheq vetëm fushën e skandaleve. Ju e dini që dje ka pasur një gjyq, ku njeriu që ai përdori për të shpallur non grata Berishën, apo shpalli hero një gjyqtar që shkatërroi Gjykatën Kushtetuese, u shpall fajtor. Të jeni të sigurt, që pavarësisht nga përpjekjet e qeverisë, dhe të gjithë zëdhënësve të saj mediatik, që ushqehen me paratë e inceneratorëve, të jenë të sigurt që ndryshimi do të ndodhë.

ZËRI: A është emri juaj një kandidat i mundshëm për të qenë kryeministër?

Meta: Sa i takon emrit tim, emri im do të udhëheqë Partinë e Lirisë, që jo vetëm do të jetë 1 nga 3 forcat kryesore, do të jetë katalizator për ndryshimin në vend. Ne preferojmë një kandidaturë sa më gjithëpërfshirëse. Sa i takon emrit tim si kryeministër, kjo është parë në dy vite që unë kam mbajtur atë pozicion, por unë nuk jam këtu për të shpallur sfida.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB