
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka vijuar fjalën e tij për mbetjet e rrezikshme, ku tha se padyshim që edhe industria në Shqipëri prodhon të tilla. Rama tha se mbetjet e rrezikshme përpunohen sipas ligjit në fuqi, por nuk dha detaje se ku ato realisht depozitohen dhe ku bëhet asgjesimi i tyre përfundimtar.
Edi Rama: A prodhohen mbetje të rrezikshme në Shqipëri? Sigurisht që po, siç ka prodhuar politika mbetje, ashtu prodhojnë edhe industritë. A ka një kontroll të këtyre lëndëve të rrezikshme? Patjetër që ka. Mbetjet e rrezikshme sipas ligjit 10463, trajtohen përmes metodave ligjore të përcaktuara, grumbullohen, transportohen dhe më pas asgjesohen nga kompanitë përgjëgjëse.
Keni thënë që mbetjet e dyshuara do të vijnë në Shqipëri bashkë me fundin e botës. Është në çdo rast fajtor shteti, dhe gjithë shqiptarët që sipas jush mbajnë në pushtet një regjim kriminal. Që të respektoj kohën, dua të them që Shqipëria, ka sot në portin e Durrësit, një kosto inspektimesh dhe certifikimesh sistematike, nga autoritetet europiane që e bëjnë portin e Durrësit një vend të sigurt, dhe ku e bëjnë që së shpejti të kemi dhe portin e NATO-s.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, tha se mbetjet e rrezikshme mund të transportohen vetëm në rast se vendi pritës ka dhënë dakordësinë, pasi në të kundërt, kjo klasifikohet si tregti ndërkombëtaresh mbetje.
Bardhi tha se shqiptarët sot nuk kanë një përgjigje se ku përfundojnë mbetjet e rrezikshme të Kurum dhe Sokolaj SHPK, ndërsa pyeti Ramën nëse qeveria ka marrë ndonjë masë ndaj këtyre kompanive, që janë kapur disa herë në shkelje. /ZËRI